Partia Socialiste ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me zbatimin e gabuar të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. Zëvendëskryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, deputeti i PS, Fatmir Xhafaj nëpërmjet një letre zyrtare ka vënë në dijeni Presidentin e Republikës, njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe anëtarët e tjerë të KLD-së, se me vendimin e fundit të këtij institucioni është duke u shkelur në mënyrë të hapur ligji, i cili përcakton mënyrën sesi do të përzgjidhen gjykatësit e Gjykatës Administrative.
Në letrën e cila u është dërguar për dijeni edhe Delegacionit të Bashkimit Europian, Ambasadës së SHBA, Prezencës së OSBE-së, Këshillit të Europës, OPDAT-it dhe misionit Euralius III, thuhet se Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka marrë vendimin Nr.299/1, datë 30/11/2012 “Për Procedurat e Përzgjedhjes së Kandidatëve për Gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit”. Por ky vendim është në shkelje të hapur të ligjit. “Ligji nuk i ka dhënë në asnjë paragraf të tij të drejtën KLD-së të ngrejë një komision për fondin e pyetjeve të testimit. Kjo është një kompetencë ekskluzive e vetë Shkollës së Magjistraturës ashtu siç ajo bën në veprimtarinë e saj të përhershme. Neni 6 i vendimit të KLD-së është në kundërshtim me ligjin, i cili ka parashikuar qartazi se “Fondi i pyetjeve përgatitet nga Shkolla e Magjistraturës me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare’”, thuhet në letrën e Zëvendëskryetarit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj.
Sipas deputetit socialist, ligji i ka dhënë të drejtën KLD-së vetëm të drejtën për të caktuar një përfaqësues të saj (anëtar) në Komisionin e Administrimit të Testimit, por nuk i ka dhënë të drejtën që ai të jetë automatikisht edhe kryetar i këtij komisioni. Po ashtu ligji ka parashikuar qartë të drejtën dhe përgjegjësinë e organizimit të testimit nga ana e shkollës edhe për shkak të kapaciteteve që ajo ka në radhët e trupës së saj pedagogjike, por edhe për shkak të përvojës së saj në këtë fushë. “Përkundër kësaj fryme dhe tradite KLD me vendimin e tij ka marrë atributet e krijimit të komisionit, të caktimit të kryetarit të tij e për rrjedhojë edhe të organizimit të testimit !!!”, shkruan Xhafaj, i cili më poshtë vijon të rendisë shkeljet e hapura të KLD-së: “Në kundërshtim të hapur me ligjin, KLD ka caktuar znj. Flutura Kola (Tafaj), përfaqësuese e Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si anëtare të Komisionit të Fondit të Pyetjeve. Ligji nuk ia njeh aspak një të drejtë të tillë KLD-së dhe as nuk e përfshin Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës në këtë proces”.
Vendimi i KLD-së është marrë dhe trajtuar në kushtet e një mungese të plotë transparence. Në faqen zyrtare të këtij institucioni ky vendim nuk gjendet i publikuar ndërkohë që gjenden lloj-lloj njoftimesh, deklaratash për shtyp e vendime të marra në zbatim të këtij vendimi. Vendimi gjithashtu nuk gjendet i botuar edhe në Fletoren Zyrtare megjithëse ka kaluar mbi 1 muaj nga miratimi i tij. Partia Socialiste nëpërmjet e Zëvendëskryetarit të Komisionit për Çështjet Ligjore, e konsideron këtë zhvillim si “një përpjekje e qartë e drejtuesve të KLD-së dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të uzurpuar kompetenca dhe përgjegjësi që ligji nuk ua njeh, për të ndërtuar praktika e mekanizma abuzive që vendosin nën kontroll procesin e testimit dhe rezultatet e tij, me qëllimin e vetëm për të realizuar një përzgjedhje me orientim klientelist dhe politik të gjyqtarëve të gjykatave administrative”.
“Ky është një tjetër sinjal negativ që dëmton besueshmërinë e qytetarëve te drejtësia, luftën kundër korrupsionit në radhët e gjyqësorit dhe vet reformën në fushën e drejtësisë. Ky është një tjetër shembull se në vendin tonë përbën shqetësim jo mungesa e ligjit, por keqzbatimi i tij. Kur kjo bëhet nga njerëzit e drejtësisë dhe në institucionet e drejtësisë, situata është edhe më shumë shqetësuese”, thuhet në letrën e drejtuar Presidentit të Republikës, të cilit i kërkohet zyrtarisht që në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të ushtrojë të gjitha kompetencat e tij për të ndalur këtë praktikë antiligjore e arbitrare, për të ndërtuar një proces transparent, të konsultuar me faktorët përkatës dhe kryesorja në zbatim të ligjit, një proces që të gëzojë besueshmërinë e cilësinë e nevojshme.