English

Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit në një minimum të ri historik

Diten e djeshme këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Deklaratën Gjashtëmujore të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje. Pas kësaj uljeje, norma e marrëveshjeve të riblerjes me afat njëjavor zbret në një minimum të ri historik, prej 3.75%. Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës, lehtësimi i mëtejshëm i kushteve monetare do të ndihmojë në respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme.

Ekonomia shqiptare ka shënuar një përmirësim të lehtë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2012. Kjo ecuri është ndikuar nga reflektimi më i plotë i stimulit monetar dhe nga përmirësimi i ambientit të jashtëm ekonomik e financiar. Megjithatë, aktiviteti ekonomik mbetet nën nivelin potencial dhe burimet e rritjes nuk paraqiten të qëndrueshme. Rritja e prodhimit nuk është reflektuar në uljen e pasigurive të përgjithshme, të cilat frenojnë konsumin dhe investimet private, si dhe ndikojnë në reduktimin e kërkesës dhe të ofertës për kredi. Sistemi bankar është me bilance të shëndosha dhe likuide, por ai vazhdon të karakterizohet nga një kujdes i rritur në financimin e investimeve afatgjata. Këto tendenca do të kushtëzojnë zhvillimet ekonomike edhe gjatë periudhës së ardhshme.

Presionet inflacioniste kanë qenë të ulëta përgjatë tremujorëve të fundit. Duke reflektuar edhe politikën e kujdesshme monetare të Bankës së Shqipërisë, inflacioni ka qenë brenda objektivit të saj gjatë vitit 2012. Rritja vjetore e çmimeve të konsumit shënoi vlerën 2.4% në fund të vitit, ndërkohë që norma mesatare vjetore e inflacionit ishte 2%. Ecuria e inflacionit është karakterizuar nga rritja progresive e tij gjatë tre tremujorëve të parë dhe nga një rënie e lehtë në tremujorin e katërt.

Luhatjet e inflacionit janë përcaktuar kryesisht nga çmimet e ushqimeve, të cilat në vetvete kanë qenë subjekt i ndikimit të tregut ndërkombëtar dhe i ecurisë së prodhimit vendas. Ndikimi në inflacion i çmimeve të mallrave të tjerë të shportës ka qenë i vogël dhe pak i luhatshëm. Inflacioni i mallrave me çmime të rregulluara apo të administruara ka qenë i papërfillshëm, ndërkohë që rritja e çmimeve të produkteve të konsumit, të naftës dhe të lëndëve të para në tregjet botërore, nuk ka shkaktuar rritje të inflacionit në ekonominë shqiptare.

Në këndvështrimin makroekonomik, të gjithë faktorët përcaktues të inflacionit kanë kontribuuar në ruajtjen e tij në nivele të ulëta. Shfrytëzimi jo i plotë i kapaciteteve prodhuese është shoqëruar me një kërkesë të ulët për punë nga bizneset, duke mos ushtruar presion për rritje të pagave dhe të kostove të punës. Gjithashtu, kërkesa e dobët për mallra e shërbime ka reduktuar aftësinë e bizneseve për diktimin e çmimeve të produkteve finale dhe ka ndikuar në ruajtjen në nivele të ulëta të marxheve të fitimit. Nga ana tjetër, rritja e ulët e çmimeve në tregjet botërore dhe qëndrueshmëria e kursit të këmbimit kanë ndihmuar në kontrollin e çmimeve të mallrave të importit. Së fundi, pritjet për një inflacion të ulët në afatin e mesëm janë reflektuar në qëndrueshmëri të kostove, të çmimeve, dhe të normave të interesit në kontratat afatmesme e afatgjata të lidhura në tregjet e punës, të produkteve të konsumit dhe të instrumenteve financiare.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 2.7% në tremujorin e tretë dhe pritjet tona janë për ritme të ngjashme rritjeje edhe në tremujorin e katërt të vitit 2012. Rritja ekonomike është mbështetur nga sektori i shërbimeve, nga sektori i industrisë dhe nga sektori i bujqësisë, ndërkohë që aktiviteti në sektorin e ndërtimit vijon të tkurret.

