English

Lëvizja për Biznesin Social në Shqipëri

Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e konferencës “Lëvizja për Biznesin Social në Shqipëri”, pjesëmarrës në të cilën ishte dhe Profesor Muhammad Yunus, fitues i Çmimit Nobel për Paqen “për përpjekjet e tij për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe social të të varfërve nëpërmjet krijimit të bizneseve sociale”.

Kryeministri Berisha e vlerësoi si shumë të rëndësishme praninë e Prof. Yunus në këtë konferencë, si dhe i shprehu atij mirënjohje për përpjekjet mbinjerëzore për të aftësuar gratë dhe burrat në varfëri e vështirësi, për ndërtimin e një jete më të mirë. Duke e garantuar Prof. Yunus për mbështetjen nga ana e qeverisë në këtë nismë thellësisht njerëzore, Kryeministri Berisha u shpreh se do të ishte në interesin më të mirë dhe në dinjitetin më të madh edhe të sektorit konvencional që të bashkëpunonte në këtë sektor.

Nisur nga angazhimi i Prof. Yunus se varfëria mund të çrrënjoset, Kryeministri Berisha mori rastin e Shqipërisë, e cila njëzet vjet më parë ishte vendi më i varfër i planetit për të ardhura për frymë dhe falë reformave të thella e politikave të ndjekura u shkëput me shpejtësi nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta dhe është vendosur në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. “Shqipëria në vitin 2001 kishte një varfëri prej 38 përqind. Shqipëria në vitin 2008 kishte një varfëri prej 12.5 përqind. Shqipëria në vitin 2005 kishte një varfëri ekstreme prej 3.4 përqind dhe kjo zbriti 1.2 përqind në vitin 2008. U ndala në këto shifra, sepse varfëria mund dhe duhet të luftohet”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri e falënderoi edhe një herë Prof. Yunus për praninë dhe shprehu bindjen në suksesin në luftën kundër varfërisë, e cila në një shoqëri të lirë është armiku numër Një i qytetarëve të saj.

KOMENTE