English

Intervista e plotë e presidentit Nishani dhënë për TV “A1 Report”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dha një intervistë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në televizionin “A1 Report”.

Intervista e plotë që presidenti Nishani dha për “A1 Report” në datën 29 janar 2013
Gazetari Ilir Babaramo: Mirëmbrëma të gjithëve! Ndodhem në selinë e Kryetarit të Shtetit për të zhvilluar një intervistë me Presidentin e Republikës, zotin Bujar Nishani.
Zoti President, mirëmbrëma! Ju falenderoj për mundësinë që më krijuat!

Presidenti Nishani: Përshëndetje dhe mirë se keni ardhur!

Gazetari: Do të doja ta nisnim bisedën nga zhvillimet më të fundit në rajon, ku ngjarja më evidente, është ajo e Preshevës, heqjen e monumentit nga xhandarmëria serbe, qindra xhandarë që kishin shkuar për të hequr një monument që përkujtonte ushtarët e rënë në luftë të Ushtrisë Çlirimtare të Medvegjës, të Preshevës dhe Bujanovcit, një ngjarje që preku ndjenjat e shumë shqiptarëve, të gjithë shqiptarëve kudo, dhe shkaktoi dhe tension. Ju, këtë ngjarje tashmë e konsideroni të izoluar, të arkivuar apo ka lidhje me negociatat që zhvillohen mes serbëve dhe shqiptarëve për fatin e Mitrovicës së Veriut.

Presidenti Nishani: Së pari, ngjarja është një veprim i shëmtuar, një veprim tërësisht në dhunim të parimeve fondamentale dhe universale të të drejtave të njeriut, një akt i cili ka dhunuar parimet dhe të drejtat e minoritetit shqiptar në Serbi, një veprim tërësisht në kundërshtim flagrant dhe në shkelje të parimeve të Kartës së Autonomisë Lokale, ku botërisht dhe në parimet universale, autoritetet lokale, çdo vend demokratik, kanë të gjitha të drejtat e vendimmarrjes edhe mbi këto çështje. Është një veprim, i cili u krye tërësisht në një ambient provokativ ndaj komunitetit të shqiptarëve në Preshevë. Ajo që unë mund të them, ka të bëjë me faktin që akte të tilla, vendime dhe veprime të tilla, nuk ndihmojnë aspak në ambientin e komunikimit, të dialogut, të mirëbesimit, ambient i domosdoshëm për të gjitha vendet, për të gjitha komunitetet, për të gjitha nacionalitetet në Ballkan, por dhe në çdo vend tjetër të botës. Unë kam vlerësuar maksimalisht qëndrimin e qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, të autoriteteve dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal të shqiptarëve në Luginë. I nxis përsëri ata që të tregojnë maturi dhe të vijojnë të kërkojnë respektimin maksimal të të drejtave të tyre, të ushtrojnë të gjitha kompetencat që i takojnë një pushteti lokal, ashtu siç Shqipëria gjithmonë do të jetë jo vetëm e vëmendshme, por dhe do të ndjekë me kujdes respektimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata janë, do ta ngrejë zërin me forcë në të gjitha institucionet ndërkombëtare për të mbrojtur respektimin e këtyre të drejtave, por nga ana tjetër, unë mendoj që këto çështje asesi nuk mund të shërbejnë në radhë të parë për reagime të të njëjtit stil, pra për reagime të formës së dhunshme. Këto qëndrime nuk mund të kthehen në një resurs përfitues për ata që mendojnë të provokojnë dialogun që tashmë ka nisur midis Serbisë dhe Kosovës, midis këtyre dy shteteve fqinje me njëri-tjetrin. Por kjo është një çështje, e cila me siguri po ndiqet dhe ne mbështesim të gjithë hapat e ndërmarrë nga autoritetet lokale të komunitetit shqiptar në Serbi. Jam i bindur që shteti shqiptar dhe autoritetet shqiptare do të vazhdojnë të bëjnë të gjitha demarshet e përcaktuara në institucione ndërkombëtare për të kërkuar pikërisht atë që sot është fondamentale, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, liritë dhe të drejtat bazike të minoritetit shqiptar në Serbi, dhe mbi të gjitha, respektimin e Kartës së Autonomisë Lokale, që janë sot në hapësirën evropiane, në Bashkimin Evropian, vlerat dhe principet kryesore mbi të cilat një shoqëri që pretendon të jetë demokratike, mund dhe duhet të funksionojë. Pra, ky është këndvështrimi, të cilin unë ndaj me ju për këtë çështje.

Gazetari: Ndërkohë, ju thatë se autoritetet shqiptare të Preshevës vepruan shumë drejt, ndërkohë krejt të kundërtën ka thënë Kryeministri Thaçi. Ai u ka tërhequr vëmendjen publikisht atyre se duhet të kishin organizuar një qëndresë qytetare për të refuzuar, për të bërë të pamundur heqjen e këtij memoriali.

Presidenti Nishani: Unë jam i bindur në gjykimin tim dhe në besimin tim që, veprimi i autoriteteve lokale, por dhe i gjithë qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës ka qenë një qëndrim i matur, një qëndrim, i cili përkon me ato parime, të cilat qytetarët shqiptarë mbrojnë atje. Dhe hapa të mëtejshme të qeverisë lokale, të përfaqësuesve të shqiptarëve në Luginë, për ta zgjidhur çështjen mbi bazën e këtyre parimeve dhe angazhimeve të Konventave dhe të institucioneve ndërkombëtare, ku Serbia, Shqipëria dhe të gjitha vendet e tjera të Ballkanit janë palë, unë besoj që janë sjellja, vendimi dhe gjykimi më i mirë dhe i duhur.

Gazetari: Ka shumë vetë që besojnë se ajo çka ndodhi në Preshevë ishte një sinjal i Beogradit zyrtar për të ofruar një shkëmbim territoresh, le të themi që Presheva t’i bashkohet Kosovës, ndërsa Mitrovica e Veriut t’i bashkohet Serbisë. Ju e shikoni të mundshme këtë apo nuk ka më ndarje kufijsh, kufijtë janë definuar një herë e mirë?

Presidenti Nishani: Nëse ka një qasje dhe një ide të tillë për të shfrytëzuar veprime të tilla, për të iniciuar diskutime të tilla, unë besoj që janë të dështuara. Kufijtë në Ballkan janë përfundimisht të përcaktuara. Natyrisht shteti më i ri i krijuar është shteti i Kosovës, i cili është konsoliduar gjatë këtyre pesë viteve të pavarësisë së tij. Krijimi i atmosferës për të filluar dhe diskutuar për një rishikim të kufijve, do të krijonte një shqetësim dhe një destabilitet të papranueshëm për Ballkanin, për të gjitha kombet, për të gjitha vendet. Unë besoj që e shkuara e hidhur e rajonit tonë, e luftërave, e gjenocideve, e spastrimeve etnike, është mësimi më i mirë i historisë për të gjitha vendet, për të gjitha kombet, por edhe për vendet e nxehta, nëse ato ekzistojnë ende. Është një moment kur të gjitha kombet, të gjitha vendet, të gjitha shtetet, duhet të orientohen tek fryma e krijimit të besimit me njëri-tjetrin, besim i cili krijohet në radhë të parë përmes bashkëpunimit, dialogut midis njëri-tjetrit, përmes respektit reciprok. Ndaj, unë mendoj që teori dhe teza të tilla, të cilat mund të promovojnë idetë e një ndarje, të ndryshimeve territoriale, besoj që do të jenë tërësisht të dështuara. Ne shqiptarët, besoj që jemi të interesuar më shumë se kushdo tjetër për mosndryshimin e kufijve, për konsolidimin e vlerave tona. Është një fakt i pamohueshëm që faktori shqiptar sot në rajon është faktori kryesor dhe faktori më i rëndësishëm. Ky është një fakt për rajonin në tërësi, për arsye se faktori shqiptar në tërë historinë e tij, por më së shumti akoma, në objektivat dhe në të ardhmen e tij, ka në strategji dhe në fokus kontributin për stabilitetin, kontributin për paqen, kontributin për fqinjësinë e mirë. Ne jemi të interesuar që të gjitha fuqitë tona, të gjitha kontributet tona, të fokusohen tek zhvillimi ekonomik i vendeve tona. Po aq i rëndësishëm dhe domethënës është fakti që tashmë në Ballkan ka dy shtete shqiptare dhe unë besoj që është një arritje shumë e madhe, si për kombin shqiptar, por dhe për shqiptarët. Dhe është një mundësi tjetër e një kontributi më të drejtpërdrejtë dhe më të fuqishëm për stabilitetin, për garantimin e stabilitetit të rajonit. Prandaj, unë besoj që ky vizion i shqiptarëve është një vizion i një shoqërie të civilizuar, i një shoqërie të kulturuar, e cila shkon në harmoni të plotë me vlerat më të mira evropiane dhe me objektivat tanë më të rëndësishëm dhe strategjikë të së ardhmes.

