English

Elbasani feston 22 vjetorine e krijimit të Partisë Demokratike

Kryeministri Berisha, njëherësh Kryetar i Partisë Demokratike, përshëndeti sot takimin festiv në Pallatin e Sportit të qytetit të Elbasanit, për kremtimin e 22 vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike në këtë qytet.

Mes entuziazmit të qytetarëve të Elbasanit, të cilët kishin mbushur rrugët e këtij qyteti, Kryeministri Berisha u shpreh se sot, Partia Demokratike dhe kjo mazhorancë kremton 22 vjetorin e themelimit të saj, në Elbasan dhe në gjithë vendin, si forca politike, e cila shoqëroi zhvillimet më epokale duke e renditur Shqipërinë në një ndër vend e zhvilluara.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha bëri një përmbledhje të të gjitha përpjekjeve dhe hapave historikë të realizuar nga vendi ynë, nën drejtimin dhe vizionin e kësaj force politike dhe mazhorance në qeverisje, duke përmendur fillimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, më pas, anëtarësimin në Aleancën e Atlantikut të Veriut, realizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, përpjekjen e qeverisë për realizimin e reformave për marrjen e statusit të vendit kandidat, rritjen e rrogave dhe pensioneve, hapjen e vendeve të punës, mbështetjen e bizneseve si dhe shndërrimin e infrastrukturës, duke e bërë Shqipërinë një vend të denjë Evropian.

Kryeministri Berisha theksoi se shumë është bërë, por dhe shumë ka ende për tu bërë, ndaj ai kërkoi votën e shqiptarëve edhe për një mandat të tretë. “Ne sot njerëzisht trokasim në zemrën e çdo qytetari, trokasim me ndershmëri, sinqeritet dhe përulësi, kërkojmë votën, për një katër vjeçar tjetër, për të bërë Shqipërinë vend të zhvilluar, për të integruar Shqipërinë në Europë”, - u shpreh Kryeministri.

Ne jemi ndryshimi – Përpara! - tha kryeministri Berisha, - dhe do të shembim me 23 qershor murin e bllokimit, që ka ngritur kryetari i PS-së Edi Rama, duke mbrojtur pallatet dhe pasuritë e bashkëshortes dhe familjarëve të tij.

“Ne jemi ndryshimi, sepse çdo ditë, çdo vit ne përballemi me lumin e shqetësimeve tuaja të halleve dhe derteve tuaja, të familjeve dhe fëmijë tuaj, kurse tjetri e ka mendjen tek pallatet e familjes, e ka mendjen tek fshehja e pasurive, tek rezidencat në malin e Dajtit dhe pronat e familjes së tij. Ne i themi atij se, edhe mund të ndërtosh duke shfrytëzuar pushtetin pallatet e paligjshme për familjen tënde, por në kasafortën e Partisë Socialist, nuk do të mund ta fusësh kurrë pallatin dhe lejet e dhëna, në konflikt interesi”, - u shpreh Kryeministri.

KOMENTE