Kryeministri Berisha priti dje, në një takim, një delegacion të kompanive nga Katari, të shoqëruar nga ambasadori i Katarit në Shqipëri zoti Yossef Bin Hassan Bin Yousef Al Saai.
Ambasadori i Katarit rikonfirmoi interesin që shteti i Katarit ka për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike përmes sipërmarrjeve të investimeve nga kompanitë katareze në Shqipëri. Kështu, edhe delegacioni përbëhej nga përfaqësues të kompanisë shtetërore për investimet Qatar Diar dhe nga kompani në fushën e energjisë dhe ujit, aviacionit, bujqësisë e minierave.
Kryeministri Berisha shprehu potencialin që Shqipëria ofron për investitorët katarezë në shumë fusha ekonomike me interes reciprok, sikurse në fushën e investimeve në pasuritë e paluajtshme, në fushën e energjisë për ndërtimin e hidrocentraleve, në fushën e bujqësisë në prodhimin e produkteve bujqësore e mbarështimin e gjedhëve. Potenciale zhvillimi paraqiten edhe në fushën e aviacionit, ku Kryeministri shprehu gatishmërinë për dhënien e lirisë së pestë të ajrit në bazë të marrëveshjes shtetërore mes Shqipërisë e Katarit. Kështu do të mundësohet fillimi i operimeve të Qatar Airways në Shqipëri.
Së fundmi, Kryeministri konfirmoi edhe njëherë angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të mundësuar iniciativa të suksesshme të investitorëve katarezë, në një mjedis ekonomik dhe rregullator liberal e tërheqës që Shqipëria ofron.