Gazetari: Cilët janë këto objektiva strategjikë?

Presidenti Nishani: Objektiva strategjikë janë konsolidimi dhe përparimi i çështjes kombëtare shqiptare, që do të thotë i zhvillimit të shqiptarëve kudo që janë. Sa më të zhvilluar e të konsoliduar të jemi ekonomikisht, shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në Kosovë apo shqiptarët në Maqedoni, e kudo ku jetojnë, natyrisht kjo sjell drejtpërsëdrejti përparim ekonomik të të gjitha vendeve tona, që do të thotë, sjell një relaks në bashkëpunimin midis nesh, që do të thotë, sjell hapësira të reja të ecjes përpara.

Gazetari: Për të qenë më i drejtpërdrejtë, zoti President, shumë nga protagonistët e politikës shqiptare, sidomos tani edhe me afrimin e zgjedhjeve, flasin për bashkim të shqiptarëve. Por, ju si Kryetar shteti, që jeni përtej, nuk jeni më në garë elektorale. Ju si e shikoni bashkimin e shqiptarëve? E shikoni bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm dhe pastaj integrimin e tyre në Bashkimin Evropian apo bashkimi i tyre të bëhet në mënyrë të natyrshme kur të dyja këto vende, Shqipëria dhe Kosova të hyjnë, të anëtarësohen në hapësirën evropiane?

Presidenti Nishani: Po, fatmirësisht, edhe qëndrimi i palëve politike në Shqipëri ka qenë mjaft i qartë në artikulim dhe në ide, të cilët e shohin çështjen kombëtare shqiptare në kuadrin e integrimit evropian. Nëse vijmë për ta elaboruar pak më tej në detaje, brenda të cilit qëndron dhe vizioni dhe këndvështrimi i Presidentit të Republikës, mund t’ju them që fatmirësisht shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, Shqipëria, Kosova, por dhe vende të tjera ku jetojnë shqiptarët, siç është Maqedonia, Mali i Zi, apo dhe Serbia vetë, ku jetojnë shqiptarë në Luginën e Preshevës, janë të gjitha të përfshira në një proces që është procesi i integrimit evropian. Unë nuk shoh që paralelisht me procesin e integrimit evropian, të ketë procese të tjera. Nuk mund të ecet me dy procese të ndryshme paralelisht me njëri-tjetrin. Ndaj, është krejt e qartë, qëndrimi që ka Shqipëria si shtet, por natyrisht qëndrim i cili reflekton qëndrimin e aktorëve publikë, politikë në radhë të parë, që, përmes procesit të integrimit evropian, natyrisht do të vijë, dhe ajo që ne e perceptojmë si çështje të bashkimit kombëtar apo çështje të ndriçimit tonë dhe të zhvillimit tonë kombëtar. Ndaj, unë e shoh të pandashëm edhe qëndrimin tim nga qëndrimi në tërësi i institucioneve shqiptare, i klasës politike shqiptare, por dhe i asaj të shqiptarëve të Kosovës. Pra, duke ecur në këto procese, të cilat janë rruga e vetme mbi të cilën ne do të realizojmë atë objektiv kombëtar që ne kemi, është rruga më e sigurt, më e mirë e mundshme, më e shkurtër dhe më e konsoliduara e mundshme.

Gazetari: A ju duket se kjo që thoni ju është pak ndryshe nga ajo që deklaron qeveria dhe Kryeministri, i cili, sipas shumë vetëve, për sa i përket bashkimit të shqiptarëve, ka një qasje pak fort politike, p.sh., për bashkimin e artikuluar nga Kryeministri, që nis me një ligë të përbashkët futbolli apo me transmetimin e televizioneve të Kosovës në Shqipëri dhe të Shqipërisë në Kosovë. Në këtë linjë, nëse i shtojmë dhe shifrat, kur importet shqiptare në Kosovë janë vetëm 5%, në kohën kur nuk kemi ende një sistem unik energjetik dhe ju e dini më mirë se unë, zoti President, se një nga çështjet më të rëndësishme të sovranitetit është energjia, dhe ne ende nuk kemi një sistem energjetik unik, çka mund të ishte një zgjidhje më afër asaj idesë suaj që jeni për një bashkim ekonomik të shqiptarëve.

Presidenti Nishani: Së pari, natyrisht pa hyrë në interpretimin e deklaratave, as të Kryeministrit, as të kryetarit të opozitës, çka normalisht nuk mund t’i lejohet një Presidenti Republike, mund t’ju them që nuk kam parë asnjë ndryshim, asnjë dallim në deklaratat e qeverisë apo të Kryeministrit, nga ajo çka unë shpreha. Dhe fatmirësisht, në tërësi politika shqiptare është e sinkronizuar për sa i takon çështjeve të politikës së jashtme. Dhe natyrisht, për Shqipërinë në politikën e jashtme, vëmendja kryesore është tek çështjet e rajonit, tek bashkëpunimi rajonal. Dhe ky është një shans në tërësi për Shqipërinë, pasi të gjitha palët janë të orientuara tek ato vlera që unë përmenda deri më tash: tek respekti i tjetrit, tek fqinjësia e mirë, tek bashkëpunimi. Por, çështjet që ju cekët, së pari, elementët qoftë të krijimit të një atmosfere bashkëpunimi në fushën e sportit, të kulturës, apo të unifikimit të abetares që janë hapa që janë ndërmarrë kohët e fundit, apo të rrjetit telefonik që ju përmendët, janë të gjitha çështje të cilat nuk kanë të bëjnë me teoritë që tentojnë të frenojnë, le të themi, zhvillimin e shqiptarëve, duke e konsideruar krijimin e Shqipërisë së Madhe, apo teorira tërësisht në kundërshtim me objektivat strategjikë të Shqipërisë, janë elementë të cilët në tërësi sot janë të aplikueshme edhe në vende të tjera, dhe në eksperiencat e vendeve të tjera. Pra, akte dhe veprimtari të tilla nuk synojnë të ndryshojnë as kufijtë, nuk kanë të bëjnë as me ndryshimin e institucioneve të shteteve, unifikimin e institucioneve të shteteve, por natyrisht kjo lidhet me një lloj konsolidimi të vlerave të përbashkëta të kulturës që ne kemi, si shqiptarë që jemi, kudo që ndodhemi. Çështja që ju prekët në aspektin e tregut është një çështje fondamentale, dhe kjo është pjesa për të cilën ne kemi përgjegjësi të fokusohemi më shumë. Në atë çka ju e cilësuat si treg i përbashkët energjetik, në fakt, në gjykimin tim, unë mendoj se për sa i takon energjetikës, si Shqipëria dhe Kosova, do të kishin interes më të madh dhe përfitim më të madh, nëse këtë treg e shikonin pak më gjerë, në një nivel më të gjerë, në një nivel rajonal, duke pasur parasysh tregun që ne kemi. Dhe unë besoj që do të jetë në përfitim të shqiptarëve në radhë të parë, por dhe të gjithë vendeve të tjera, nëse ne shkojmë drejt zhvillimit të një strategjie, të një tregu të përbashkët rajonal në energjetikë.

Gazetari: Që do të thotë? Kush do të jetë? Dhe vende të tjera të rajonit, si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia?

Presidenti Nishani: Të gjitha vendet që kanë interes, padyshim. Dhe natyrisht të gjitha vendet e Ballkanit janë të interesuara për të pasur dhe për të koordinuar çështjet e energjisë. Dhe unë besoj që përfitimi më i madh do të jetë i shqiptarëve, pasi do të përbënin tregun kryesor, duke pasur parasysh edhe resurset e diversifikuara që ka Shqipëria dhe Kosova, kam parasysh prodhimin e energjisë që vjen nga hidrocentralet në Shqipëri dhe termocentralin e Kosovës. Por, ajo që unë besoj, është se të dyja qeveritë e dy vendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës, kanë si sfidë madhore, pikërisht unifikimin e një tregu ekonomik. Unë, gjatë vizitës që pata në Kosovë, sapo isha zgjedhur President i Republikës, e trajtova me preokupim këtë çështje dhe mbeta mjaft i kënaqur sepse gjeta po të njëjtin angazhim edhe nga përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës, që nga Kryeministri i Kosovës, nga Ministrja për Tregti e Kosovës, dhe u informova që tashmë është gati të nisë funksionimi i një komiteti të përbashkët ndërqeveritar për çështjet e ekonomisë.

