English

Rama: 300 ditët e para të qeverisjes, prioritet rivendosja e autoritetit të policisë në territor

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar menjëherë pas lajmit të rëndë për vrasjen e një kambisti në qytetin e Durrësit, me qëllim grabitjen e tij. Në një mesazh të faqen e tij në internet kreu i PS është shprehur: “Krimi godet përsëri! E vrasin për t’i marrë paratë! 300 ditët e para të qeverisjes prioritet rivendosja e autoritetit të policisë në territor. Yryshi i krimit është pasojë e rrënimit moral e profesional te policisë nga një kupole drejtuese e paaftë dhe e korruptuar. Yryshi i krimit është pasojë e rrënimit ekonomik e social që vijon përditë nën retë e propagandës së sukseseve imagjinare”.

Vrasja e 46-vjeçarit Fatmir Kotorja, vjen në një kohë kur krimi dhe kriminelët kanë marrë një epërsi të dukshme ndaj Policisë së Shtetit, e cila sipas kryesocialisti Rama është tradhtuar nga kupola drejtuese. Vetëm një ditë më parë, gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS, Kreu i kësaj partie i ka kushtuar pjesën kryesore të fjalimit të tij situatës së krimit dhe pasigurisë publike. “Superioriteti i krimit është fakt që provohet përditë, jo vetëm nga vrasjet, plagosjet, grabitjet, apo kontrabandimi me bekimin e zyrtarëve më të lartë të Ministrisë së Brendshme, por dhe nga rrënimi moral dhe profesional i Policisë së Shtetit, e cila është e tradhtuar në mision e vet dhe e shpërdoruar në gjithë strukturat e saj. Shëmbëlltyra e katandisjes së forcave të rendit në një trup pa kokë, është Ministri i Brendshëm, koka vetë”, u shpreh kreu i Partisë Socialiste gjatë fjalës së tij në Asamble. E nga ana tjetër angazhimi i parashikuar në programin për një Rilindje Shqiptare, është më se i qartë: “Në 300 ditët e para të qeverisjes sonë, ne do të realizojmë një plan që do t'i bëj shqiptarët të shohin me sytë e tyre një polici shteti që nuk e kanë parë asnjëherë. Në rrugën tonë të Rilindjes ne do t’ju japim qytetarëve provat e qarta të vënies së policisë së shtetit në shërbimin e tyre, si një garanci për sigurinë e tyre të jetës dhe të pronës dhe vendosjen e ligjit mbi territorin e Republikë së Shqipërisë”.

KOMENTE