English

Lisen Bashkurti komenton deklaratat provokuese të Agimit të Artë. Intervista e plotë

Prof. Dr. Lisen Bashkurti, President i Akademisë Diplomatike Shqiptare, dhe njëherësh Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë i Aleancës Kuq e Zi, gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ka komentuar deklaratat provokuese të Agimit të Artë, fatin e Rezolutës Çame, pa anashkaluar incidentet në Preshevë dhe aktualitetin politik. Duke u ndalur te deklaratat denigruese të ideologut neonazist të Agimit të Artë, Kristo Papas, Bashkurti e konsideroi Papas një lider fashist dhe mjeran kulturalisht, i cili tensionon më tej marrëdhëniet shqiptaro-greke. Bashkurti ka sqaruar edhe lindjen e fashizmit në Greqi, ndërsa ka deklaruar se një nga figurat më të spikatura të këtij fashizmit ishte kryeministri Metaksa. Bashkurti ka komentuar gjithashtu edhe betejën e Lëkursit të vitit 1878, kur një grusht trimash shqiptarë thyen mbretërinë greke.

-Z. Bashkurti, ideologu neonazist i Agimit të Artë, Kristo Papas, ka fyer dhe provokuar sërish shqiptarët, duke na konsideruar si grekë që kemi harruar identitetin. Papas tha gjithashtu se Skënderbeu është grek, ndërsa tha se hyrja e ushtrisë greke në Vorio Epirin e veriut është çështje kohe. A duhen marrë seriozisht këto kërcënime, duke parë edhe rolin në rritje të Agimit të Artë në Greqi?

Fashizmi në Greqinë politike ka traditë. Fashizmi lindi në Greqi në periudhën midis dy luftërave botërore, thuajse bashkëkohës me fashizmin italian. Nga figurat më të spikatura të fashizmit në Greqi ishte kryeministri Metaksa. Ai ishte njëlloj si Musolini në doktrinë, në sjellje dhe në veprime. Madje, Metaksa njihej si një prej miqve më të afërt dhe të respektuar të Musolinit. Ndonëse marrëdhënia midis Metaksasë dhe Musolinit u ndërpre mbas sulmit italian mbi Greqi në Luftën e Dytë botërore, sërish fashizmi ngeli në arenën politike greke si një prej alternativave të fuqishme që nuk u shuajt as pas lufte. Në periudhën e luftës civile në Greqi, doktrina fashiste ka qenë e pranishme dhe me ndikim të konsiderueshëm. Lobe me pikëpamje fashiste vijuan të mbeteshin me influencë jo vetëm në politikë dhe jetën shoqërore, por edhe në qarqe ushtarake e diplomatike. Akoma më komplekse është bërë lëvizja fashiste në Greqi kur ajo është pleksur me organizata kriminale dhe terroriste si MAVI e “17 Nëntori”. Kjo mpleksje ka qenë dhe mbetet aq e vështirë saqë sot është thuajse e pamundur për të identifikuar se ku nis fashizmi e ku mbarojnë veprimtaritë e këtyre organizatave famëkeqe. Në mënyrë te veçante fashizmi ka njohur ngritje dhe gjallërim ne jetën politike e shoqërore greke në periudhë krizash. Përgjithësisht, krizat prodhojnë e nxitin ekstremizmin në çdo shoqëri. Por, specifike për Greqinë është se gjithë krizat e thella që ajo ka kaluar mbas Luftës së Dytë Botërore, doktrina fashiste, me karakteristikat e saj më tipike, ka njohur ngritje dhe është shpalosur në trajta e forma nga më të ndryshmet pa tjetërsuar thelbin e vet, bazuar në nacional-shovinizmin, në racizmin kundër të huajve përgjithësisht e shqiptarëve posaçërisht, në forma nga më të ndryshmet e ksenofobisë dhe të sjelljeve e veprimeve të dhunshme, provokative e tensionues ndërmjet popujve e vendeve në Ballkan. Gjeopolitikisht në Rajon, fashizmi grek është shpalosur si një fill i pranishëm në politikën edhe zyrtare greke me pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë në doktrinën e Vorio Epirit, me kërkesa kufitare ndaj Bullgarisë, me synime detare ndaj Turqisë, Shqipërisë dhe Italisë, me provokime bllokuese për emrin e Maqedonisë. Thuajse me gjithë fqinjët Greqia ka pretendime të ndryshme, por në thelb me kërkesa territoriale, kufitare, detare apo identiteti. Hamendjet që hedh në tregun politik kreu i nazistëve grekë aktualisht kundër Shqipërisë, kanë kahje historike, që kanë të bëjnë me identitetin, Heroin tonë Kombëtar dhe kahje aktuale që lidhen me pretendimet territoriale për Shqipërinë e Jugut. Ky lider fashist i pabalancuar mendërisht, mjeran kulturalisht dhe provokator, politikisht futet në histori për të fyer popullin shqiptar përmes të pavërtetave, hyn në të kaluarën tonë për të provokuar ndjenjat e shqiptarëve përmes fyerjeve, ngacmon çështjet të mprehta territoriale për të tensionuar marrëdhëniet shqiptaro-greke, të cilat edhe pa ato nuk janë gjithaq të qeta e të qëndrueshme. Fatmirësisht, në Shqipëri nuk ka tradita fashiste në historinë politike dhe aktuale. Për konseguencë, “Agimi i Artë” në aksionin politik kundër Shqipërisë e shqiptarëve vetëm na bën që të rrisim vëmendjen, kujdesin dhe vigjilencën politike në nivel shtetëror, politik e shoqëror dhe asgjë më shumë. Duke qenë forcë fashiste pa homologe në Shqipëri “Agimit të Artë” i ngelet të flasë me veten e vet. Mrekullisht nga Shqipëria e shqiptarët askush nuk ka arsye të bjerë në lojën provokative të kësaj kaste fashiste, recidivë e Luftës së Dytë Botërore dhe prodhim e maskë e krizës komplekse aktuale Greke.