Gazetari: Ende nuk është krijuar një komitet i përbashkët?

Presidenti Nishani: Është krijuar dhe nuk di t’ju them në këto momente se sa ka filluar të funksionojë dhe çfarë çështjesh po trajton. Por ishte qartazi i arritur një akord për ta pasur këtë komitet të përbashkët.

Gazetari: Dhe cila do të jetë agjenda e këtij komiteti?

Presidenti Nishani: Natyrisht, kjo i mbetet dy qeverive për ta përcaktuar dhe për ta ndjekur, por unë mund të them që është sfidë kryesore e zhvillimeve tona dhe është një nga çështjet që do t’i shërbejë asaj që themi ne, çështja kombëtare, më mirë se çdo çështje tjetër. Pra, në mënyrë paralele me zhvillimet në aspektin kulturor të traditës, të vlerave tona, të arsimit, prioritare do të mbetet zhvillimi ekonomik, i një lloj koordinimi, pse jo dhe i orientimit të mënyrës se si do të zhvillohet ekonomia dhe tregu në Shqipëri, në Kosovë, por dhe në hapësirat e tjera shqiptare. Pra, unë besoj që, ky është objektivi më i afërt afatshkurtër dhe afatmesëm, që mund t’i shërbejë çështjes sonë kombëtare. Këtu keni plotësisht të drejtë dhe unë këtu mezi pres të shoh përparim dhe një dinamikë shumë më të madhe të çështjes.

Gazetari: Ju thatë që ky është mendimi juaj dhe nuk keni parë asgjë të keqe në deklaratat e Kryeministrit apo të zyrtarëve të tjerë. Por, a ka një koordinim, se mund të ndodhë si në shumë vende ku ndodh që një tjetër qëndrim mban Kryetari i shtetit dhe një tjetër qëndrim mban Kryeministri. Në rastin konkret, në situatën e krijuar, ka një qëndrim të unifikuar, konsultoheni paraprakisht?

Presidenti Nishani: Pa diskutim. Është përgjegjësi dhe detyrë kushtetuese e Presidentit të Republikës dhe e qeverisë të konsultohen dhe të harmonizohen me qëndrime të tilla, madje në çështje të veçanta edhe me opozitën, përderisa bëhet fjalë për çështje dhe qëndrime të rëndësisë kombëtare. Dhe kushdo mund t’i referohet qëndrimit zyrtar që ka pasur Presidenti i Republikës në Bashkimin Evropian. Janë deklarata zyrtare të paraqitura nga Presidenti i Republikës.

Gazetari: Jeni konsultuar dhe me opozitën?

Presidenti Nishani: Mund të shikoni qëndrimin që ka mbajtur Presidenti i Republikës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku është përcjellë qëndrimi i shtetit shqiptar, po ashtu në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dhe të gjitha qëndrimet që ka mbajtur dhe deklaratat zyrtare të Presidentit të Republikës janë të harmonizuara dhe të konsoliduara me qeverinë shqiptare. Dhe natyrisht, i kam gjetur dhe qëndrimet e opozitës tërësisht në përputhje me këto qëndrime.

Gazetari: Kush është nukli që e organizon këtë? Kush e përcakton, Ministria e Jashtme, Kryeministria apo Zyra juaj?

Presidenti Nishani: Ministria e Jashtme, natyrisht. Ministria e Jashtme është pjesa e koordinimit. Unë kam takime të rregullta javore me Ministrin e Jashtëm, por natyrisht, në konsulta të vazhdueshme edhe me Kryeministrin, dhe besoj që këto do të jenë çështje të një diskutimi me të gjithë aktorët e rëndësishëm politikë në vend.

Gazetari: Pra, zoti Berisha i ka sqaruar, besoj se i kanë keqkuptuar ndërkombëtarët deklaratat e tij të fundit?

Presidenti Nishani: Por, nuk besoj që ka vend për raporte sqarimi apo elaborimi, por natyrisht që qëndrimet zyrtare dhe të gjitha deklaratat zyrtare, janë në këtë frymë, në këtë koncept, në këto parime dhe në këtë vizion që rendita deri më tash.

Gazetari: Një ide interesante, e hedhur nga zoti Berisha, është ajo e pasaportës për të gjithë shqiptarët. Zyra juaj, Zyra e Kryetarit të Shtetit i lëshon këto pasaporta. Në çfarë stadi jeni me këtë qëndrim?

Presidenti Nishani: Bëhet fjalë për dhënien e nënshtetësisë?

Gazetari: Nënshtetësinë.

Presidenti Nishani: Në të gjitha rastet që ka pasur kërkesa, të bazuara në ligjin aktual “Për shtetësinë” që kemi ne, të ardhur nga shqiptarë, por jo vetëm, se nuk kemi raste që vijnë kërkesa vetëm nga shqiptarët, kemi dhe nga qytetarë të tjerë të nacionaliteteve të tjera, për shqiptarët në të gjitha rastet, Presidenti i Republikës nuk ka hezituar dhe nuk do të hezitojë në asnjë rast që do të vijnë kërkesat, sipas legjislacionit aktual. Kam mendimin që ligji aktual duhet të bëhet më fleksibël dhe më i lehtë.

Gazetari: Në çfarë drejtimi?

Presidenti Nishani: Natyrisht që ka shqiptarë në diasporë kryesisht. Pasi jemi të ndërgjegjshëm që ka një ndryshim midis shqiptarëve që janë tashmë në Kosovë, që kanë shtetin e tyre, dhe janë në proceset e integrimit edhe ata në hapësirën evropiane, janë në proceset e respektimit të kritereve dhe të parimeve që i kërkohen një vendi, që përfshihet në procesin sidomos të Stabilizim-Asociimit deri në atë të integrimit e me radhë. Por, për rastet e shqiptarëve të diasporës që jetojnë në Amerikë, që jetojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian apo në vende të tjera, unë besoj që ne duhet të krijojmë një lehtësi shumë herë më të madhe për të shmangur disa kritere shumë burokratike dhe të ngurta që janë në ligjin aktual.

Gazetari: Sa pasaporta për shtetasit e Kosovës janë dhënë deri tani? Sa kanë marrë shtetësinë shqiptare shtetas të Kosovës?

Presidenti Nishani: Gjatë vitit të kaluar në tërësi numri i tyre ka qenë rreth 320 apo 330 nënshtetësi të dhëna, ku gati le të themi, 70% e tyre janë të shqiptarëve në tërësi. Nuk mund të bëj dot diferencë se sa janë shqiptarë të Kosovës, sa janë të diasporës, sepse ne nuk bëjmë një dallim të tillë dhe nuk bëjmë një statistikë të tillë. Por, natyrisht që nuk është ndonjë shifër e konsiderueshme, apo shumë e madhe, për hapësirën e një viti.

Gazetari: Ndërkohë, sa kërkesa ka?

Presidenti Nishani: Për lënien e nënshtetësisë është pothuajse e njëjta shifër.

Gazetari: Jo, për marrjen e shtetësisë shqiptare.

Presidenti Nishani: Kjo pra ishte.

Gazetari: Thatë për vitin e kaluar.

Presidenti Nishani: Për vitin e kaluar, po.

Gazetari: Por ndërkohë, ka kërkesa? Sepse kam përshtypjen…

Presidenti Nishani: Natyrisht që vijojnë, por jemi ende në fillimin e vitit dhe nuk mund të flasim për një statistikë vjetore të vitit që sapo ka nisur.

Gazetari: Ju mendoni, do ketë një ritëm të përshpejtuar të dhënies së shtetësisë shqiptare apo do të vazhdojë me të njëjtat ritme?

Presidenti Nishani: Unë besoj që ritmet do të mbeten të njëjta, por, edhe njëherë, mbetem i bindur që, për shqiptarët, qytetarët me kombësi shqiptare që jetojnë në diasporë, ligji duhet të jetë më fleksibël.

Gazetari: Që do të thotë?

Presidenti Nishani: Që do të thotë, për shembull, nëse i kërkohet një qytetari që të jetojë 5 vite në Shqipëri, unë besoj që ky është një kriter që nuk ka pse të jetë për një qytetar shqiptar, të kombësisë shqiptare, i cili jeton në një vend të Evropës apo në një vend tjetër dhe ka të gjithë afeksionin dhe dëshirën për të pasur edhe pasaportën shqiptare. Nuk besoj pse, nuk është normale që t’i kërkohet që të jetojë 5 vite pa ndërprerje në Shqipëri që të marrë pastaj këtë pasaportë.

