English

TAP prej 10 % hiqet për pagat deri në 30 mijë lekë

Kryeministri Berisha detajoi sot, në mbledhjen e qeverisë masën më të re fiskale që do të ndërmarrë së shpejti qeveria për heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale prej 10 përqind, për pagat deri në 30 mijë lekë. Nga kjo masë, u shpreh Kryeministri, do të përfitojnë rritje me 10 përqind të pagave mbi 200 mijë punonjës në sektorin privat me pagë deri në 30 mijë lekë dhe përafërsisht 15 mijë punonjës të të gjitha sipërmarrjeve publike dhe sektorit publik qendror e lokal me këtë nivel page.

“Kjo - tha Kryeministri - është rritja më e madhe që këta punonjës kanë njohur në tërë jetën e tyre, në këto sipërmarrje. Kjo rritje konsolidon më tej taksën e sheshtë. Nuk ka diskutim që taksa e sheshtë është taksa më optimale, por, gjithnjë, si çdo model, edhe modeli ynë ultraliberal ka nevojë për përmirësime, ka nevojë për reformimin e tij të vazhdueshëm dhe ky është një reformim në frymën e tij.”

Rritja e pagës me 10 përqind për punonjësit me pagë deri në 30 mijë lekë, si efekt i heqjes së tatimit mbi të ardhurat personale, do të ngushtojë edhe më tej diferencën midis nivelit të pagave në vend. Si rezultat i politikës konstante të rritjes së pagave, theksoi Kryeministri, diferenca midis pagës së kryeministrit dhe mësuesit, nga 1 me 9 që ishte shtatë vjet më parë, sot është në raportin 1 me 4.5 dhe ulet, ndërsa garantoi se qeveria është e vendosur ta ngushtojë më tej këtë diferencë.

Duke i konsideruar spekulative dhe mashtrime, deklarimet e opozitës lidhur me taksën e sheshtë, Kryeministri u shpreh se ajo është e njëjtë si përqindje, por e ndryshme në vlerë, aq sa ndryshojnë pagat e të ardhurat nga njëra-tjetra.

“Në thelbin e në të vërtetën e saj, ajo është taksë proporcionale, por, natyrisht, jo në urrejtjen ndaj të pasurve. Në mënyrën më të përsëritur, politika që kanë synuar të zgjidhin problemet e të varfërve, duke shkatërruar të pasurin, kanë falimentuar totalisht dhe kanë sjellë të kundërtën, kanë shtuar në progresion gjeometrik numrin e të varfërve.”

KOMENTE