Në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, u zhvillua dje takimi i Komitetit Drejtues të Projektit të Energjisë, POWERED. Projekti POWERED është projekt që përfshin rajonet e zonës së Adriatikut në Itali si Abruzzo, Puglia, Veneto, Marche, si dhe nga vendet si Shqipëria e Mali i Zi. Në këtë aktivitet kishte zyrtarë të lartë të këtyre rajoneve si dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mjedisit të Italisë.
Ky është një projekt ambicioz për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e centraleve energjetike, që funksionojnë duke shfrytëzuar erën dhe është i financuar nga Bashkimi Evropian me fondet e Projektit Ndërkufitar IPA-Adriatik 2007-2013 dhe kap një shifër mbi 4 milion euro.
Qëllimi i projektit është ti paraqesë vendeve dhe rajoneve përkatëse studimet e plota dhe të nxisë investimet private në detin Adriatik për shfrytëzimin e kësaj energjie, ku interes kanë treguar kompani serioze italiane.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është një partner kryesor në këtë aktivitet dhe ka mbështetur shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme nga burimet alternative, përfshirë dhe atë të erës.
METE ka dhënë disa autorizime për ndërtimin e centraleve të prodhimit të energjisë me erë, ndërsa theksoi rëndësinë që ka ndërtimi i linjave të transmetimit të energjisë nën-ujore midis Italisë dhe Shqipërisë. Këtë projekt e përshëndetën drejtuesit Teknik të Projektit nga Rajoni i Abruzzos, Prof. Renato Ricci dhe Antonio Sorgi.