Ministri i Punëve të Jashtme z. Edmond Panariti priti dje në një takim ambasadorin grek në Tiranë, Leonidas C. Rokanas.
Tema kryesore e takimit ishte çështja e toponimeve, dhe nevoja për një zgjidhje urgjente të këtij problemi, i cili ka shkaktuar jo pak pengesa për lirinë e lëvizjes së shtetasve shqiptarë që udhëtojnë drejt Greqisë.
"Problemi i toponimeve në pasaportat e fëmijëve shqiptarë, që kanë lindur në shtetin grek, ka vënë në lëvizje Ministrinë e Punëve të Jashtme. Greqia i ka kërkuar Shqipërisë, nëpërmjet ambasadës së saj në Tiranë, të heqë nga pasaporta ‘vendlindja Çamëri’ për të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë lindur në qytetet dhe fshatrat çame që ndodhen në Greqi".
Ministri Panariti theksoi se Qeveria Shqiptare ka paraqitur tashmë një propozim për zgjidhjen e kësaj çështjeje, bazuar në praktikat ndërkombëtare, dhe mbetet e hapur për dialog në mënyrë që ky problem të adresohet sa më shpejt dhe në mënyrë përfundimtare.
Dy bashkëbiseduesit ranë dakord që të intensifikohen negociatat për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes takimeve mes grupeve të punës të ngritura në vendet respektive.
Gjithashtu, ministri Panariti kërkoi që të publikohet një informacion zyrtar rreth intepretimit të Kodit Shengen nga autoritetet kufitare greke, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë një udhëzim të qartë për përllogaritjen e afateve të hyrje-daljeve në shtetin grek, duke shmangur kështu penalizimin e tyre në pikat e kalimit kufitar.
Ministri Panariti dhe ambasadori Rokanas shprehën vullnetin e ndërsjelltë për të zgjidhur pa vonesa çështjet teknike që janë në interes të qytetarëve.