Gazetari: Në fakt, zoti President, shtetësia ka, të ofron edhe të drejta, por të ofron edhe detyrime, këta shtetas shqiptarë që kanë marrë në mënyrë të natyralizuar shtetësinë shqiptare, a paguajnë taksa dhe a votojnë?

Presidenti Nishani: Pa dyshim që ata kanë detyrën dhe detyrim për të paguar taksa, sepse në fund të fundit, ata kanë një banesë në Shqipëri. Për ata që kanë aktivitete publike dhe aktivitete ekonomike, natyrisht që janë organet përkatëse që u vjelin taksat, kanë dhe të drejtën e votës, nëse ata dëshirojnë të votojnë. Për sa kohë janë nënshtetas në regjistrin civil, gëzojnë të gjitha të drejtat civile.

Gazetari: Për ta mbyllur këtë çështje, pra, jemi ende larg atij premtimit: “Shtetësi shqiptare për të gjithë shqiptarët, kudo ku janë!”?

Presidenti Nishani: Nuk e di se cili është kuptimi i drejtpërdrejt i kësaj që thatë ju, por aq sa e kam kuptuar dhe me sa kam identifikuar në jetën publike shqiptare, është kjo, të lehtësojmë maksimalisht kriteret ligjore për shqiptarët, veçanërisht për ata që janë në diasporë. Natyrisht, që për shqiptarët e Kosovës ka disa specifika të veçanta. Thashë, këto janë drejtpërdrejt të lidhura me interesat në radhë të parë të qytetarëve të Kosovës, të shtetit të Kosovës dhe të institucioneve për hapat e domosdoshëm që ata janë duke ndërmarrë në proceset e Stabilizim-Asociimit të integrimit.

Gazetari: Po kjo dhënie masive e shtetësisë, a mos ndoshta ndikon në shpopullimin e zonave sensitive shqiptare, siç është p.sh. Presheva, mund të jetë Presheva, ose në Maqedoni, ku janë qytete me popullsi mikse, gjysmë shqiptarë e gjysmë maqedonas. Në qoftë se u jepet shtetësi në mënyrë të tillë masive, a kemi të bëjmë me një formë tunduese të tyre për t’u zhvendosur, për t’u shpërngulur nga aty ku janë dhe për të ardhur në Shqipëri?

Presidenti Nishani: Së pari, askush nuk e pengon asnjë person, edhe duke mos pasur nënshtetësi, të largohet nga vendi ku banon. Nëse shqiptarët, po themi, në Luginën e Preshevës, nuk kanë atdhedashuri, atë patriotizëm, atë ndjenjë kombëtare që ata kanë, nuk i mban dot aty me shtetësi apo pa shtetësi. Këtu nuk bëhet fjalë për t’i dhënë nënshtetësinë me detyrim dikujt. Procesi fillon me një kërkesë vullnetare, me një dëshirë. Pra, marrja e një nënshtetësie apo një pasaporte, nuk nënkupton aspak lëvizjen nga vendbanimi. Sot, lëvizja e lirë, parimet themelore të lëvizjes së lirë janë të tilla që natyrisht çdo njeri jeton aty ku ka pronën e tij, ku ka vendin e tij, ku ka tokën e tij, por për të lëvizur, duhet të lëvizë në mënyrë të lirë për arsye biznesi, për arsye turizmi, për arsye sociale. Pra, unë nuk shoh asnjë lloj korrelacioni midis këtyre dy çështjeve.

Gazetari: Ndërrojmë argument, zoti President. Do të doja të flisnim për zgjedhjet. Fushata duket se në mënyrë ende jo zyrtare, por ‘de facto’ ka nisur. Si e shikoni këtë prag elektoral? Dhe mbi të gjitha, a mendoni se do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme?

Presidenti Nishani: Së pari, unë mendoj që është përgjegjësi dhe detyrim i palëve politike, i aktorëve politikë ndaj vendit, ndaj shoqërisë, ndaj Kushtetutës, por mbi të gjitha ndaj objektivave strategjikë të së ardhmes së vendit, që të tregojnë përgjegjshmëri dhe pjekuri në ballafaqimin në garë elektorale. Që do të thotë, unë do të mirëprisja dhe jam i bindur që çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike, përkatësisë partiake, do të mirëpriste një fushatë të bazuar tërësisht në platforma qeverisjeje, në ide, se si mund të zhvillohet ekonomia, si mund të promovohet kultura, si mund të konsolidohet turizmi, si mund të forcohet zhvillimi social, përkujdesja sociale, infrastruktura. Pra, unë besoj që kjo është pjesë e përgjegjësisë së klasës politike, që të orientojë tërësisht fushatën elektorale, garimin, ballafaqimin, kundërshtimin me palën tjetër, bazuar në këto parime, në këtë filozofi, në këtë mentalitet dhe në këtë lloj dinamike, larg një fjalori të ashpër dhe personal. Por, pyetjes suaj, a kam besim që do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, unë ju them me gjithë besimin tim: Po! Kam besim, sepse në radhë të parë, janë të gjitha arsyet dhe rrethanat për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe brenda standardeve. Pse e them, janë të gjitha rrethanat. Nisur nga problematikat që ne kemi pasur në të shkuarën dhe i kemi ngritur në debat shumë të madh, dhe jo pa të drejtë, rreth shqetësimeve që sillnin listat e votuesve, sot janë të gjitha mundësitë që të kemi lista shumë korrekte votuesish, pasi kemi vetëm një burim, nga i cili ato gjenerojnë dhe ndërtohen, që është regjistri elektronik i shtetasve. Dhe ku dy aktorë, qeveria qendrore dhe qeveria lokale janë të përfshira në hartimin dhe ndërtimin e listave të votuesve. Pra, kemi një përgjegjësi të përbashkët të qeverisë përmes Ministrisë së Brendshme, ku është Drejtoria e Gjendjes Civile, si pjesë e saj, dhe kryetarëve të komunave dhe bashkive, që kanë dhe ata të gjithë tagrin për të qenë pjesë e hartimit dhe publikimit të listave të votuesve. Ka një hapësirë të mjaftueshme, gjykoj unë, për çdo qytetar, që të verifikojë problematika të ndryshme që mund të ketë, gabime të ndryshme që mund të ekzistojnë në listat e votuesve, dhe që ato të korrigjohe. Nuk mund të mohojmë që kemi pasur probleme serioze dhe që kanë ngritur jo pa të drejtë debatin politik midis palëve për dokumentet e identifikimit të votuesve. Çertifikatat e famshme të lindjes ishin një dokument krejt i pabesueshëm dhe lehtësisht i manipulueshëm. Unë besoj që tashmë përmes pasaportës biometrike dhe kartës së identitetit elektronik, kemi krijuar një bazë shumë të sigurt të identifikimit të votuesve. Nuk mund të them që s’kemi pasur probleme serioze me numërimin e fletëve të votimit, ku jo vetëm në zonat rurale, por edhe në qytetet kryesore, kur bëhej numërimi në qendrën e votimit, krijoheshin konflikte të paqena dhe mjaft akte që deformonin vullnetin e qytetarëve. Krijimi tashmë i ambienteve të përbashkëta, ku grumbullohen dhe numërohen këto fletë votimi, aq më tepër futja e praktikave të tilla, si skanimi apo prania e të gjithë përfaqësuesve të palëve, monitorëve, medias, unë besoj se ka rritur maksimalisht transparencën në procesin e votimit. A kemi sfida? Shumë të mëdha. Dhe një nga sfidat që unë konsideroj, ka të bëjë pikërisht me atë që është pjesë e kulturës politike, me sjelljen politike të palëve politike. Unë përmenda pak pjesën gjatë fushatës elektorale, por kryesisht mbas rezultatit të zgjedhjeve. Pra, nëse, le të themi, arbitri, nëse e quaj kështu, i cili ka të drejtën dhe është njohur ndërkombëtarisht për të përcaktuar plotësimin ose jo të standardit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në një vend demokratik që janë institucione të tilla, si OSBE dhe ODHIR-i, Parlamenti Evropian, Departamenti i Shtetit, konsiderojnë që zgjedhjet janë të lira, të ndershme dhe kanë përmbushur standardet e kërkuara, atëherë palët duhet të pranojnë rezultatin. Natyrisht që do të ketë një mazhorancë dhe një opozitë. Nuk preferoj të quaj një fitues apo një humbës, se unë mendoj që ne nuk duhet të shkojmë drejt kësaj kulture për ta perceptuar kështu rezultatin e zgjedhjeve, njërin si fitues dhe tjetrin si humbës. Unë mendoj që mazhoranca që del nga një palë zgjedhjeje, ka përgjegjësi më të mëdha në aspektin e marrjes së detyrave për zhvillimin e vendit dhe të ofrimit të bashkëpunimit për opozitën. Nga ana tjetër, opozitën nuk e konsideroj si një humbëse. Përkundrazi, e konsideroj si një instrument të pazëvendësueshëm të monitorimit, të vëzhgimit, të kritikës, të kundërshtisë, pra, të një dinamike zhvillimi që kërkohet dhe duhet të jetë prezente në një shoqëri demokratike. Pra, në këtë kontekst dhe në këtë këndvështrim, unë mendoj që përgjegjësia e palëve është që të pranojnë rezultatin që del nga zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të pozicionohen pastaj në vendet që u kanë dhënë qytetarët shqiptarë përmes votës, duke marrë përsipër këto përgjegjësi.

