English

Kodër-Kamza, së shpejti super e urbanizuar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha i shoqëruar nga deputeti i zonës z. Aldo Bumçi dhe kryetari i Njësisë Bashkiake numër 11 z. Haki Mustafa, kanë inspektuar dje punimet për ndërtimin e unazës së Kodër-Kamzës, e cila u shërben 15 mijë banorëve, të një prej zonave të harruara prej vitesh nga Bashkia e Tiranës. Kjo rrugë e cila kalon në një zonë me ndërtime të reja, do të ketë të gjitha parametrat e nevojshëm, gjelbërim, ndriçim, trotuare në të dy anët e saj, rrjetin e kanalizimeve etj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha bëri të ditur se, një fond prej 1 milion dollarësh është në dispozicion të urbanizimit të kësaj zone.

“Ndër zonat e harruara dhe të diskriminuara të Tiranës padyshim në 10 vitet e fundit, ka qenë Njësia Bashkiake numër 11. Në vitin e fundit falë një bashkëpunimi midis Njësisë Bashkiake numër 11 dhe kryetarit të saj zotit Haki Mustafa, Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj, të Qeverisë shqiptare dhe kryetarit të saj, u vu në dispozicion një fond prej afro 1 milionë dollarësh.

Me anë të këtij fondi ne do të urbanizojmë plotësisht këtë pjesë të qytetit të Tiranës, do të sjellim parametra moderne të lëvizshmërisë së transportit në një pjesë të rëndësishme të rrjetit ekonomikë të qytetit, përkatësisht të një prej tregjeve të qytetit, duke përmirësuar cilësinë e jetës së banorëve të Tiranës që jetojnë këtu. Ne rikthejmë besimin tek çdo qytetarë i Tiranës, se Tirana as fillon dhe as mbaron me “Bllokun” dhe zonën rreth e qark shtëpisë së Kryetarit apo ish-Kryetarit. Ne po avancojmë me planet tona të investimit për një Tiranë moderne evropiane, e cila mund të jetë e tille nëse shtrihet në të gjithë territorin e saj, me këto parametra, me këto standarde” – u shpreh z. Lulzim Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka bërë të ditur se brenda disa javësh do të bëhet zhvendosja e tregut të gjësë së gjallë në zonën e Kasharit, ku do të ketë të gjitha parametrat e duhur për një treg të tillë. Sikundër zoti Basha tha se në këtë treg do të sistemohen tregtarët e kësaj njësie që sot tregtojnë në kushte jo normale siç janë ata përgjatë rrugës nacionale në Kodër-Kamëz.

“Këtu afër ndodhet edhe për pak ditë tregu i gjësë së gjallë, i cili ka luajtur funksionet e veta për këtë periudhë, por që faktikisht është kthyer një burim shqetësimi për banorët. Duke dëgjuar shqetësimet e tyre, të përcjella drejtpërdrejtë në zyrën time, por edhe nga kryetari i Njësisë Bashkiake numër 11, Bashkia e Tiranës ka marrë vendimin ta zhvendosë këtë treg, zhvendosje e cila do të kryhet në javët e ardhshme në bashkëpunim me komunën e Kasharit, ku do të bëhet edhe një sistemim më i mirë nën mbikëqyrjen rigoroze të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit dhe agjencive të tjera shtetërore për të garantuar një cilësi edhe më të lartë të tregtimit të mishit dhe të gjësë së gjallë. Ndërkohë që tregu këtu do të ripërshtatet për të përmirësuar kushtet e tregtarëve të Njësisë Bashkiake numër 11, të tregtarëve që ndodhen këtu afër arteries kryesore kombëtare të lëvizjes, por edhe ndonjë tregu tjetër, i cili mund të ndodhet në pozita jo të favorshme, qoftë nga pikëpamja e hapësirës, apo cilësisë së shërbimit që u ofron qytetarëve, qoftë nga pikëpamja e impaktit që ka tek trafiku brenda në qytetin e Tiranës.” - tha z. Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka shprehur vendosmërinë tij, për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të biznesit jo vetëm përmes reduktimit të tasave dhe tatimeve për bizneset që i paguajnë ato, por dhe me ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për ta.

