Shtypi grek është shprehur i shqetësuar përsa i përket shitjes nga qeveria shqiptare të një prej hidrocentraleve më me peshë për veriun e Greqisë, atë të Bistrica 1.
Sipas shtypit grek, tashmë pronar i këtij hidrocentrali është bërë Turqia, gjë që i jep mundësinë që të ketë një kontroll akoma më të plotë mbi vedet e Ballkanit dhe konkretisht akoma më të thellë ndaj Greqisë sidomos në këtë krizë që ajo po kalon.
Shtypi grek thekson se strategjia turke është të kontrollojë popullsinë e Ballkanit, sidomos ata që kanë fronte të hapura me Greqinë, duke sjellë në vëmendje Kosovën. Në Kosovë ka dalë nga një organizatë e re turke e quajtur Bashkimi i Kulturës dhe Solidaritetit, që synon të promovojë miqësinë "shqiptaro-turke". Organizata që do të financohet nga shërbimi sekret do të themelojë konsullatën turke në Prishtinë. "Pas veprimtarive humane dhe sociale, shpesh fshihen objektivat më të fshehura dhe më të errëta", shkruan shtypi.
Ndërkohë që Greqia shqetësohet nga kontrolli i ekonomisë së saj prej Turqisë, Partia Socialiste është kundër shitjes së katër Hidrocentraleve të Ulzës, Shkopetit, Bistricës 1 dhe 2, ndërsa akuzon qeverinë për afera të dyshimta në procesin e privatizimit që po kryhet. Deputeti socialist, Eduard Shalsi gjatë një konference për shtyp sot paradite ka bërë një krahasim midis kapaciteteve dhe çmimeve respektive për Hidrocentralin e Lanabregasit dhe katër hidrocentraleve të sipërpërmendura. Sipas Shalsit nëse Lanabregasi u shit për një vlerë prej 3 milion euro për 1 megavatt fuqi të instaluar, katër hidrocentralet e tjetër po shiten për një vlerë prej prej 1.4 milion euro per 1 megavatt fuqi të instaluar. Krahasimi është i qartë 3 milion kundrejt 1.4 milion.
“Çfarë ka ndodhur? Si shpjegohet që e njëjta qeveri, i njëjti komision dhe të njëjtët njerëz përcaktojnë vlera kaq të ndryshme brenda një periudhe kohore 3 mujore? Le të shohim tabelën për të kuptuar më mirë se sa është shuma e vërtetë që do t’u mungojë shqiptarëve. 125 milion euro të humbura, shpërdorim i orkestruar i detyrës, grabitje të pronës publike. Ky është një informacion i thjeshtë, i qartë i kuptueshëm për cilindo” është shprehur deputeti Eduard Shalsi i cili e ka mbyllur deklaratën e tij duke ripërsëritur qëndrimin kundër kësaj shitjeje të PS-së si dhe duke paralajmëruar se në ditët në vazhdim do të jepen argumente të tjera se pse këto hidrocentrale nuk duhet të shiten dhe pse duhet të mbesin pronë publike.
*************
Këshilli i Ministrave ka miratuar me 9 janar, në mbledhjen e qeverisë privatizimin e hidrocentraleve Bistrica 1, Bistrica 2 dhe Ulzë-Shkopeti.
Fitues është shpallur kompania “Kurum International”, e cila ofroi më shumë për privatizimin e katër hidrocentraleve të ndara në dy paketa, Bistrica 1 dhe 2 më vete dhe Ulzë-Shkopetit. “Kurum International”, i blen këto HEC-e për shumën 109.5 milionë euro.