Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka bërë me dije se respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara konsiderohet prej saj dhe Qeverisë shqiptare si pjesë integrale e të drejtave të njeriut.
Një nga të drejtat themelore të personave me aftësi të kufizuara është, padyshim, marrja në kohë dhe në sasinë e duhur e pagesave dhe mbështetjes financiare të përcaktuara me ligj dhe të garantuara nga buxheti i shtetit.
Megjithatë, gjatë fundvitit të kaluar një pjesë jo e vogël e personave me aftësi të kufizuara në të gjithë vendin u përball me vështirësi ekonomike të krijuara për shkak të vonesave në marrjen e pagesave mujore. Duke iu bashkuar këtij shqetësimi, disa herë Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta bëri me dije për publikun se fondet e akordura nga buxheti i shtetit, bazuar në planifikimin vjetor dhe kërkesat e njësive vendore ishin çelur në kohë pranë degëve të thesarit. Po ashtu, në mënyrë të pandërprerë strukturat përgjegjëse të Ministrisë kontaktuan me njësitë vendore të cilat ngrinin pretendime në lidhje me fondet e pamjaftueshme për pagesat e aftësisë së kufizuar, duke ndërhyrë në disa raste edhe me akordimin e fondeve shtesë, me qëllim zgjidhjen e problemeve të krijuara dhe marrjen në kohë të pagesave nga çdo person me aftësi të kufizuara.
Megjithë ndërhyrjen e Ministrisë dhe kërkesën e vazhdueshme të saj ndaj njësive vendore për të zgjidhur situatën, edhe në fillim të vitit 2013, shumë prej personave me aftësi të kufizuara nuk i kishin marrë ende pagesat e muajit të fundit të 2012.
Pas mbylljes së vitit buxhetor 2012, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta verifikoi realizimin e këtij zëri nga ana e njësive vendore, bazuar në të dhënat e marra nga sistemi i thesarit. Nga ky verifikim rezultoi se 358 njësi vendore, përfshi dhe mjaft nga njësitë të cilat ngritën pretendimin e pamjaftueshmërisë së fondeve për pagesat e paaftësisë, nuk kanë realizuar këtë zë, duke i ndjegur fondet përkatëse. Vlera e këtij mosrealizmi në shkallë vendi shkon në 55,979,799 lekë të reja.
Kjo vlerë e parealizuar nga njësitë e pushtetit vendor përfshin pagesat e munguara të aftësisë së kufizuar përgjatë fundvitit të kaluar, duke hedhur poshtë pretendimin e shumë prej tyre për mosakordim fondi nga buxheti i shtetit.
Pavarësisht problemeve të krijuara nga njësitë e pushtetit vendor, të cilat zgjodhën djegien e fondeve në vend të shpërndarjes në kohë të pagesave, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta me çeljen e vitit të ri buxhetor lëvroi në degët e thesarit fondin e nevojshëm për pagesat e radhës së personave me aftësi të kufizuara si dhe pagesat e vonuara të vitit 2012.
Ministria e Punës garanton personat me aftësi të kufizuar do të vazhdojë të mbështesë këtë kategori me pagesa dhe shërbime, ashtu siç ka bërë gjithë këto vite.
Në shtatë vitet e fundit, falë politikave të Qeverisë, është rritur ndjeshëm numri i përfituesve dhe masa e përfitimit për këtë kategori.
Nga 90 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarë të tyre që mbështeteshin me pagesa në 2005, sot numri i tyre ka arritur në 147 mijë, ndërsa buxheti është rritur nga 6.1 në 13 miliard lekë.
Në 2005 mbështeteshin me një pagesë prej 6 800 lekë në muaj 12 500 të verbër dhe kujdestarë, sot numri i përfituesve ka shkuar mbi 16 000, ndërsa masa e përfitimit ka shkuar në 10 900 lekë në muaj.
1 400 para-tetraplegjik dhe kujdestare në vitin 2005 janë mbështetur me një pagesë mujore prej 6 800 lekë në muaj, ndërsa sot mbi 12 mijë përfitues mbështen me 9 500 lekë në muaj. Në këto vite para-tetraplegjikët janë mbështetur me pagesë të veçantë për paketën higjeno-sanitare e cila arrin në 16 000 lekë në muaj, nga 0 lekë në 2005.
Në përgjigje të kërkesës së personave më aftësi të kufizuar, kujdestarët tashmë përfitojnë edhe sigurime shoqërore.
Tashmë impenjim i Ministrisë së Punës mbetet integrimi i personave me aftësi të kufizuara në shoqëri, nëpërmjet rritjes së aksesit në arsim, formim profesional, tregun e punës dhe shërbime.