-Pak ditë më parë, ju u keni kujtuar nazistëve të Agimit të Artë humbjen tragjike në Betejën e Lëkursit dhe dështimin fatal të monarko-fashistëve grekë në Shqipërinë e Jugut në vitin 1949. Çfarë mesazhi keni dashur t’i jepni Agimit të Artë?

U kam kujtuar Betejën e Lëkursit të vitit 1878, sepse në atë ngjarje historike forcat shovene greke të mbështetura e të financuara fuqishëm nga Mbretëria Greke, u thyen tragjikisht nga një grusht shqiptarësh trima. Beteja ishte e pabarabartë, por humbja greke ishte aq e thellë saqë qeveria greke e kohës nga ajo humbje e paharrueshme nxori konkluzione që me shqiptarët të sillej ndryshe. Me këtë dua të them se ndryshoi taktike nga politika e forcës, ku dështoi fatalisht në përdorimin e forcës së politikës e diplomacisë, me të cilat arriti të realizonte disa synime, siç ishte përfshirja e Çamërisë në hartën politike greke mbas 1913. Një ngjarje mjaft e përafërt ishte edhe provokacioni i rëndë i monarko-fashistëve grekë në Krahinën e Korçës në gusht të vitit 1949. Edhe në atë provokacion ushtarak kundër territorit të Shqipërisë, trupat greke u thyen për turpin e tyre, pa mundur të cënonin as edhe një pëllëmbë tokë nga harta e politike e Shqipërisë. Natyrisht Greqia i ka në memorie këto dy humbje të mëdha. “Agimi i Artë” i di gjithashtu. Por, doktrina e fashizmit është pjesë e Megali Idesë, pra e nacionalizmit të sëmurë grek. Ajo prodhon tensione e kriza me Shqipërinë, trazon paqen e stabilitetin në Ballkan, por kurrsesi nuk mund të kërcënojë asnjë pëllëmbë tokë, det dhe ajër të Shqipërisë. Fashistët grekë, për mendimin tim, mund ta përdorin këtë taktikë për rritjen e fobisë ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi, për të nxitur ekstremistet e ndonjë segmenti grek në Shqipëri si dhe për të shmangur vëmendjen nga kërkesa e drejtë e plotësisht legjitime e popullit shqiptar për Çamërinë. Taktika fashiste e “Agimit të Artë” lexohet edhe pa pasur sy.

-Ndërkaq, rezoluta çame ka hyrë në procedurë parlamentare. Mendoni se ky Parlament ka kurajon të miratojë Rezolutën Çame?

