English

Basha: infrastruktura në Tiranë do të ndryshojë tërësisht

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet e rrugës "Pandi Stillo". Kjo rrugë me një gjatësi 350m, gjerësi 6m, dhe me trotuarë në të dy anët e rrugës pritet të përfundojë në muajin prill. Herën e parë që Bashkia u kujtua për këtë zonë, rreth 5 vjet më parë e kushtëzoi urbanizimin e zonës, me prishjen e shtëpive të ndërtuara kryesisht nga të ardhur. Banorët asokohe i mbrojtën me jetën e tyre shtëpitë. Kryebashkiaku Basha i ka garantuar banorët, se do të bëhet urbanizimi i kësaj zone pa cënuar asnjë banesë.

“Para 5 vitesh, Bashkia e Tiranës erdhi këtu për të urbanizuar zonën nëpërmjet shkatërrimit të banesave, shtrimit të rrugëve dhe dhënies së lejeve të reja të ndërtimit. Me të drejtë, banorët u ngritën dhe thanë “shtëpitë tona i kemi ndërtuar me djersë, kërkojmë urbanizim por jo në kurriz të pronës sonë dhe sakrificës së familjarëve tanë”, ndaj dhe sot jam shumë i lumtur që Bashkia e Tiranës rikthehet pas 5 vitesh, tashmë jo për të kërcënuar pronat dhe shtëpitë e banorëve të kësaj zone por për të bërë urbanizimin e një blloku, i cili nga pikëpamja e pasurisë së banorëve, të pronave të banorëve, e popullimit nuk është më një bllok i ri por është një bllok prej disa dekadash në qytetin e Tiranës, i ngjashëm për nga mënyra e formësimit me blloqe të ndërtuara në këtë kryeqytet edhe 40, 50 apo 60 vite më parë, ndërkohë që për nga pikëpamja e infrastrukturës, për të cilën është me të vërtetë përgjegjëse Bashkia, i mbetur në një realitet të dhimbshëm, të pakrahasueshëm edhe me fshatra të thellë të Shqipërisë” – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Vlera e investimit është 35 milionë lekë. Projekti parashikon ndërtimin e rrjetit të plotë të kanalizimeve, ndriçimin dhe gjelbërimin.

"Premtimi është që në çdo cep të Tiranës, ne do të kemi një standard dhe sot kemi ardhur për të inspektuar fillimin e këtij standardi, pikërisht me rrugën “Pandi Stillo”, në njësinë bashkiake nr. 8, afër Bregut të Lumit. Punimet kanë filluar dhe do të përfundojnë brenda prillit, në këtë rrugë me gjatësi prej 350 metrash që do i shërbejë një komuniteti prej afro 2000 banorësh.

Fillimi i urbanizimit të këtij blloku që sinjalizohet nga kjo rrugë, e cila do të ndërtohet me të gjithë parametrat modernë, kanalizime, trotuare, ndriçim, gjelbërim e do të vazhdojë në vitin 2013 me urbanizimin e të gjithë bllokut” – u shpreh z. Basha.

Kryebashkiaku bëri të ditur se kjo zonë përfiton dhe nga projekti strategjik i bulevardit të ri dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës. Z. Basha bëri të ditur se të hënën do të jetë në Abu Dhabi, për të diskutuar mbi financimin me 50 milionë euro të projektit të rehabilitimit të lumit të Tiranës.

"Ne do të marrim të gjithë masat që kanalizimet e ujërave të zeza të kësaj zone, të lidhen me një kolektor të madh i cili do të ndërtohet përgjatë bregut jugor të lumit të Tiranës, si pjesë e një projekti gjigand, i transformimit të lumit të Tiranës, nga një katastrofë ekologjike, në një park të gjelbër rekreativ, jo vetëm për banorët e kësaj zone por për të gjithë qytetin e Tiranës. Kjo është edhe arsyeja se përse të hënën unë kam një takim me Fondin e Zhvillimit të Abu-Dhabit, me Emiratet e Bashkuara Arabe, ku më është premtuar ndihmë me një kredi prej 50 milionë eurosh, për fillimin e këtij projekti strategjik.

Përtej këtij nënstacioni, projekti nga “Grimshaw” parashikon vazhdimin e bulevardit të ri të Tiranës, pikërisht duke kryqëzuar pak më poshtë me lumin e Tiranës dhe duke vazhduar për në parkun e ri të Paskuqanit.

Pra, kjo zonë transformohet rrënjësisht, jo thjesht duke përmirësuar standardin dhe cilësinë e jetës së përditshme të qytetarëve por besoj brenda dy, tre viteve, duke u bërë një ndër zonat më të kërkuara për banim, në qytetin e Tiranës. Pra, siç thonë “i duruari, i fituari!”.

Z. Basha ka theksuar se infrastruktura në Tiranë do të ndryshojë tërësisht. Kryetari i Bashkisë tha se modele të tilla qeverisje nuk do të ekzistojnë më në Tiranë.

"Ndonëse unë do të kisha dëshiruar që sot këpucët tona të mos binin në këtë lloj balte, do të kisha dëshiruar që ky model të mos kishte ekzistuar, që të paktën këtu të ishin marrë disa masa për infrastrukturën por ky është fakt, sikundër është fakt që ne këtë situatë jo vetëm që nuk e pranojmë por do e ndryshojmë tërësisht dhe rrënjësisht, sikundër nuk do të pranojmë që kjo situatë apo situata të ngjashme me këto, të na shërbejnë si modele për të sotmen apo për të nesërmen".

KOMENTE