Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi priti në 29 janar, në një takim pune ambasadorin britanik z. Nicholas Cannon me të cilin bisedoi rreth disa projekteve dhe detyra të përbashkëta që do të realizohen gjatë këtij viti mes dy vendeve.
Në qendër të bisedimeve ishte zbatimi i marrëveshjes bilaterale për transferimin e personave të dënuar , e cila u firmos nga Ministri Halimi dhe homologu i tij britanik , z. Jeremy Wright dy javë më parë në Londër. Nënshkrimi kësaj marrëveshje, siç theksoi edhe ambasadori britanik në fjalën e tij është tregues i intensifikimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në fushën e drejtësisë. Ajo krijon lehtësi për personat e dënuar në të dyja shtetet për vuajtjen e dënimit në vendin e origjinës.
Zbatimi i saj, sipas Ministrit Halimi, do të nisë menjëherë pas përfundimit të procedurave të brendshme në të dy vendet për hyrjen në fuqi të marrëveshjes. Këto procedura kërkojnë të paktën 2 muaj kohë.
Ndërkohë Ministri Halimi me qëllim zbatimin model të saj ka propozuar ngritjen e Task Force e cila do të përcaktojë modalitetet e bashkëpunimit.
Ngritja e Task-Forcës së përbashkët u konsideruar e rëndësishme edhe për Ambasadorin britanik, i cili e cilësoi “si mënyra më e mirë për të operuar me eficensë në drejtimin të zbatimit të marrëveshjes bilaterale.”
Më tej biseda u përqendrua rreth disa propozimeve të Ministrit Halimi të cilat kanë si synim vazhdimin e asistencës teknike në shërbimin e provës me trajnimin të eksperteve që do të punojnë për zbatimin e mbikëqyrjes elektronike; trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përgatitja e tyre për zbatimin e akteve të marrëveshjes së transferimit ; sigurimin e asistencës teknike në privatizimin e burgjeve të sigurisë së ulët, privatizimin e shërbimeve të caktuara në sistemin e burgjeve si dhe në drejtim të ngritjes së kapacitete monitoruese në Shërbimin e Kontrollit të Burgjeve.
Ambasadori Cannon shprehu mbështetjen e tij dhe qeverisë britanike për propozimet e Ministrit Halimi duke vlerësuar se reformat e shpallura janë një mundësi e mirë për uljen e kostove financiare, përmirësimin e trajtimit të të dënuarve dhe modernizimin e mekanizmave kontrollues në shërbimin e burgjeve.
Ambasadori shprehu mbështjen pa rezervave të propozimeve të ministrit duke i konsideruar ato si prioritare për sistemin e drejtësisë ndërsa Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi gjeti rastin ta falënderojë atë për ndihmën e pakursyer britanike në këtë drejtim.