Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi, i dorëzoi letrat kredenciale në cilësinë e ambasadorit jo-rezident të Republikës së Kosovës në Principatën e Monakos.
Në një ceremoni shtetërore të zhvilluar në rezidencën zyrtare, ambasadori Kullashi ia dorëzoi letrat kredenciale Princit të Monakos, Alberti II, në praninë e autoriteteve të larta, ndër të cilët dhe këshilltari për Marrëdhënie me Jashtë, José Badia.
Të njëjtën ditë, letrat kredenciale, Princit Alberti II, ia kanë dorëzuar edhe ambasadori i Holandës dhe ambasadori i Nigerisë.
Akreditimi i ambasadorit Kullashi në Principatën e Monakos, është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike dhe forcimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Principatës së Monakos.