Gazetari: Si e gjykoni reagimin e institucioneve shtetërore, që nga e para, që nga KQZ-ja? A mendoni se është në rrugën e duhur për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme?

Presidenti Nishani: Ka pasur disa qëndrime apo debate në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilat unë personalisht mendoj që kishte tërë mundësinë për t’i shmangur. Në radhë të parë unë i shoh instrumentet dhe institucionet si domosdoshmëri për të funksionuar mekanizmi në tërësi. Nuk duartrokas asnjëherë kur ka situata, të cilat e bllokojnë funksionimin e institucionit, por nga ana tjetër transparenca është domosdoshmëri për çdo institucion. Prandaj unë do të inkurajoja transparencë, transparencë, dhe natyrisht çdo gjë e bazuar në ligjshmëri.

Gazetari: Në aspekt të kësaj kemi disa artikulime nga opozita, e cila thotë se strukturat e pushtetit, po përfshihen në fushatën elektorale. Pra akuzojnë se mund të ketë manipulim të zgjedhjeve. Është një akuzë e socialistëve që thotë se SHIU, Shërbimi Informativ i Ushtrisë është duke marrë me kontratë provizore dhjetëra njerëz në punë, të cilët sipas Partisë Socialiste priten të bëjnë atë që ka bërë SHIK-u i dikurshëm në zgjedhjet e ’96-s.

Presidenti Nishani: Unë nuk besoj që do të ketë shanse për ndërhyrje të instrumenteve të tillë, të çdo institucioni, të çdo mekanizmi të shtetit shqiptar në procesin e zgjedhjeve. Do të ishte një fatalitet nëse dikush do të tentonte të ndërhynte dhe unë nuk besoj aspak. Në radhë të parë, sepse ka një monitorim të jashtëzakonshëm të opinionit publik që është vlerësuesi dhe gjykatësi më i drejtpërdrejtë dhe më i madh i gjithkujt.

Gazetari: Ju si Komandant i Përgjithshëm, në dijeninë tuaj, po merren, po rekrutohen njerëz në Shërbimin Informativ të Ushtrisë?

Presidenti Nishani: Nuk kam një informacion të tillë. Natyrisht që Presidenti i Republikës nuk përfshihet në procese të administratës publike, por unë ju garantoj që deri më tani nuk kam konstatuar asnjë sinjal të tillë, që natyrisht nëse do të ishte konstatuar, do të ishte shumë shqetësues. Por nuk kam konstatuar dhe dhe jam i bindur në këtë që them: nuk besoj se do të ketë ndërhyrje të tilla apo përdorime të tilla. Në radhë të parë shoqëria ka arritur në një pjekuri dhe përgjegjshmëri shumë të madhe. Së dyti sot garancitë përmes mekanizmave ku është përfshirë Shqipëria janë aq të mëdha sa që është e vështirë për çdo individ apo institucion që të keqpërdorë ligjin, pozicionin apo pushtetin që ka.

Gazetari: Zoti President, ju kërkoj ndjesë për një hapësirë të shkurtër publicitare!

Gazetari: Sërish me pjesën e dytë të bisedës me Presidentin e Republikës, zotin Bujar Nishani. Zoti President, në fund të pjesës së parë të bisedës ju thatë, ju parashikoni që gjithçka do të shkojë mirë në raport me zgjedhjet, si me procesin e përgatitjes së tyre ashtu dhe me atë të numërimit dhe të nxjerrjes së rezultatit. Ndërkohë kemi sërish akuza nga opozita madje drejtuar dhe nga ju, të cilat thonë se Kryetarja e re e Institutit të Deklarimit të Pasurive është zgjedhur nga mazhoranca për t’u përdorur si presion gjatë fushatës elektorale kundrejt deputetëve të opozitës, të zgjedhurve zyrtarë. Po për qenë më i drejtpërdrejtë, ju përse zgjodhët emrin e zonjës Xhuka, tek e fundit, një person në post politik që ishte Zëvendësministre e Mbrojtjes?

Presidenti Nishani: Po ju tregoj një sekret nëse mund ta quaj kështu: Unë kam pasur një konsideratë dhe një vlerësim shumë të madh për zonjën Xhuka dhe ajo ka qenë një nga kandidaturat që unë kam pasur për Sekretare të Përgjithshme të Institucionit të Presidentit. Duke u nisur nga integriteti i saj, nga qenia e saj një zonjë, një tekniciene e hershme në Ministrinë e Mbrojtjes, një ekonomiste në formim, por mbi të gjitha një menaxhere korrekte me integritet shumë të lartë prej shumë e shumë vitesh ndoshta jo në pozicionin e Zëvendësministres, por në pozicione të rëndësishme në Ministrinë e Mbrojtjes, edhe para ardhjes në qeverisje të mazhorancës aktuale, mendova që një zonjë e tillë do t’i shërbejë atij institucioni me integritetin që ajo ka, por edhe duke inkurajuar pjesëmarrjen e zonjave në drejtimin e institucioneve të tilla.

Gazetari: A besoni se do të jetë mbi palët?

Presidenti Nishani: Besoj tërësisht, por nga ana tjetër unë besoj që përtej kësaj, është e rëndësishme dhe domosdoshmëri, që drejtuesit e intitucioneve të jenë tërësisht të painfluencuar nga palët politike. Institucioni, të cilin zonja Xhuka do të drejtojë është një intitucion, i cili nuk gjykon dhe nuk përcakton fajtorë, vetëm verifikon dhe bën publike shkeljet që mund të kenë.

Gazetari: A mendoni se mund të jetë selektive në seleksionimin e saj?

Presidenti Nishani: Fatmirësisht ka një praktitë tashmë të konsoliduar që e ka shkëputur tërësisht procesin e verifikimit apo të përzgjedhjes për verifikim nga subjektiviteti njerëzor. Prej kohësh edhe me ndihmën e USAID-it të qeverisë amerikane, tashmë ky institucion ka të konsoliduar një sistem elektronik të përzgjedhjes, nëse e keni fjalën në procesin e përzgjedhjes …

Gazetari: Të përzgjedhjes, të interpretimit…

Presidenti Nishani: Jo interpretimin nuk e bën Institucioni. Unë besoj edhe në një parim tjetër zoti Babaramo, në parimin që ‘unë përsa kohë e ndiej edhe jam korrekt me ligjin nuk kam frikë nga asnjë lloj kontrolli. Kushdo le të kontrollojë pasuritë e mia, t’i verifikojë ato. Unë jam i qetë, sepse nuk kam se çfarë të fsheh, nuk kam se çfarë të mbuloj, nuk kam se çfarë të justifikoj në mënyrë të jashtëligjshme’. Por megjithatë unë i besoj edhe këtij parimi, për të qenë kontribues edhe në një ambient mirëbesimi natyrisht që duhet të shkojmë drejt drejtuesve apo personave që marrin drejtimin e institucioneve, të cilët janë të paparagjykueshëm dhe unë besoj që zonja Xhuka, por dhe kandidati tjetër, zoti Ganaj, që unë çova në Parlament, ishin dy kandidatura, në integritetin dhe korrektesën e të cilëve unë besoja tërësisht. Jam i bindur tashmë në sjelljen institucionale të zonjës Xhuka në drejtimin e këtij Institucioni dhe nuk ka asnjë lloj lidhje me çështjet e zgjedhjeve apo me çështjet elektorale.