Para së gjithash, më lejoni të bëj një histori të shkurtër të kësaj çështje. Në historinë komuniste çështja e Çamërisë u ngrit për herë të parë e të fundit nga Enver Hoxha në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946. Mbas asaj ngjarje çështja çame u ngri nga politika dhe diplomacia shqiptare. Lufta e Ftohtë e kaloi çështjen çame në harresë të plotë. Në takimin e parë midis Ramiz Alisë e Micotaqisit, atëherë kryeministër i Greqisë, u ringrit çështja e Çamërisë, por kalimthi dhe pa vëmendjen e politikës dhe medias. Mbas ndryshimeve politike të viteve ’90-të problemi serioz i Çamërisë u bë pjesë e bisedimeve nga ish presidenti Berisha, ish ministri Jashtëm Serreqi, nga ish-kryeministri Meksi si dhe ish ministri Jashtëm Ilir Meta. Duhet thënë se në tërë këto takime, çështja e Çamërisë është trajtuar shkarazi, pa thellësinë e seriozitetin e duhur, pa profesionalitetin multidisiplinor që ajo ka dhe pa koherencë. Në vitin 2002 u bë një projekt serioz i strategjisë për trajtimin e çështjes së Çamërisë nga politika, diplomacia, shoqëria civile, akademikët e segmente të tjera me rëndësi. Në këtë proces u përpilua edhe një draft-rezolutë për Parlamentin shqiptar në vitin 2003. Ai draft-rezolute nuk u kalua nga Parlamenti, sepse mazhoranca e kohës nuk pati vullnetin dhe kurajon e nevojshme politike për t’u përballur me politikën e diplomacinë greke. Tani është për t’u inkurajuar që PDIU e ringriti këtë çështje në Parlamentin aktual me paraqitjen sërish të një draft-rezolute mbi çështjen çame. Personalisht mendoj se draft-rezoluta duhet miratuar. Jo sepse rezoluta përbën akt juridik obligativ, por sepse ajo shpreh vullnetin dhe mbështetjen e Parlamentit për këtë çështje të politikës së jashtme të Shqipërisë. Rezoluta, nëse do miratohej, do përbënte një vlerë të shtuar që mund ta shndërronte çështjen e Çamërisë në pjesë të strategjisë së politikës së jashtme dhe të diplomacisë sonë zyrtare. Ngelet për t’u parë sesi do e trajtojë parlamenti i kësaj legjislature këtë draft-rezolutë. Nëse nuk do ta miratonte, nuk ka pikë dyshimi se do ishte një njollë e zezë në historinë e kësaj mazhorance dhe të tërë parlamentit.

-Z. Bashkurti, nga ana tjetër, Serbia provokoi tensionimin e rajonit, duke hequr me forcë përmendoren e heronjve të lirisë në Preshevë. Çfarë fshihet pas këtij akti që na kujton kohën e Millosheviçit?

Shumica e studiuesve të çështjeve Ballkanike kanë arritur në konkluzionin që politika serbe është kthyer prapa. Natyrisht kuadri kushtetues aktual i Serbisë krijon bazë juridike për nacional-shovinizmin dhe ksenofobinë serbe ndaj Kosovës e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Pa ndryshuar Kushtetuta e Serbisë, asgjë nuk mund të ndryshojë në themelin e politikës dhe diplomacisë serbe. Nga ana tjetër, lidershipi aktual përbëhet nga ish bashkëpunëtorë të ngushtë të Sllobodan Millosheviçit si dhe vazhdues besnik të politikave, qëndrimeve e sjelljeve të tij. Mjerisht koha ka shkuar përpara, liderët serbë shohin prapa. Kjo asimetri ka prodhuar një krizë në tërë marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve. Kriza ka përfshirë marrëdhëniet ndëretnike në Serbi, në Kosovë si marrëdhëniet ndërshtetërore midis Kosovës e Serbisë si dhe midis Shqipërisë dhe Serbisë. Me këto veprime Serbia ka shkelur konventa të OKB, konventa Evropiane dhe mjaft akte juridike ndërkombëtare që edhe vetë i ka ratifikuar dhe i ka shndërruar në akte juridike të brendshme. Mendoj se një nga nyjet e pazgjidhura në hapësirën Ballkanike ngelet çështja e pakicave etnike. Kudo ndeshemi me dubël standarde. Vijon prirja që shtetet të injorojnë deri në rrafshim pakicat etnike brenda tyre dhe të manipulojnë pakicat e veta jashtë tyre. Mendoj se në Kosovë e Shqipëri ka përpjekje serioze jo vetëm për njohjen, por edhe respektimin e gjithë pakicave. Ajo që nevojitet nga shteti ynë është që të kërkohet reciprocitet në trajtimin e pakicave shqiptare kudo që janë në rajon. Kjo përbën një nga pikat e dobëta të politikes dhe diplomacisë sonë. Në këtë lojë të komplikuar, është me rëndësi që shqiptarët, kudo që janë të mos bien pre e këtyre provokimeve, por të kenë vetëpërmbajtjen e duhur dhe të ruajnë sjelljen e kujdesshme ndaj pakicave të huaja brenda shteteve të tyre. Ndërsa komuniteti shqiptar në Preshevë, pa dyshim kërkon mbështetje serioze nga dy shtetet tona: Shqipëria dhe Kosova, brenda kuadrit juridik ndërkombëtar dhe brenda reciprocitetit diplomatik bilateral.