Vlerësimi i ecurisë së përbërësve të kërkesës agregate gjatë tremujorit të tretë dhe të katërt konfirmon, në një masë të madhe, prirjet e vëna re në periudhat paraardhëse. Kërkesa e huaj ka qenë nxitësi kryesor i rritjes së aktivitetit ekonomik në vend. Deficiti i eksporteve neto është ngushtuar në tremujorin e tretë të vitit, kryesisht si rezultat i rritjes së eksporteve të mallrave dhe të shërbimeve. Të dhënat e tremujorit të katërt tregojnë për vijimësinë e këtij trendi. Në periudhën tetor-nëntor, eksportet u rritën me 14.3% ndërsa importet ishin rreth 5% më të ulëta se një vit më parë. Për pasojë, deficiti tregtar shënoi një reduktim vjetor prej 15.5%. Nga ana tjetër, kërkesa e brendshme mbetet e plogësht, si pasojë e mungesës së stimulit fiskal dhe e ecurisë së ngadaltë të konsumit dhe të investimeve private.

Të dhënat indirekte të disponuara tregojnë për një përmirësim të konsumit në tremujorin e tretë të vitit, por investimet private vijojnë të mbeten të ulëta si pasojë e shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve të prodhimit, e pasigurisë për të ardhmen dhe e kushteve më të shtrënguara të financimit. Treguesit fiskalë kanë reflektuar ecurinë e përgjithshme të ekonomisë dhe politikën konsoliduese fiskale të ndjekur gjatë vitit 2012. Zhvillimet fiskale janë karakterizuar nga rritja e ngadaltë e të ardhurave dhe e shpenzimeve buxhetore, si dhe nga tkurrja e deficitit buxhetor. Të ardhurat fiskale për 11 muajt e parë të vitit janë rritur me 2.0% në terma vjetorë, duke reflektuar kontributin e ulët të komponentit tatimor të tyre. Shpenzimet publike kanë shënuar një rritje vjetore prej 0.9%, duke reflektuar në një masë të madhe ritmet negative të rritjes së shpenzimeve kapitale. Për rrjedhojë, deficiti buxhetor i kësaj periudhe paraqet një rënie vjetore prej rreth 8%.

Tremujori i katërt ka evidentuar një përcjellje më të mirë të stimulit monetar në tregjet financiare. Gjithashtu, ky tremujor është karakterizuar nga një ankorim më i mirë i normave të interesit të tregut ndërbankar dhe nga ulje e luhatshmërisë së tyre. Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare lehtësuese gjatë tre viteve të fundit. Stimuli monetar është rritur në mënyrë progresive gjatë kësaj periudhe, duke e sjellë normën bazë të interesit në nivelet minimale historike dhe duke qetësuar presionet e likuiditetit në tregun ndërbankar.

Megjithatë, përcjellja në ekonomi e efekteve të politikës monetare lehtësuese është frenuar nga rritja e primeve të perceptuara të rrezikut dhe nga ndryshimi i sjelljes së agjentëve të tregut financiar, dhe të ekonomisë reale. Në gjysmën e parë të vitit, tregu primar vendas u përball me ndryshime strukturore, të rrjedhura nga zbatimi i masave shtrënguese të reja nga autoritetet mbikëqyrëse Evropiane. Ky zhvillim ndikoi në ruajtjen e normave relativisht të larta të yield-eve, pavarësisht kahut lehtësues të politikës monetare dhe rënies së normave afatshkurtra të interesit në tregun e parasë. Normalizimi i tregut primar në gjashtëmujorin e dytë u reflektua në rënie progresive të yield-eve gjatë kësaj periudhe. Kjo prirje duket të jetë përcjellë dhe në koston e kredisë në lekë për sektorin privat, ndonëse me një intensitet më të ulët si pasojë e primeve të rrezikut që reflektohen në çmimin e kredisë për agjentët privatë. Në përgjithësi, huamarrja e kontrolluar e sektorit publik në tregun e brendshëm të parasë, zgjerimi i bazës së investitorëve në letrat me vlerë të Qeverisë, si dhe stabilizimi i primeve të rrezikut në ekonomi, krijojnë premisa për funksionimin më të mirë të kanaleve të transmetimit në të ardhmen. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë beson se qëndrueshmëria afatgjatë e borxhit publik dhe kufizimi i huamarrjes publike në tregun e brendshëm të parasë ndihmon në rritjen e efektivitetit të politikës monetare dhe në rritjen e hapësirave për kreditimin e sektorit privat të ekonomisë.

