English

Pierre-Marcel Favre, nderohet me “Medaljen e Mirënjohjes” nga Nishani

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi sot botuesin, kritikun dhe gazetarin e njohur franko-zvicerian, Pierre-Marcel Favre, njëkohësisht edhe themeluesi dhe Presidenti i Nderit të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Gjenevë, me “Medaljen e Mirënjohjes”, me motivacionin: “Për kontributin e tij në botimin e librave historikë e politikë në gjuhën frënge, duke mundësuar njohjen në plan ndërkombëtar të realitetit shqiptar nën regjimin e diktaturës komuniste”.

Në ceremoninë e zhvilluar në Institucionin e Presidentit të Republikës ishin të pranishëm, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, Ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimin, Genc Pollo, Konsulli i Shqipërisë në Selanik, Riza Poda, Drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika si dhe një sërë personalitetesh të tjera publike.

Pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, Kryetari i Shtetit i dorëzoi Medaljen e Mirënjohjes zotit Pierre-Marcel Favre, duke vlerësuar lart veprimtarinë e tij, përkushtimin dhe kontributin e paçmuar në fushën e botimeve, të kritikës dhe veprimtarisë gazetareske.

Në fjalën e tij zoti Favre vuri në dukje se Zvicra dhe Shqipëria kanë shumë pika të përbashkëta e shumë ngjashmëri mes tyre, sa u përket territoreve të vogla të të dy vendeve dhe flamujve respektivë që përmbajnë ngjyrën e kuqe.

Botuesi Pierre-Marcel Favre, duke falenderuar Presidentin e Republikës për vlerësimin e përfundoi përshëndetjen e tij duke theksuar se “Jam sërish në Tiranë dhe më ka bërë jashtëzakonisht përshtypje ndryshimi dhe zhvillimi juaj ekonomik. Shqiptarët kanë meritë në ndërtimin dhe transformimin e vendit të tyre. Ju po më jepni një shpërblim jashtëzakonisht të madh. Është absolutisht e papritur dhe e mrekullueshme. Dëshiroj t’ju falenderoj përzemërsisht! Sigurisht që mund të mbështeteni tek unë për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë së re”.

KOMENTE