English

Autostrada Milot-Kukës-Morinë, pa pagesë dhe këtë pranverë

Pavarësisht paralajmërimeve të mediave në Shqipëri për dhënien me koncesion të autostradës Milot-Kukës-Morinë në janar të 2013-s, sipas pohimeve të zv.ministrit të Transporteve, Ernest Noka, nuk do të jepet as dhe këtë pranverë të 2013.

“Kemi dy koncesione të parashikuara në sistemin e rrjetit rrugor: njëra është për ndërtimin e autostradës Fushë-Krujë - Rrogozhinë. Nga Qeveria është aprovuar bonusi për kompaninë kroate që ka bërë propozimin. Ne po hartojmë dhe plotësojmë dokumentet e tenderit. Brenda janarit shpresojmë të shpallim tenderin për këtë aks të rëndësishëm. Koncesioni i dytë, që e kemi shpallur dhe është në përfundim e sipër, është për mirëmbajtjen dhe operimin e rrugës Milot-Rrëshen-Kalimash-Morinë, si dhe për problemet e erozionit dhe peizazhimit të të gjithë rrugës. Problematikat që kanë dalë gjatë gjithë këtyre viteve janë vlerësuar me 12 milionë euro, por janë futur të gjitha në këtë projekt, i cili është asistuar edhe nga IFC-ja. Nga janari e në vazhdim mendojmë të lidhim kontratën me kompaninë fituese që do të marrë me koncesion autostradën Milot-Kukës-Morinë, e cila do të ketë disa detyrime, jo vetëm për të vjelë të ardhura nga taksa, por edhe realizimin e investimeve të nevojshme, të cilat në vlerë shkojnë diku te 80-100 milionë euro”, u shpreh në Komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, zv ministri Noka.

KOMENTE