-Qeveria shqiptare ka deklaruar se do të rishikojë marrëdhëniet me Serbinë, por në të njëjtën kohë Kuvendi i Shqipërisë miratoi një marrëveshje me Kosovën për ekstradimet në gjuhën serbe. Si e shihni reagimin e qeverisë shqiptare?

Deklarata për rishikimin e marrëdhënieve me Serbinë, për sa kohë nuk shoqërohet me hapa konkretë politik e diplomatik bilateral e multilateral në organizmat ku Shqipëria e Serbia bëjnë pjesë, është thjeshtë një retorikë politike dhe asgjë më shumë. Madje, është një retorikë e dëmshme.

-Pas Aleancës Kuq e Zi, edhe kryeministri ka artikuluar javët e fundit teza nacionaliste. A kemi të bëjmë me një vetëdije të re kombëtare apo një llogari elektorale për zgjedhjet e 23 Qershorit?

Për mendimin tim retorika e kryeministrit të Shqipërisë ka dy arsye: së pari, synon të largojë vëmendjen nga dështimet e rënda në agjendën e brendshme duke prodhuar “furtunë në gotë” me fqinjët në rajon; së dyti, synon që të manipulohet me kartën e nacionalizmit për fushatën e ardhshme elektorale. Mirëpo kjo taktikë plot retorikë histerike nacionaliste në gojën e kryeministrit prodhon shqetësim të brendshëm, rajonal e ndërkombëtar. Pa folur për plagjiaturën programore që kryeministri huazon nga Aleanca Kuq e Zi, që identifikohet si forca politike moderne më patriotike në arenën politike shqiptare aktualisht.

-Kremtimi i 100 vjetorit të historisë rihapi debatin për figurat që kanë dominuar në këtë 100 vite shtet. Si e shikoni rivlerësimin e Zogut dhe a u la në hije Ismail Qemali, Naim Frashëri dhe Fan Noli?

Mendoj se festimet e 100 vjetorit patën unitet mbarë shqiptar nga poshtë dhe përçarje të thekshme politike dhe historike nga lart. Gjithashtu, mendoj se edhe këtë herë politika futi hundët në histori dhe historia mbeti nën hijen e rëndë të politikës. Ky gabim i përsëritur solli fragmentime, solli shtrembërime, solli paqartësi e pasaktësi. Sikundër mund të thuhet se la në hije, la të harruar e mënjanuar mjaft personalitete shqiptare e të huaja me kontribute në historinë politike të shtetit shqiptar. Në atdhe ka varr për të gjithë dhe bëjnë mirë që sjellin këdo dhe nga kudo për t’u prerë në dheun amë. Por, mbi tokë nuk ka vend për çdo monument. Monumentet kërkojnë një kohezion të madh respekti mbarë shoqëror. Secili e gjykon këtë aspekt edhe brenda pyetjes tuaj.

-Le të ndalemi pak te aktualiteti politik. Opozita ka denoncuar tentativat e para të mazhorancës për të manipuluar zgjedhjet. A janë të rrezikuara zgjedhjet e 2013?