Basha ka ironizuar dhe ish-kryebashkiakun Rama, i cili u premtoi tregtarëve ambulant, të cilët nuk paguajnë taksa se do t’ua heqë ato.

“Ky është një lajm i mirë për tregtarët e Laprakës, për të gjithë ata tregtarë të licencuar dhe që paguajnë taksat minimale, edhe për tregtarët ambulant që takoi dje zoti Rama dhe që nuk paguajnë asnjë taksë dhe që ai ju premtoi që t’ju hiqte taksën, që ata nuk paguajnë.

Në këtë kontekst dua të theksojë edhe njëherë vendosmërinë tonë për t’i ardhur në ndihmë komunitetit të biznesit të qytetit tonë, duke filluar nga biznesi i vogël, si punëdhënësi kryesor i qytetit dhe padyshim këto investime dhe shpërndarjen e tyre në mënyrë proporcionale janë dhe mbeten një nga garancitë kryesore, që për tej fjalëve, kjo Bashki është e vendosur me vepra, me fonde, me buxhet, t’i vi në ndihmë të gjithë qytetarëve të Tiranës, t’i vi në ndihmë ekonomisë së qytetit, për një jetë më të mirë dhe për shanse më të mira për punësim dhe mirëqënie.” - u shpreh z. Lulzim Basha.

Deputeti i zonës Aldo Bumçi ka falënderuar Bashkinë e Tiranës që i ka kthyer sytë nga njësia bashkiake numër 11, ku në një vit është zgjidhur problemi i furnizimit me ujë, sikundër është ndërhyrë në infrastrukturën e nevojshme rrugore dhe arsimore.

“Dëshiroj që të falënderoj Bashkinë e Tiranës, e cila për të disatën herë po rikthehet në të njëjtën zonë, në Kodër-Kamëz. Kemi investimin madhorë që është bërë për ujësjellësin. Kjo zonë nuk ka më probleme për ujësjellësin, siç po zgjidhet në pjesën më të madhe të njësisë numër 11. Investimi që po bëhet në kanale, janë dy kanale të rëndësishme që kanë krijuar probleme në zonën tonë, njëra që lidhet me Paskuqanin tjetri këtu afër, investim i Bashkisë Tiranë. Sot kemi këtë rrugë që krijon një unazë. Kemi inaguruar më përpara rrugën përgjatë shinave. Pra ka një kthim vëmendje në një kohë shumë të shkurtër. Bashkia e Tiranës ka më shumë se katër projekte për zonën e Kodër-Kamzës. Dëshiroj që të falënderoj Bashkinë për këtë vëmendje që i ka sjellë kësaj zone të harruar.” - u shpreh z. Bumçi.

Për kryetarin e njësisë bashkiake, unaza e Kodër-Kamzës do të ketë një impakt të madh tek banorët dhe një ndihmë në qarkullimin e 2000 nxënësve të shkollës 9- vjeçare të Kodër-Kamzës.

“Projekti që nis është një ndër projektet më madhorë që i bëhet deri tani njësisë 11. Ka një gjatësi prej 1400 m, ka një gjerësi rruga prej 7 m, gjerësi trotuare në të dyja anët e rrugës nga 1.5 m. Ka 2800 ml kanalizime të ujërave të bardha, është edhe ndriçimi i plotë në të dyja anët e rrugës dhe gjatë gjithë gjatësisë së saj. U shërben 15 mijë banorëve në këtë zonë. Mbi të gjitha është një shkollë e cila ka rreth 2000 nxënës dhe është kryesorë ky shërbim. Gjej rastin të falënderoj Kryetarin e Bashkisë për përkushtimin e jashtëzakonshëm që ka për zonën tonë. Për këtë vit në këtë zonë janë miratuar edhe pesë studime blloqesh, të cilat natyrisht do të fillojnë këtë vit, sipas premtimit të Kryetarit. Uroj që të na shikojë vazhdimisht me këtë sy që na ka parë deri më sot”. - u shpreh z. Mustafa.

KOMENTE