Studentët të cilët posedojnë Kartën Bashkiake, do të mund të përfitojnë një sërë lehtësirash në shërbimet ndaj tyre. Nënkryetarja e Bashkisë, znj. Jorida Tabaku ka bërë sot të ditur se kinema “Millenium”, “Imperial”, Teatri i Metropolit, Spitali Amerikan dhe “Hygea”, Posta Shqiptare, dyqanet e “Fashion Group”, “Neptun” “Abcom”, “Abissnet”, etj ofrojnë ulje çmimesh për studentët e pajisur me Kartën e Studentit. Një sërë marrëveshjesh me bankat, libraritë dhe supermarketet janë drejt përfundimit dhe do të lançohen së shpejti. Aktualisht, është 5200 numri i aplikimeve për Kartën e Studentit.
Më poshtë, deklarata e plotë e Nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, znj. Jorida Tabaku:
“Jemi këtu për të informuar në lidhje me procesin e pajisjes me Kartën Bashkiake të Studentit.
Deri më tani kanë aplikuar rreth 5200 studentë. Çdo aplikim për kartë verifikohet më parë nga sekretaritë e fakulteteve e më pas procedohet me printimin e saj. Kjo ka sjellë disa vonesa në printimin e Kartës por në të njëjtën kohë ka mundësuar që t’i pritet rruga pajisjes me Kartën Bashkiake të Studentit, personave të cilët nuk e gëzojnë këtë të drejtë.
Duke u bërë thirrje të gjithë studentëve të universiteteve publike, ta shfrytëzojnë këtë mundësi e cila u krijon një sërë lehtësish për ta, dua t’ju kujtoj se pranë Bashkisë së Tiranës, aktualisht janë 1400 karta që presin të tërhiqen nga studentët.
Po kështu, dua t’ju informoj për paketën e përfitimeve që ofrohen nga Karta Bashkiake e Studentit:
Të gjithë studentët që posedojnë këtë kartë, do të mund të përfitojnë 30% ulje çmimi në 2 kinematë e Tiranës, kinema “Millenium” dhe “Imperial”.
Teatri “Metropol” ofron hyrjen falas, për të gjithë poseduesit e Kartës Bashkiake të Studentit, me kushtin e vetëm që të rezervojnë çdo fillim jave.
Posta Shqiptare do të ofrojë 10%ulje për të gjithë shërbimet e saj.
Spitali Amerikan dhe spitali “Hygeia” ofrojnë 20% ulje çmimi, për të gjithë diagnostikimet dhe 10%, nëse ata do të kenë nevojë të qëndrojnë në spital (uroj të mos jetë e nevojshme asnjëherë).
Në të gjithë dyqanet e “Fashion Group”, në 12 markat e njohura që tregtohen në to, do të ketë 10% zbritje.
“Abcom” do të ofrojë zbritje 25% nga ofertat e saj zyrtare.
“Abissnet” do të ofrojë ulje 15%, sikundër “BTC Albania” do të ofrojë 50% ulje, për të gjithë produktet e saj.
“Neptun” ofron ulje 10% për laptopët dhe paketa shërbimi interneti 3 G falas, për 3 muaj.
Jemi drejt përfundimi të marrëveshjeve me disa banka të nivelit të dytë, supermarkete dhe librari, të cilat do të ofrojnë lehtësi dhe paketa të veçanta për studentët. Ndërkohë, të gjithë bizneset e tjera të Tiranës që janë të interesuar për të ofruar lehtësira për studentët, janë të mirëpritur.
Në fillim të muajit mars, ne do të përfundojmë marrëveshjet edhe me universitetet private, për Kartën e Studentit, sikundër do të jemi shumë shpejt para jush, për t’ju bërë të ditur edhe lehtësitë e tjera që do të ofrohen nga nënshkrimi i marrëveshjeve të tjera të cilat janë drejt përfundimit”