Ambasada e Katarit i dhuroi sot Policisë së Shtetit 30 aparate fotografik dixhital, të cilat do të jenë në përdorim të shërbimeve të Policisë Rrugore dhe Patrullës së Përgjithshme. Ceremonia e rastit u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku ishin të pranishëm Zv/Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Z. Muhamet Rrumbullaku, Konsulli i Ambasadës së Katarit në Shqipëri, Z. Awadh Al – Hababi, si dhe drejtues dhe specialistë të Drejtorisë së Rendit Publik dhe Drejtorisë së Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit.
Gjatë kësaj ceremonie Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Sigurinë Publike, Z. Muhamet Rrumbullaku, duke shprehur falenderimet për Ambasadën e Katarit evidentoi rëndësinë e këtij donacioni, duke e cilësuar atë si një kontribut të vlefshëm në përmirësimin e standardeve të punës së shërbimeve të policisë në zbatimin e ligjit, në veçanti në fushën e qarkullimit rrugor.
“Është një ndihmë dhe kontribut mjaft i vlefshëm për rritjen e kapaciteteve profesionale të shërbimeve të policisë në përmbushjen e detyrave institucionale dhe shpreh bindjen se ky bashkëpunim do të vijojë dhe në të ardhmen për të bërë të mundur që strukturat e policisë të përdorin teknikat dhe teknologjitë bashkëkohore të policimit rrugor, në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë rrugore dhe rritjes së edukatës së përdoruesve të rrugës në zbatimin e legjislacionit rrugor.” – u shpreh Z. Rrumbullaku.
Ndërkohë Konsulli i Ambasadës së Katarit në Shqipëri, Z. Awadh Al – Hababi, shprehu vlerësimet e tij për rolin e Policisë së Shtetit në ruajtjen e sigurisë publike në vend, si dhe shprehu kënaqësinë që po ofrojnë këtë ndihmë për strukturat e Policisë së Shtetit.
“Më lejoni që në emër të Ambasadës së Katarit të shpreh kënaqësinë që ofrojmë këtë ndihmë modeste për përmirësimin e punës së policisë në shërbim të komunitetit.” – u shpreh Z. Al – Hababi.
Pajisja me këto aparate fotografike e Shërbimit të Patrullës së Përgjithshme dhe të Policisë Rrugore do të mundësojë që këto shërbime gjatë përmbushjes së detyrave të tyre funksionale të konstatojnë dhe të fiksojnë ato automjete, të cilat janë parkuar në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në Kodin rrugor, si dhe të dokumentojnë shkeljet e kryera nga kundravajtësit në fushën e qarkullimit rrugor dhe ti ndëshkojë ato në bazë të ligjit.
Po ashtu do të mundësohet ofrimi i një shërbimi më cilësor ndaj komunitetit, nëpërmjet pasqyrimit të mjeteve të ndëshkuara për këto shkelje administrative në sistemin elektronik e-gjoba, si dhe shmangia e subjektivitetit të punonjësve të policisë dhe rritja e transparencës së strukturave policore në drejtim të shërbimeve që ofrojnë për komunitetin.
Përmirësimi në vijimësi i standardeve të policimit nga shërbimet e policisë gjatë përmbushjes së detyrave institucionale është dhe do të mbetet një prioritet i Policisë së Shtetit.