Treguesit monetarë janë karakterizuar nga ngadalësimi i ritmeve të rritjes në pjesën e dytë të vitit dhe sinjalizojnë për presione të ulëta inflacioniste me natyrë monetare në ekonomi. Rritja vjetore e ofertës monetare rezultoi mesatarisht 5.9% në muajt tetor e nëntor, e mbështetur kryesisht nga zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë. Kërkesa për para e agjentëve të brendshëm ekonomikë ka qenë e ulët. Rritja e pjesëmarrjes së individëve në tituj të borxhit publik është reflektuar në një financim më të ulët të këtij sektori nga sistemi bankar. Kërkesa e bizneseve dhe individëve për financim është ngadalësuar ndjeshëm, duke reflektuar kërkesën e ulët për konsum e investime. Po kështu, bankat kanë vazhduar të ruajnë një përqasje më të kujdesshme në kredidhënie, duke zbatuar standarde të shtrënguara në përgjigje të pasigurive të perceptuara në nivel ekonomie dhe sektori. Në përgjigje të tyre, rritja vjetore e kredisë për ekonominë shënoi 4% në muajin nëntor. Kreditimi i ekonomisë është mbështetur në rritjen me 18% të kredisë në lekë, ndërkohë që kredia në valutë është reduktuar me 3.2%. Gjithashtu, rritja e kredisë vijon të udhëhiqet nga rritja e kredisë për bizneset, ndërkohë që kredia për konsum dhe për blerje banesash paraqitet mjaft e ulët.

Ecuria e deritanishme e aktivitetit ekonomik dhe projeksionet për vitin 2013, mbështesin vlerësimin për një rritje ekonomike pozitive, të përafërt me atë të vitit paraardhës. Kërkesa e huaj parashikohet të ruajë kontributin pozitiv në rritjen e aktivitetit ekonomik në vend, por ky kontribut pritet të jetë më i ulët si rrjedhojë e zhvillimeve të pafavorshme në vendet partnere dhe e diversifikimit relativisht të ulët të eksporteve shqiptare. Kërkesa private pritet të jetë gjithashtu pozitive, duke përfituar nga rritja e stimulit monetar dhe nga shfrytëzimi i kursimeve të brendshme. Së fundi, një stimul pozitiv në rritjen ekonomike pritet të japë, gjithashtu, edhe sektori publik. Pavarësisht rritjes pozitive, aktiviteti ekonomik në vend pritet të mbetet poshtë potencialit të tij edhe gjatë vitit në vazhdim dhe presionet inflacioniste nga ana e kërkesës pritet të mbeten të ulëta gjatë këtij horizonti kohor. Banka e Shqipërisë vlerëson se, me një probabilitet prej 90%, inflacioni vjetor parashikohet të luhatet në intervalin 0.8 – 3.8% pas 4 tremujorëve. Nivelet e ulëta të inflacionit vjetor dhe parashikimi për vijimin e tyre përgjatë horizontit kohor të politikës monetare, diktojnë ruajtjen dhe forcimin e natyrës stimuluese të politikës monetare gjatë katër tremujorëve të ardhshëm.

***

Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet mbi çmimet e konsumit në vend mbeten të ulëta përgjatë horizontit kohor të politikës monetare dhe janë zhvendosur në kahun rënës gjatë muajve të fundit. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit, me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në nivelin 3.75%. Ky vendim synon të krijojë kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të inflacionit në afat të mesëm. Lehtësimi i kushteve monetare ruan në nivele të ulëta normat afatshkurtra të interesit të tregjeve financiare, duke nxitur aktivitetin dhe duke ulur primet e tregtimit të likuiditetit në to. Nëpërmjet reduktimit të kostove të financimit, Banka e Shqipërisë synon rritjen e kredisë të konsumit dhe të investimeve në ekonomi. Ky mekanizëm transmetimi nxit kërkesën agregate dhe, në rrethanat aktuale, krijon kushte më të përshtatshme për respektimin e objektivit afatmesëm të inflacionit.

KOMENTE