Eduard Shalsi tregoi se në analizën e saj PS është mbështetur edhe në konsultime të plota e të shumta të zhvilluar me ekspertë të fushës, nga të cilat është konkluduar se shqiptarët nga privatizimi vetëm humbasin.
Ai ka pohuar se nuk do ta njohim privatizimin e 4 Hec-eve të cilin po e kryen qeveria në kundërshtim me interesat e shqiptarëve. Pas privatizimit çmimi me të cilin shqiptarët do të blejnë energjinë që prodhojnë këto hidrocentrale do të jetë 20 milionë euro më shumë nga sa paguajnë sot. Deputeti socialist tha se kjo është arsyeja se pse dosja është çuar tashmë në prokurorinë e Tiranës.
Në deklaratën e tij për media, deputeti socialist ka theksuar:
"Privatizimi i 4 HEC të Ulzës, Shkopeti, dhe Bistricës 1 dhe 2, është, padyshim, një nga skandalet më të mëdha të qeverisë Berisha. E megjithatë Sali Berisha me kokëfortësi vazhdon procesin e shitjes së 4 HEC-ve.
Pas konsultimeve me specialistë të fushës, pas diskutimeve me profesionistë të ekonomisë arritëm në përfundimin se shqiptarët jo vetëm që nuk përfitojnë nga ky privatizim, por madje humbasin me miliona euro prej tyre. Dhe pikërisht kjo ka qenë arsyeja se pse e kemi kundërshtuar dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë.
Së pari, procesi nuk ka qenë transparent. Që nga momenti i parë i njoftimit për shitje, kriteret e privatizimit janë ndryshuar disa herë në mënyrë të pakuptueshme, ndërkohë që asnjëherë nuk u publikuan pasqyrat financiare të 4 HEC-eve, në mënyrë që gjithkush të kishte mundësinë t’i shikonte dhe të gjykonte.
Sikur të mos mjaftonte kjo, pas dështimit të shitjes së HEC-eve në vjeshtën e vitit 2012, qeveria Berisha ndryshoi, madje, edhe kriterin e investitorit strategjik.
Ligji e përcakton qartë: Investitori duhet të jetë një kompani me reputacion rajonal dhe me aktivitet në tregun ndërkombëtar të energjisë. Por kjo kërkesë ligjore u hoq me VKM të Saliut duke i hapur rrugë çdo lloj investitori. Për më tepër, e gjithë kjo u bë në mungesë të plotë transparence.
Së dyti, pritshmëria e qeverisë ka qenë për të përfituar rreth 235 milionë euro gjë që lehtësisht kuptohet nga shuma e garancisë së ofertës që qeveria kërkoi në fillim të procesit të privatizimit.
Për të provuar këtë mjafton të bëhet një llogari fare e thjeshtë bazuar në një tjetër privatizim të një HEC-i, nga po kjo qeveri. Kështu, HEC-i i Lanabregasit u shit me një çmim prej 3 milionë euro për 1 mw/h fuqi të instaluar.
Katër HEC-et në fjalë, nga ana tjetër, qeveria po i shet me një çmim prej 1.4 milion euro për 1 mw/h fuqi të instaluar. Është pikërisht kjo diferencë e pajustifikueshme në çmimin e shitjes së 4 HEC-eve që e shtyu Partinë Socialiste të bëjë edhe denoncimin në prokurorinë e rrethit Tiranë.
Së treti, të 4 Hidrocentralet që po privatizohen në këtë mënyrë, janë operative dhe fitimprurëse. Aktualisht, ato prodhojnë 400 milionë mw/h, ose 5.6 % të konsumit shqiptar. Për më tepër, diferenca e çmimit të cilin paguajnë shqiptarët sot për këto 400 milionë mw/h me çmimin që do t’i paguajnë nesër, pas privatizimit kompanisë private për të njëjtën sasi energjie është plot 20 milionë euro. Pra, nga xhepat e shqiptarëve do dalin 20 milionë euro më shumë për të njëjtën sasi energjie. Atëherë ku qëndron leverdia për qytetarët, sepse është fare e qartë se ku qëndron leverdia për kompaninë që do t’i privatizojë këto HEC-e?
Për të gjitha këto arsye Partia Socialiste është kundër shitjes së 4 HEC-eve. Këtu bëhet fjalë për një proces qartësisht të parregullt privatizimi, i cili për më tepër do të dëmtojë interesat financiare dhe ekonomike të qytetarëve shqiptarë, do të thellojë edhe më tej krizën ku e ka futur Sali Berisha sistemin energjetik me një tjetër privatizim të dështuar siç ishte ai i CEZ, dhe do të rëndojë edhe më tej financat e drobitura të shtetit shqiptar, të cilit tanimë i duhet të marrë përsipër faturën e dështimit të CEZ dhe keqmenaxhimit të sistemit energjetik. Ne e kemi çuar këtë privatizim në Prokurori të bindur se ky proces shitje është kryekëput i parregullt dhe e përsërisim sërish zotimin tonë se pas 23 qershorit nuk do ta njohim këtë privatizim".