Gazetari: Siç e thatë, fushata ka nisur dhe dy janë elementet më të rëndësishëm të saj; akuzat nga Partia Socialiste sipas tyre për një trafik influence të vajzës së Kryeministrit në një raport biznesi me një biznesmen pakistanez, ndërkohë kemi kundërpërgjigjen e Partisë Demokratike që sërish, sipas palëve, sipas Partisë Demokratike, zoti Rama i ka dhënë bashkëshortes së tij dy leje të paligjshme për një godinë 5-katëshe ku banojnë të afërmit e saj dhe kemi gati tre javë që bëhen deklarata të përditshme nga të dyja palët, zëdhënëset dalin çdo ditë. Si kanë reaguar institucionet? Nëse për akuzën e bërë nga Partia Demokratike kemi Prokurorinë, e cila e ka nisur hetimin, për akuzën e bërë nga Partia Socialiste të paktën nuk është bërë publik nisja e një hetimi?

Presidenti Nishani: Nuk mund të them detaje për punën e Prokurorisë pasi nuk kam informacione për këto çështje që ju referuat. Edhe njëherë më lejoni t’i kthehem parimit që i besoj shumë dhe do të dëshiroja ta shihja të funksiononte, që qëndrimet politike të palëve veçanërisht në prag fushate dhe gjatë fushatës të adresohen në platforma qeverisëse dhe jo në çështje që kanë të bëjnë me persona të veçantë. Përsa u takon pretendimeve që mund të kenë ndaj sjelljes qytetare apo ndaj problemeve që mund të kenë në raport me ligjin, Shqipëria i ka të gjitha mekanizmat sot, të gjitha institucionet ku ata duhet të drejtohen dhe t’i lënë më pas këto institucione të kryejnë misionin e tyre, të kërkojnë nga këto institucione në mënyrë zyrtare të japin një përgjigje për pretendimet që mund të ketë. Çdo qytetar i këtij vendi e ka këtë të drejtë, jo më një forcë apo një parti politike. Ajo që në pyetjen tuaj i shërben më së shumti opinionit publik dhe që unë e mendoj ka të bëjë pikërisht me adresimin dhe vendosjen e një raporti komunikimi me opinionin sidomos me partitë politike gjithnjë me atë çka një parti mund të ofrojë si alternativë, si platformë qeverisëse dhe e zgjidhjes së sfidave që ka shoqëria.

Gazetari: Kam parë diku në media dhe kam lexuar në shtyp se, ambasadori që ishte i përfshirë në këtë aferë me biznesmenin pakistanez është larguar në posti i ambasadorit. Ju e konfirmoni?

Presidenti Nishani: E konfirmoj sepse është dekretuar lirimi i tij nga Presidenti i Republikës. Ka qenë një dekret në kuadrin e disa dekreteve, kanë qenë mos gaboj 5-6 dekrete, të cilat kanë ardhur nga Ministria e Jashtme dhe Kryeministri në përfundim të mandatit shumë kohë më parë se sa debatet, që ju po thoni, të nisnin në skenën publike. Nuk ka asnjë gjë të lidhur me këto çështje që debatohen sot. Ka qenë një proces rutinë kur një ambasador mbaron mandatin. Ambasadorët janë me mandat, në momentin që mbarojnë mandatin e tyre natyrisht që zëvendësohen nga ambasadorë të tjerë dhe ka qenë një periudhë kur Presidenti i Republikës me propozim të Ministrisë së Jashtme dhe me vendim të Kryeministrit, siç e përcakton procedura ligjore, ka liruar nga detyra të gjithë ata që kanë mbaruar mandatin e ushtrimit të detyrës së tyre dhe ka emëruar të tjerë. Dhe rasti që ju përmendni ka qenë në këtë kuadër.

Gazetari: Është rikthyer në Ministrinë e Jashtme apo është larguar nga shërbimi diplomatik?

Presidenti Nishani: Unë besoj që është pjesë e Ministrisë së Jashtme. Nuk di t’ju them për ecurinë e mëtejshme të pozicionit në Administratën Publike, pasi Presidenti i Republikës natyrisht merret me rangun e ambasadorëve që emërohen apo që lirohen.

Gazetari: Nuk ka asnjë arsye tjetër, thjesht kishte mbushur ciklin e tij? Ndërkohë ka dhe ambasadorë të tjerë që e kanë mbushur ciklin.

Presidenti Nishani: Janë në procedurë, disa janë në trajtim në qeveri, disa në komisione…

Gazetari: Cilat përfaqësi?

Presidenti Nishani: Janë disa përfaqësi të vendeve të ndryshme. Të mos e bëjmë publike përsa kohë janë në trajtim e sipër.

Gazetari: Ky rasti i denoncuar në media nuk ka asnjë ndikim?

Presidenti Nishani: Absolutisht, absolutisht jo!

Gazetari: Ju këtë ngjarje si e shikoni. A ka një trafik influence dhe si kanë reaguar institucionet shqiptare në këtë rast?

Presidenti Nishani: Çdo pretendim, çdo akuzë duhet adresuar në organet përkatëse. Unë besoj që Shqipëria i ka të gjitha institucionet dhe institucionet tona kanë të gjitha kapacitetet për të verifikuar dhe për të dhënë një përgjigje ligjore për çdo rast dhe për çdo vendim.

Gazetari: Do të doja t’ju pyesja lidhur me integrimin evropian. U bënë tre vite resht që na refuzohet statusi i vendit kandidat. Palët fajësojnë njëra-tjetrën. Ju si Kryetar i Shtetit që jeni mbi palët çfarë shikoni, kush është fajtor për bllokimin e procesit të integrimit?

Presidenti Nishani: Nuk do të ishte e saktë që të deklarohej ‘ky është fajtor’. Natyrisht që ka përgjegjësi. Procesi i integrimit është një proces kompleks jo vetëm në rrugëtim, jo vetëm në stacionet, jo vetëm në standardet, por edhe në sjelljet. Çdo të thotë në sjelljet; në sjelljen institucionale, në sjelljen individuale, sepse në fund të fundit në krye të institucioneve janë individë. Unë besoj që para se të themi kush është fajtori që nuk është marrë derimë tani statusi, në radhë të parë duhet të themi domosdoshmëria e përfshirjes dhe e kontributit të të gjitha palëve, mungesa e kontributit të njërës palë në realizimin e këtij objektivi. Nga ana tjetër unë e besoj plotësisht dhe pa gjykuar se keqgjykoj njërën palë, e them në mënyrë shumë të sinqertë, në mënyrë shumë të hapur që e gjykoj krejt të pamotivuar dhe të pajustifikuar mosvotimin nga opozita të tre akteve në Parlament. Jo vetëm pse kjo është një detyrë dhe një detyrim, por edhe sepse objektivi që ka Shqipëria si shoqëri, si shtet, si komb në këtë proces është prioritet shumë madhor dhe nuk e shoh e nuk e konsideroj, që nëse Shqipërisë do t’i jepet statusi i vendit kandidat kjo është një arritje vetëm e mazhorancës apo e qeverisë sepse historia dhe procesi ka treguar se nuk mund të realizohet vetëm nga njëra palë. Të gjitha këto reforma që janë realizuar, një pjesë e tyre kanë dashur kontribute legjislative të cilat nëse nuk i ofronte opozita nuk do të realizoheshin. Është një fakt i pamohueshëm dhe këtu nuk është çështje neutraliteti, është çështje bindjeje dhe realiteti. Dhe në fund të fundit unë besoj që për opinionin publik është më mirë të dëgjojë mendimin e Presidentit të Republikës ashtu siç ai e ka, me argumentet dhe parimet që ai mbron, unë gjykoj që ka qenë detyrim dhe përgjegjësi edhe e opozitës që të votonte këto tre ligje në Parlament përsa kohë në mënyrë eksplicite nga Komisioni Evropian është shprehur që këto tre ligje do të na jepnin neve mundësinë që t’i propozonim Këshillit Evropian që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat. Pra në këtë kontekst, unë mendoj që çdo palë duhet të marrë përgjegjësitë, natyrisht çështjet e përgjegjësive, që ka mazhoranca përsa kohë qeveris janë të një natyre tjetër.

Gazetari: Për shembull?

Presidenti Nishani: Të funksionimit të institucioneve, të rritjes së efikasitetit të luftës kundër korrupsionit, të luftës kundër krimit të organizuar. Në mënyrë specifike tek statusi i vendit kandidat ne kemi pasur tre kritere të thjeshta dhe kanë qenë shumë të thjeshta në gjykimin tim dhe nuk kishte pse ne të tregoheshim kaq të ngurtë për të mos i votuar.

Gazetari: Shefi i opozitës ju sulmon, ju konsideron sipas tij se jeni një nga 15 ministrat e kabinetit Berisha. Ju kur do të bëni një gjest politik, publik për t’i dëshmuar atij se ju jeni mbi palët?

