Kuadri rregullator i ”Spitalit autonom” i hartuar nga një grup ekspertësh , është diskutuar dje në 24 janar 2013 në një tryezë pune, ku merrnin pjesë përfaqësues të lartë të hartimit të Politikave Shëndetësore në Vend, drejtues të spitaleve më të mëdha, drejtues të Institutit të Kujdesit Shëndetësor dhe përfaqësues të USAID.
Ministri i Shëndetësisë z. Vangjel Tavo në hapje të këtij takimi ka theksuar rëndësinë e autonomisë spitalore, e cila pasyrohet drejtpërsëdrejti në rritje të cilësisë së shërbimeve ofruar pacientit dhe përmirësim të performancës spitalore në tërësi.
“Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH janë përqëndruar në punën për zhvillimet me tej të autonomisë së spitaleve, duke vlerësuar përvojën e përfituar deri tani nga ndryshimet e kryera si edhe pervojën ndërkombëtare.
Investimet e realizuara në vite e kanë bërë sektorin spitalor një sektor të kushtueshëm në sistemin e kujdesit shëndetësor, që zë 12-13% të shpenzimeve për shëndetësinë, pavarësisht faktit se ne kemi shumë vëmendje e kujdes për forcimin e sistemit të kujdesit shëndetësor parësor ( si niveli i parë i kujdesit për pacientet). Spitalet vazhdojnë të jenë një pjesë e rëndësishme e sistemit të kujdesit shëndetësor, që ofrojnë jo vetëm kujdes të specializuar, por edhe kujdes bazë”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë z. Tavo gjatë fjalës së tij.
Duke u ndalur në rëndësinë e autonomisë spitalore ministri Tavo nuk ka kursyer dhe kritikat në drejtim të spitaleve rajonale, që shpesh e kufizojne punën e tyre vetëm në referues të pacientëve drejt Tiranës.
“Zbatimi i autonomisë së spitaleve përmirëson performancën e spitaleve publike. Spitalet rajonale duhet të ofrojnë shërbime në përputhje më të mirë me nevojat e komunitetit, duhet të ketë më shumë përgjegjshmëri dhe transparencë, të hartohen e respektohen paketat e shërbimeve dhe të respektohet sistemi i referimit, pasi e kam theksuar disa herë që spitalet rajonale nuk duhet vetëm të referojnë raste në Tirane, por t’i shkojnë përgjegjësisë deri në fund, duhet të vazhdojë procesi i pakthyeshëm i akreditimit të institucioneve spitalore, për të krijuar një mjedis e treg të hapur e konkurent të shëndeti” është shprehur z. Tavo.
“Ministria e Shëndetësisë, synon të delegojë funksione e detyra strukturave drejtuese të spitaleve dhe ka si kusht kryesor suksesi përgatitjen e menaxherëve të spitaleve me synim përmirësimin e aftësive menaxheriale. “ Jemi në një proces të pakthyeshëm të rritjes së kapaciteteve menaxheriale të spitaleve tona. Po hartojmë një projekt të përbashkët me Fakultetin e Mjekësisë dhe Ministrinë e Arsimit për të hapur shkollën e menaxherëve të shëndetit publik. Qeveria sapo ka miratuar hapjen e Universitetit të Shkencave Mjekësore, që e formalizon më mirë këtë bashkëpunim. Ne synojmë e kërkojmë të rrisim kapacitetet dhe aftësite menaxheriale të drejtuesve të sistemit shëndetësor për të mundësuar mireadministrimin e spitaleve tona ne kushtet e një financimi jo të bollshëm por të mjaftueshëm” përfundoi fjalën e tij Ministri i Shëndetësisë .