English

Berisha në mbledhjen e qeverisë: ekonomia e vendit bazohet në një model të suksesshëm

Kryeministri Berisha, duke bërë sot, në mbledhjen e qeverisë, një analizë të ecurisë ekonomike të vendit, u shpreh se ajo është e qëndrueshme dhe bazohet në një model të suksesshëm, ndërsa theksoi se ekonomia do të vazhdojë të jetë çështje e parë e qeverisë. Kryeministri Berisha informoi se në tremujorin e tretë të vitit 2012 rritja ekonomike është 2.7 përqind. Kjo rritje është shndërruar në rritje të pagave, pensioneve, të fuqisë blerëse, investimeve publike dhe në mirëqenie për qytetarët, e mbështetur kjo, theksoi Kryeministri, edhe nga përfundimet e raporteve ndërkombëtare, që e rendisin Shqipërinë në vendin e 4-t në botë përsa i përket shndërrimit të rritjes në mirëqenie për qytetarët.

“Një prej grupeve më serioze në botë të konsulencës, grupi i Bostonit, pasi kalkulon koeficientet e vlerësimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, njëri prej të cilëve konsiston në shndërrimin e pasurisë në mirëqenie dhe tjetri konsiston në shndërrimin e rritjes në mirëqenie, bazuar kjo analizë për të parin në 36 tregues dhe për të dytin në 51 treguesit më kryesorë, e vendos Shqipërinë në vendin e 4-t në botë përsa i përket shndërrimit të rritjes në mirëqenie për qytetarët,” – tha Kryeministri.

Çdo kilometër rrugë që ndërtohet, u shpreh Kryeministri, është një hap në mirëqenien e qytetarëve ku kalon rruga, është kursim në shpenzimet e tyre, është mbështetje për tregtinë e produkteve të tyre, është para së gjitha një korridor tregu.

Kryeministri Berisha i konsideroi keqdashëse deklaratat për rënien në krizë të ekonomisë shqiptare, duke nënvizuar se ata mendojnë se “duke ndjellë krizë marrin vota, ose bëhet nga injoranca, nga njerëz që me filxhanin e kafesë flasin për ekonomi pa pasur qoftë edhe nocionin më elementar të rritjes e recesionit.” Kryeministri tha se me propozimet e saj për taksën progresive dhe agjencinë speciale të taksave, Partisë Socialiste e kryetari i saj zoti Edi Rama kanë zgjedhur si slogan: Mbrapa!

Kryeministri Berisha theksoi se qeveria beson fort se përballimi me sukses i krizës europiane e më gjerë është mbështetja gjithnjë e më e madhe për biznesin, duke kërkuar të shihen të gjitha mundësitë për lehtësimin dhe mbështetjen e mëtejshme të tij. Në këtë kontekst, Kryeministri i kërkoi ministrit të Bujqësisë dhe ministrit të Turizmit të shohin mundësitë për zgjerimin e përfituesve nga fondi grant i qeverisë, nga i cili aktualisht përfitojnë kryesisht projektet për ullirin dhe drurët frutorë, edhe të projekteve për agrobiznesin dhe ekoturizmin, pasi industria turistike është degë kryesore e ekonomisë.

KOMENTE