Mendoj se nuk po shkohet drejt zgjedhjeve me qetësi, seriozitet e garanci për mbajtjen e tyre të lira e të ndershme. Përgjegjësinë themelore për procesin zgjedhor e ka qeveria, mazhoranca dhe institucionet kushtetuese për administrimin dhe certifikimin e zgjedhjeve. Opozitës i ngelet përgjegjësia e bashkëpunimit mbi një bazë sa më të gjerë demokratike, për një koalicion mbarëkombëtare e gjithëpërfshirës. Do të tërhiqja vëmendjen se zgjedhjet këtë radhë janë jo vetëm testi i fundit i këtij lidershipi, por mund të jenë edhe testi i fillimit të një krize shumë serioze në vend. Duke pasur parasysh edhe sfondin e thellë të krizës ekonomike në vend, Shqipëria po shkon drejt dy alternativave: ose drejt ringritjes së ngadaltë mbas zgjedhjeve të lira e të ndershme, ose drejt modelit të pashmangshëm të krizës Greke. Alternativë të tretë nuk shoh.

-Është krijuar ideja se partia në pushtet do t’i fitojë zgjedhjet me çdo kusht. A besoni tek rotacioni politik në zgjedhjet e 2013?

Nëse mazhoranca mendon kështu, atëherë ka probleme me mendjen e saj. Por, besoj se edhe brenda mazhorancës ka nga ata që mendojnë se “mjaft është mjaft”. Qeveria është tej mase lodhur. Qeverisja është e konsumuar. Parlamenti ngjason me një fushë gladiatorësh pa fuqi e energji politike. Administrata është e frustruar dhe tërësisht e paralizuar. Rendi e siguria janë përtokë. Ekonomia është në recesion të dukshëm. Kriza e CEZ, e Albpetrolit dhe borxhi shumë i lartë përbëjnë kërcënime për të gjithë. Shqipëria ka nevojë emergjente rotacion dhe rifreskim politik. E them këtë sepse termi “rotacion” në Shqipëri ka funksionuar, por e keqja është ngulitur te mungesa e rifreskimit të lidershipeve. Prandaj, Aleanca Kuq e Zi është e vetmja alternativë që përdorë definicionin dy fjalësh “rotacion dhe rifreskim”. Rotacioni është i domosdoshëm. Por, pa rifreskim është i pamjaftueshëm. Të dyja së bashku sjellin ndryshimin që ka nevojë vendi e demokracia në Shqipëri. Unë besoj te rotacioni këtë herë. Natyrisht, nuk besoj se këtë herë do kemi edhe rifreskim. Ky i fundit ngelet për vitet që vijnë. Vendi prodhon ngadalë lidershipe të reja.

-Pavarësisht angazhimit të faktorit ndërkombëtar dhe amendimit të herëpashershëm të ligjit elektoral, Shqipëri nuk arrin të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Komenti juaj?

Kur ka vullnet ka zgjidhje. Kur nuk ka vullnet nuk ka zgjidhje. Nuk janë ligjet që prodhojnë moralin, por është morali politik që prodhon ligjet. Dhe midis moralit e ligjit është respektimi i ligjeve që pasqyron shndërrimin e fjalës në realitet. Tek ne zgjedhjet kanë shprehur dështimin më të rëndë të klasës politikë gjatë tranzicionit prej dy dekadash. Prandaj, qytetarët janë më të shqetësuar për mbrojtjen e votës, sesa për vetë votën. Procesi është kthyer me kokë poshtë. Nuk ka dyshim se pjesë e këtij dështimi janë edhe ndërkombëtarët. Sidomos OSBE/ODIHR, si organizatë dhe agjensi të specializuara për zgjedhje. Por, mendoj se këtë herë, qytetarët shqiptarë do të dinë të votojnë dhe të mbrojnë votën e tyre, sepse luhet drejtpërdrejtë me të ardhmen.

-Kodi Zgjedhor dikton krijimin e koalicioneve për të mbijetuar politikisht. Në cilin krah do të rreshtohet Aleanca Kuq e Zi?

Aleanca Kuq e Zi është lokomotiva më atraktive dhe më energjike e opozitës së sotme. Aleanca po punon për fuqizimin e saj në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Ajo do renditet në krahun më progresiv, më modern, më euro-atlantik dhe më shpresë-dhënës të politikës për mbarë popullin shqiptar. Vendimin përfundimtar Aleanca Kuq e Zi do e marrë në kohën e duhur.

KOMENTE