Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, përmes një letre ka shprehur konsideratat dhe mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës, për sekretaren Hillary Clinton, me rastin e përfundimit të mandatit në krye të Departamentit të Shtetit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në letër, ministri Hoxhaj shpreh mirënjohjen më të thellë për përkrahjen e palëkundur të sekretares Clinton, dhënë për Kosovën.
Hoxhaj ka theksuar se Clinton u bë simbol i shpresës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Dëshiroj t'ju shpreh mirënjohje për mbështetjen e pakufishme dhe për përkrahjen Tuaj personale për popullin dhe Qeverinë e Kosovës, në proçesin e shtetndërtimit dhe të ardhmen euroatlantike. Ju falënderoj për përkushtimin dhe besimin që gjithmonë keni pasur në progresin e shtetit tonë. Ne jemi krenarë që e kemi përmbyllur suksesshëm implemtimin e Planit Ahtisaari dhe e kemi përmbyllur mbikqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë sonë. Me ndihmën Tuaj, Kosova është tani, një shtet i kompletuar në të gjitha aspektet, e vendosur që të kontribuojë aktivisht si një shtet kredibil dhe i respektueshëm i komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë ministri Hoxhaj.
Hoxhaj po ashtu ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të sekretares Clinton në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, përmes arritjes së njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
“Ne do t’iu jemi gjithnjë falënderues për përpjekjet Tuaja në anëtarësimin tonë në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj, duke shprehur urimet dhe konsideratat më të larta të popullit të Republikës së Kosovës për sekretaren Clinton.