Partia Socialiste ka mbledhur Asamblenë e Përgjithshme të degës së saj në Greqi.
Takimi është zhvilluar në datë 13 janar në qytetin e Larisas dhe në të kanë marrë pjesë drejtuesit e të gjitha degëve dhe organizatave socialiste në Greqi, ndërsa të deleguar nga kryesia e PS për të ndjekur asamblenë kanë qenë kryetari i Asamblesë Socialiste, Gramoz Ruçi dhe Sekretari i PS për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj. Më shumë se 150 pjesëmarrës, të cilët përfaqësonin degët dhe organizatat socialiste në 35 qytete të Greqisë, u mblodhën për të analizuar punën e kryer gjatë vitit 2012, si dhe për të diskutuar dhe marrë vendime mbi strategjinë e veprimeve të socialistëve shqiptarë në Greqi për zgjedhjet parlamentare të Qershorit 2013.
Punimet e Asamblesë së PS Dega Greqi, i ka çelur Kryetari i kësaj dege, Artjan Qirici, i cili pasi bëri një përmbledhje të veprimtarisë së partisë në vitin e shkuar, theksoi nevojën e një veprimi të koordinuar dhe efektiv për të sjellë sa më shumë emigrantë që të votojnë në Qershor 2013.
Qirici theksoi se emigrantët jo vetëm që do të mbështesin çdo veprim të Partisë Socialiste për të sjellë Rilindjen në Shqipëri, por ata do të jenë me vendosmëri pjesë e ndryshimit që po vjen.
Asambleja u përshëndet edhe nga Kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste dhe Kryetar i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi, i cili bëri një përshkrim të situatës aktuale në të cilën ndodhet vendi.
“Për fat të keq 100-vjetori i Pavarësisë na gjeti me një shtet jo shërbim të qytetarëve, por në shërbim të pushtetarëve. Na gjeti me institucione të këtij shteti, përsëri në shërbim të pushtetarëve jo të qytetarëve. Na gjeti me një demokraci të rrezikuar. Sot e kësaj dite, për 22 vjet ne vazhdojmë të diskutojmë: Do bëjmë zgjedhje, apo s’do bëjmë zgjedhje, do i bëjmë të lira, apo s’do i bëjmë të lira, do manipulohen zgjedhjet apo nuk do manipulohet zgjedhjet. Dhe e gjitha kjo pas 100 vjetësh shtet dhe pas 22 vjetësh demokraci”, është shprehur kryetari i asamblesë socialiste.
Sipas Ruçit gjendja ku e ka katandisur vendin qeveria e Sali Berishës është arsyeja kryesore përse duhet sot një Rilindje Shqiptare. Por kjo domosdoshmëri plotësohet më mirë edhe nga programi i qartë dhe i detajuar i PS për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe për t’i dhënë zhvillimin e që meriton.
Nga ana e tij Sekretari për Rininë dhe Emigracionin në PS, Erion Veliaj është ndalur në lidhjen e natyrshme që ka PS me emigracionin shqiptar dhe angazhimin e kësaj force politike për t’u rikthyer dinjitetin e munguar shqiptarëve kudo që punojnë e jetojnë si emigrantë.
“Partia Socialiste është një parti që jeton me emigracionin. Kryetari i PS është dikush që ka qenë emigrant, kryetari i asamblesë së PS-së është dikush që ka qenë emigrant edhe këtu në Greqi. Në fakt 70% e grupit tonë parlamentar kanë jetuar një pjesë të jetës së tyre në emigracion. Kjo e bën PS-në, parti të vërtetë në çështjet e emigracionit. S’keni parë asnjëherë në emigracion as Sali Berishën, as Jozefina Topallin, as ministrat e tyre”, ka thënë Veliaj, i cili u ka kërkuar të gjithë përfaqësuesve të organizatave socialiste në Greqi që të vazhdojnë punën e nisur, në mënyrë që emigrantët shqiptarë në Greqi, të luajnë një rol deciziv në konsolidimin e fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit.
Më tej asambleja në mbledhjen e saj me dyer të mbyllura diskutoi dhe mori vendime në lidhje me organizimin e punës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.