Presidenti Nishani: Unë kam qenë një nga 14 ministrat e qeverisë. Unë besoj gjithmonë në një parim, i cili është jo vetëm njerëzor, por edhe institucional, që tek Presidenti i Republikës më shumë rëndësi ka sjellja institucionale sesa mënyra e zgjedhjes së tij. Ndoshta zoti Rama ka parasysh se unë u zgjodha në mënyrë të njëanshme, vetëm nga mazhoranca. Do të jetë e pandershme nga ana ime nëse unë filloj dhe rendis aktet, të cilat unë besoj që janë ushtruar në mënyrë të paanshme. Kjo duhet t’i mbetet opinionit publik në radhë të parë, natyrisht edhe palëve politike. Unë nuk i keqkuptoj qëndrimet dhe deklaratat politike të opozitës. E dëgjoj me vëmendje dhe e ndjek me shumë vëmendje edhe opozitën. Mundohem të qëndroj dhe të analizoj e të konsultohem për çdo shqetësim, në aspektin politik apo në aspekte të tjera, që opozita shfaq në jetën publike të vendit. Këto qendrime dhe deklarata nuk cënojnë absolutisht asnjë standard të sjelljes sime dhe të konsideratës sime ndaj opozitës, pasi ky nuk është një raport individual midis Bujar Nishanit dhe zotit Rama, por është një raport midis Presidentit të Republikës dhe një pjese të konsiderueshme të qytetarëve që besojnë, votojnë dhe mbështesin një forcë të caktuar politike dhe parimet që kjo forcë politike mbron dhe promovon në shoqëri. Respektoj maksimalisht ndjesitë e këtij grupimi të madh shoqëror. Përsa u takon çështjeve të komunikimit pavarësisht këtyre deklaratave unë nuk kam konsideruar ndonjë ngërç apo ndonjë shqetësim në sjelljen institucionale të Partisë Socialiste, që natyrisht përfaqësohet nga Kryetari i saj. Ka qenë korrekt përsa i takon sjelljes institucionale me Institucionin e Presidentit të Republikës deri më tani.

Gazetari: Ju thatë që fajin e kanë mosaprovimi i tre ligjeve për integrimin evropian. Ka dhe sinjale të tjera që vijnë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian më i qarti, më i drejtëpërdrejti ishte ai i Kryeministrit çek, në radhë të parë në rastin e dëbimit të kompanisë CEZ, po krijohet një klimë biznesi shumë refraktare dhe shumë represive nga institucionet shtetërore, në këtë rast ju si mendoni?

Presidenti Nishani: Në aspektin e parë unë në fakt jam kundër kësaj qasje që ne mundohemi ta artikulojmë, që ta shohim problemin tek të tjerët. Në radhë të parë ne duhet të përmbushim detyrimet tona, zoti Babaramo dhe detyrat tona janë mbi tavolinë. Ne tregohemi të padrejtë ndaj vetes, s’po them ndaj të tjerëve, por ndaj vetes sonë, sepse pa përmbushur detyrat dhe detyrimet tona fillojmë dhe artikulojmë midis njëri-tjetrit se cili do të jetë ose cili është qëndrimi i partnerëve. Ne nuk kemi përmbushur detyrat tona. Nuk kemi asnjë të drejtë, as morale, as procedurale të diskutojmë për qëndrimet e të tjerëve apo të paragjykojmë qëndrimet e partnerëve pa përmbushur detyrat tona. Kjo është përgjegjësia e parë. Unë kam pasur një vizitë të shkëlqyer në Bruksel sapo isha zgjedhur President i Republikës. Pata rastin të takoj Presidentin e Këshillit Evropian, Presidentin Van Rompuy, Presidentin e Komisionit Evropian zotin Barroso, Komisionerin për Zgjerim, zotin Fyle dhe konstatova një vullnet jashtëzakonisht pozitiv në nivelet më të larta të Komisionit Evropian që reflekton qëndrimin e Bashkimit Evropian. Meqë ju e prekët, është një çështje që unë duhet të jap një përgjigje në këndvështrimin tim…

Gazetari: Çështje shumë e ndjekur, shkon deri tek siguria kombëtare.

Presidenti Nishani: Natyrisht është një çështje, e cila duhet të zgjidhet mbi bazën e legjislacionit. Por informacionet që unë kam marrë në rrugë institucionale nga autoritetet shqiptare, nga autoritetet e qeverisë shqiptare, përbëjnë një shqetësim të veçantë. Në radhë të parë, mungesa e investimeve nga një kompani e tillë jo vetëm si pjesë e detyrimit kontraktual, por si domosdoshmëri e zhvillimit dhe përmirësimit të këtij shërbimi që në fund të fundit është dhe qëllimi kryesor i privatizimit të tij, dhe së dyti aplikimi i politikave të dënimit kolektiv të komuniteteve të tëra qytetare janë dy çështje të papranueshme për çdo standard ligjor dhe natyrisht demokratik në çdo vend të botës, ndaj mendoj që një vendim i tillë natyrisht do të shkojë përmes procedurave të parashikuara në kontratë dhe në legjislacionin përkatës. Është një çështje, e cila duhet t’i shërbejë në radhë të parë shërbimit ndaj qytetarit, por nga ana tjetër unë besoj që kjo është një çështje që nuk ka lidhje në tërësi me sjelljen ndaj biznesit të huaj në veçanti dhe aq me tepër ndaj biznesit nga Republika Çeke. Kompania CEZ në dijeninë time është një kompani me eksperienca shumë të mëdha në fushën e shpërndarjes së energjisë, por dega e saj në Shqipëri, për të gjitha informacionet që unë kam, por besoj që edhe qytetarët e kanë konstatuar nga shërbimi që kanë marrë çdo ditë, nuk arriti ato parametra, siç thashë, veçanërisht në dy aspekte: mungesa e investimeve dhe dënimi kolektiv, që janë standarde krejt të papranueshme nga pikëpamja ligjore, por dhe nga pikëpamja humane dhe demokratike. Gjithsesi të gjitha palët i kanë hapësirat e tyre për ta kontestuar vendimin për të shkuar më tej.

Gazetari: Pra ju mendoni se kjo nuk ndikon në procesin e integrimit? Është një rast i izoluar dhe klima e biznesit në Shqipëri është tejet e favorshme?

Presidenti Nishani: Unë besoj se nuk ka arsye që kjo çështje të futet në agjendën e integrimit të vendit. Natyrisht që klima e biznesit ka nevojë gjithmonë për përmirësime, por unë besoj që disa politika të zbatuara në Shqipëri, veçanërisht politika e taksave të ulëta dhe e lehtësisë së procedurave të regjistrimit, të hapjes së biznesit, padyshim që janë elementë që kanë ndihmuar e inkurajuar shumë biznesin vendas, por edhe biznesin e huaj. Gjithsesi meqë jemi në këtë pikë, unë besoj se në Shqipëri ka hapësira dhe burime shumë të mëdha. Megjithëse Shqipëria nuk është një vend i madh, burimet e saj janë mëse të mjaftueshme që edhe bizneset vendase, edhe bizneset e huaja, meqë folëm për kompaninë CEZ, qytetarët çekë do të jenë gjithmonë të mirëpritur dhe ka vend për zhvillimet e bizneseve të tyre dhe për të qenë shumë të suksesshëm, për të ndikuar njëkohësisht edhe në ekonominë e Shqipërisë, edhe në jetën sociale të qytetarëve të Shqipërisë, por natyrisht edhe në raport me biznesin e çdo kompanie private.

Gazetari: Zoti President, do të doja t’ju pyesja edhe si Kryetar të Drejtësisë. Ju në fjalimin tuaj të parë si Kryetar i Shtetit thatë se drejtësia do të jetë përparësia e mandatit tuaj pesëvjeçar. Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë urgjentisht në sistemin e drejtësisë, i cili për hir të së vërtetës është për opinionin publik nga pjesët më të sëmura të shoqërisë?

