Enti rregullator i Energjisë, në zbatim të nenit 7 të Ligjit Nr.9072, datë 22.05.2003, “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”; nenit 9 të Rregullores për Organizimin dhe Funksionimin e Brendshëm të Entit Rregullator të Energjisë të miratuar me vendimin Nr. 141, datë 24.12.2008 dhe nenit 14 të Rregullave të Praktikës dhe Proçedurave të ERE-s, ERE vendosi heqjen e licencës për grupin cek CEZ, i cili në 2009 bleu për 102 milion euro 76 përqind të aksioneve të shoqërisë shqiptare të shpërndarjes së energjisë. Ere, emëroi zotin Sait Dollapi në detyrën e administratorit të shoqërisë.
Zoti Dollapi ka qenë drejtor i operatorit të sistemit të shpërndarjes, deri në momentin e privatizimit nga çekët.
Ndërsa vtëm një ditë pas heqjes së licencës së kompanisë “CEZ Shpërndarje”, ka reaguar kryeministri i Republikës Çeke, Petr Neças.
“Republika Çeke nuk mund të injorojë qasjen e Shqipërisë ndaj një investitori çek, në kuadër të aspiratave të këtij vendi për t’u integruar në BE. Vendimi i autoriteteve shqiptare për t’i hequr licencën kompanisë CEZ, investitorit më të madh çek në rajon, është një sinjal shumë negativ”, deklaroi kryeministri çek.
Hapat e ndërmarra nga autoritetet shqiptare, për t’i hequr kompanisë çeke të drejtat mbi pronësinë e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, hedhin dyshime mbi angazhimin e Shqipërisë në krijimin e një shteti ligjor dhe shpresat e saj, që një ditë të anëtarësohet në BE”,
deklaroi kryeministri çek.
Kompania mëmë në Çeki deklaroi se ka nisur hapat ligjorë për të çuar çështjen në arbitrazh ndërkombëtar.