English

Berisha: Biznesmenë azerë, interes të madh për investime në Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha priti sot në mesdite zotin Azad Rahimov, Ministër i Rinisë dhe Sporteve të Azerbajxhanit. Ministri Rahimov u shpreh gjatë këtij takimi se ishte gati të nënshkruante Marrëveshjen e Përbashkët për Rininë dhe Sportet, që do t’i forconte akoma më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve në këto fusha.

Kryeministri Berisha i tha Ministrit të Rinisë dhe Sporteve të Azerbajxhanit se Shqipëria synon të ngrejë në një nivel të lartë dhe të forcojë bashkëpunimin me Azerbajxhanin, jo vetëm në këto dy fusha të rëndësishme, por në çdo fushë e veçanërisht në atë ekonomike, ku të dy vendet, theksoi Kryeministri Berisha, i pret një e ardhme akoma më e mirë dhe më e sigurt.

Ministri i Rinisë dhe Sporteve të Azerbajxhanit Azad Rahimov tha se në vizitën e tij po shoqërohej nga një grup biznesmenësh azerë, të cilët po shfaqnin interes të madh për investime në Shqipëri, nisur edhe nga taksat e ulëta që aplikohen këtu.

Kryeministri Berisha tha se Shqipëria është, në çdo fushë, joshëse për investitorët e huaj, por për ata nga Azerbajxhani veçanërisht në fushën energjetike dhe atë të turizmit.

Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha i kërkoi Ministrit të Rinisë dhe Sporteve të Azerbajxhanit Azad Rahimov t’i përcillte Presidentit Alijev ftesën e tij për të vizituar Shqipërinë.

KOMENTE