English

Berisha: Të nisë menjëherë regjistrimi i klubeve sportive të qyteteve kosovare

Kryeministri Berisha i kërkoi sot, ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që në bashkërendim me homologun nga Kosova të nisë regjistrimi i klubeve sportive të qyteteve kosovare, për organizimin e Ligës së Futbollit mbarëkombëtar.

“Kjo nuk mund të ketë implikim për përfaqësim ndërkombëtar, por ndeshjet vëllazërore nuk mund të mos i pranojmë dhe nuk mund të mos pranojmë se tifozët kuq e zi janë zgalema e mesazhit të bashkimit kombëtar,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha tha se do të diskutohet edhe vendosja e një mekanizmi financiar, duke përcaktuar një fond për Ligën e Futbollit mbarëkombëtar.

Lidhur me këtë çështje, Kryeministri u shpreh:

“Zoti ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të gjitha qytetet e vendit të nisin regjistrimin e klubeve sportive të qyteteve kosovare, në mënyrë që të marrë fund kjo lloj zhurme vulgare e këtyre internacionalistëve të shquar, që u mblodhën dhe nuk lanë mashtrim pa ia paraqitur shqiptarëve, se kjo nuk mund të bëhet. Ata t’i lëmë në pamundësinë e tyre, ne të bëjmë Ligën e Futbollit mbarëkombëtar. Natyrisht, e theksoj edhe një herë se kjo nuk mund të ketë implikim për përfaqësim ndërkombëtar, por ndeshjet vëllazërore nuk mund të mos i pranojmë dhe nuk mund të mos pranojmë se tifozët kuq e zi janë zgalema e mesazhit të bashkimit kombëtar.

Në një emision u shfaqën dy përfaqësues që jo Kosovën nuk përfaqësojnë, njëri ka qenë repist i mirë, por tani e ka lënë edhe repin, ndërsa tjetri është këshilltar i Edi Ramës për nacionalizmin, ndërsa unë e kam mik për kozmopolitizmin, i cili lexonte në emision mesazhin e Edi Ramës. Unë kam marrë me mijëra mesazhe nga Kosova që më thonë se ata veç vetes së tyre nuk përfaqësojnë askënd. Jo u thashë, Batoni përfaqëson Ramën.

Pasi kundërshtuan unifikimin e valëve, TVSH filloi transmetimin e televizionit publik të Kosovës, RTK-së, madje në HD. Tani nxjerrin shumë vështirësi për Ligën e Futbollit. Harry Fulc ka thënë një gjë shumë të bukur për shqiptarët dhe dua ta citoj, sepse çfarë na kanë thënë miqtë na shërben e duhet ta kemi parasysh: Këta janë njerëz të mrekullueshëm, kanë një inteligjencë të jashtëzakonshme, në kafenetë e tyre flitet më me mençuri e më me hollësi për politikën se në Washington, por problemi i tyre është se kur vjen puna tek interesi shoqëror, e kanë tmerrësisht të shkurtër dhe vetëm interesa personale.

Edhe këta që kundërshtojnë nuk kanë interes kombëtar, por interesa personale. Ata harrojnë se shqiptarët vijnë nga të katër anët e trojeve shqiptare për të mbështetur skuadrën këtu, apo shkojnë e skuqin stadiume europiane me zjarrin e idealit të bashkimit kombëtar në shpirt. Ndaj zoti Bumçi do të lidhesh me ministrin e Sportit në Kosovë dhe të fillojmë regjistrimin nga Gjirokastra deri në Kukës, të klubeve sportive të të gjitha qyteteve të trojeve etnike shqiptare. U dashka që Kukësi të marrë për të luajtur me Prizrenin?! A ka mendje njerëzore që e pranon këtë?! Natyrisht do të përcaktohen fonde. E vetmja gjë që qëndron në këtë çështje dhe jam dakord është se kjo nuk bëhet thjesht me vullnet të tyre, por kërkon një mekanizëm financimi. Ndaj qeveritë do të përcaktojnë fondin për Ligën e Futbollit mbarëkombëtar.”

***

Në hapje të mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Berisha veçoi nga rendi i ditës si shumë të rëndësishëm vendimin për miratimin në parim të marrëveshjes së përkohshme ndërmjet qeverisë shqiptare dhe TAP AG, në lidhje me projektin e gazsjellësit. Lidhur me këtë vendim, Kryeministri u shpreh se ky vendim “është i një rëndësie të jashtëzakonshme për TAP, projekt i cili po lëshon shtat gjithnjë e më shumë, si projekt që, siç jeni njohur, ka një mbështetje ndërkombëtare shumë të fuqishme e të gjerë. Një raport që u lexua me kënaqësinë më të madhe, ishte i një staferi të nderuar, por që ishte larg së shprehuri qëndrimin zyrtar të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj projekteve të mëdha energjetike në rajon e në botë.”

KOMENTE