Presidenti Nishani: Natyrisht ky perceptim lidhet me nevojën që ka qytetari për drejtësi, prandaj edhe sistemi i drejtësisë është bazamenti mbi të cilin ngrihet e tërë struktura e një shteti dhe e një shoqërie. Është ajo pikë ku qytetari konkludon të drejtën e tij. Ka probleme të rëndësishme. Para se të kalojmë te problemet, sepse i duhet dhënë prioritet trajtimit të tyre, do të më lejoni që të përfitoj nga rasti për të diskutuar edhe punën pozitive, edhe kontributetet që japin njerëzit që punojnë në sistemin e drejtësisë. Është e natyrshme që kontributet pozitive janë pjesë e rutinës së përditshme dhe nuk evidentohen, përkundër rasteve, praktikave dhe shembujve negativë që lënë shenjë të thellë, përgjithësohen, bëjnë opinionin, krijojnë perceptimet. Kjo është e natyrshme, sepse është element i natyrës njerëzore. Por unë dua të nënvizoj faktin që në përvojën time në pozicione shumë të rëndësishme të shtetit, qoftë si Ministër i Drejtësisë, qoftë si Ministër i Brendshëm që kam pasur fatin t’i shërbej shtetit, dhe tashmë si President i Republikës, vërtet kam konstantuar se ne kemi gjyqtarë dhe prokurorë jo vetëm të aftë profesionalisht, por edhe të motivuar për t’i shërbyer me korrektesë dhe me dinjitet shërbimit dhe sistemit.
Nga ana tjetër ka raste jo të pakta të një sjellje tërësisht të papranueshme dhe ajo që ne kemi vendosur t’i qëndrojmë fort, ka të bëjë me mënyrën e trajtimit të tyre, në rastin e gjyqtarëve, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Tashmë po rishqyrtojmë me shumë seriozitet të gjitha rastet e evidentuara si shkelje të ligjit, që natyrisht do të thotë drejtpërsëdrejti rënien në qafë qytetarit, mosdhënien e drejtësisë për qytetarin, mohimin e së drejtës për qytetarin, qoftë në rastet, e çështjeve penale, qoftë në rastet që kanë të bëjnë me çështje civile. Ka disa masa të dhëna tashmë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por mbi të gjitha ne do të evidentojmë dhe do të bëjmë publik çdo rast, emër për emër të atyre gjyqtarëve, të cilët e përdhosin pushtetin gjyqësor, e keqpërdorin fuqinë që u ka dhënë ligji. Nga ana tjetër do të tregohemi shumë seriozë në mënyrë të tillë që të mos penalizojmë gjyqtarë për shkak të objektivave personale të Presidentit të Republikës apo anëtarëve të tjerë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me qëllim që gjyqtarët të mos ndihen të penalizuar për shkak të raporteve që ata krijojnë me institucione të ndryshme të vendit. Por nga ana tjetër do t’i shqyrtojmë shumë seriozisht të gjitha rastet kur konstantohet një trajtim antiligjor, denigrues, jo njerëzor i qytetarëve nga ana e gjyqtarëve qoftë në rastet e zvarritjes së proceseve, qoftë në rastet e shkeljes së të drejtave të qytetarëve në gjykatë. Gjithashtu, ne po punojmë shumë seriozisht zoti Babaramo, për të krijuar një sistem vlerësimi midis gjyqtarëve, që do të thotë gjyqtarët që vërtet shërbejnë me dinjitet, dhe ka të tillë, përsa kohë janë brenda sistemit, të kenë besim në sistem. Dhe më lejoni t’ju them, se sistemi i drejtësisë, sa i përket administratës publike është një nga sistemet më të sigurta nga pikëpamja e karrierës për një individ që është brenda këtij sistemi. Ta kthejmë në një sistem të besueshëm për vetë ata. Çfarë do të thotë kjo? Një gjyqtar, i cili kërkon të promovohet dhe është krejt normale që një njeri është i orientuar edhe nga karriera personale qoftë në gjykata apo nga Gjykata e Shkallës së Parë te Gjykata e Apelit apo në gjykatat e larta të vendit, kjo të bëhet mbi bazën e një sistemi vlerësimi, që do të jetë një sistem i bazuar në kritere të qarta, kritere josubjektive, sistem që të na çojë drejt një renditjeje të pikëzuar të gjyqtarëve, në mënyrë të tillë që, që nga Presidenti i Republikës e deri tek çdo anëtar tjetër i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në çastet që janë përpara një vendimmarrjeje për të promovuar një gjyqtar, apo për të zgjedhur një kryetar gjykate apo për të zgjedhur njerëz, të cilët shkojnë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit, t’i referohen kësaj liste, që ka dalë si produkt i vlerësimit të trajtimit nga ana e tyre të çështjeve, pra një vlerësim të detajuar. Ne sot në Këshillin e Lartë të Drejtësisë e aplikojmë një sistem vlerësimi, por që ende është i përgjithshëm dhe unë e kam shprehur si një objektiv timin në këtë mandat si President. Kam kënaqësinë që kam gjetur të njëjtin mjedis mbështetjeje nga të gjithë anëtarët e tjerë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të shkuar drejt një sistemi të tillë vlerësimi, në mënyrë që gjyqtari në krye të gjykatës, gjyqtari në Gjykatën e Apelit të mos shkojnë vetëm pse kanë një raport të veçantë me Presidentin e Republikës, pse kanë një lidhje të tretë apo të katërt me një anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pse kanë një afilacion të veçantë me një grup anëtarësh të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por sepse dhe vetëm se e meriton dhe se është në krye të asaj liste. Natyrisht që kjo nuk është një çështje e lehtë, por është një sfidë shumë e madhe. Dhe unë e kam shprehur dhe e kam marrë si një angazhim para opinionit publik në tërësi, por edhe në raport me bashkësinë e gjyqtarëve.

Përsa i takon sistemit të drejtësisë, reformat në të janë shumë të mëdha. Unë ju falenderoj që ma dhatë mundësitë dhe do t’ju marr edhe pak minuta nga ky emision.

Gazetari: Pikërisht për këtë doja t’ju pyesja zoti President. A ka ndonjë gjë që nuk shkon në strukturën, në piramidën e drejtësisë shqiptare? A ka nevojë për një reformë, për një ndryshim?

Presidenti Nishani: Pa diskutim, këtë desha të thoja. Pra nuk janë vetëm këto çështje që i takojnë besimit, promovimit, të inkurajimit, por ka lidhje edhe me rregullimin e sistemit. Çfarë dua të them me këtë? Në sistemin e drejtësisë ka një specifikë që rregullimi apo ndikimi pozitiv vjen nga lart poshtë që do të thotë: Rolin më kryesor e ka mënyra e sjelljes në funksionimin e Gjykatës së Lartë. Ne kemi një çështje, të cilën unë do ta diskutoj gjerë me opinionin e gjyqtarëve, por edhe me aktorët e tjerë, veçanërisht ata politikë në Parlament. Më duket që ka një kontradiktë në sistemin tonë gjyqësor përsa i takon mënyrës se si është organizuar dhe se si funksionon Gjykata e Lartë. Çfarë dua të them me këtë? Gjykata e Lartë në Shqipëri në formën e organizimit të saj dhe të statusit që ka është një gjykatë supreme. Vendimet unifikuese të saj kanë forcën e ligjit në zbatim. Pra ka një pushtet shumë të rëndësishëm. Nga mënyra e funksionimit, Gjykata e Lartë funksionon si një gjykatë e shkallës së parë. Pra edhe çështje krejt të zakonshme, të cilat janë çështje të themelit për Gjykatën e Shkallës së Parë shkojnë edhe trajtohen deri në Gjykatën e Lartë. Pra kemi një kontradiktë në këtë mes. Ne duhet ta zgjidhim këtë kontradiktë. Ose do të jetë e organizuar siç është, sepse statusi ia jep dhe do të funksionojë si një gjykatë supreme. Cili do të ishte objekti i saj në këtë rast? Natyrisht që do të kishte vlefshmërinë e ligjshmërisë të një çështjeje të caktuar në gjykatat e një niveli më të ulët, por nuk mund të sillet e të funksionojë si një gjykatë e shkallës së tretë. Kjo është një bindje e imja, që mbetet për t’u diskutuar gjerë në radhë të parë me bashkësinë e gjyqtarëve, por edhe me aktorët politikë. Ka ardhur koha që shumë të gjëra të trajtohen në mënyrë më të thellë, më të shtrirë. Dhe unë besoj se këto janë reforma madhore, janë reforma të cilat nuk janë në shërbimin politik të një mazhorance të caktuar, apo të një qeverie të caktuar. Janë reforma që i shërbejnë një perspektive shumë të madhe e të gjerë të një shoqërie të tërë, të një vendi e të një shteti.
Unë besoj që edhe çështje si ato që lidhen me funksionimin e Gjykatës Administrative apo ato që kanë të bëjnë me mënyrën e sjelljes të trupës së avokatisë dhe çështje të tjera, janë komplekse dhe duhen parë në një kënd shumë serioz. Dhe kur them shumë serioz, them më përfshirës nga aktorët publikë.

Gazetari: Zoti President, ju falenderoj që ishit në këtë studio!

Presidenti Nishani: Për mua ishte një kënaqësi dhe ju uroj punë të mbarë!

KOMENTE