English

Shqipëria do të koordinojë gjithë aktivitetin e ECOSOC-ut gjatë këtij viti

Gjatë takimit të parë të Këshillit Ekonomik e Social të Kombeve të Bashkuara (ECOSOC) për vitin 2013, të mbajtur në Nju Jork më datë 28 janar 2013, Shqipëria u zgjodh anëtare e byrosë në cilësinë e Zëvendës Presidentit të Këshillit. Kjo zgjedhje u arrit në kuadër të punës së Ministrisë së Punëve të Jashtme për rritjen e rolit të Shqipërisë në diplomacinë shumëpalëshe.

ECOSOC përbëhet nga 54 anëtarë, Shtete anëtare të OKB së. Ai shërben si forum qendror për diskutimin e çështjeve ndërkombëtare ekonomike dhe sociale, si dhe për formulimin e rekomandimeve të politikave në adresë të shteteve anëtare dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara.

Në cilësinë e Zëvendës Presidentit të Këshillit ECOSOC, së bashku me Presidentin si dhe tre anëtarët e tjerë të Byrosë, Shqipëria do të koordinojë gjithë aktivitetin e ECOSOC-ut gjatë këtij viti. Në mënyrë të veçantë, Shqipëria do të drejtojë punimet e ECOSOC-ut mbi Aktivitetet Operacionale të OKB-së. Vendi ynë do të përfaqësohet në Byronë e këtij organi nga Përfaqësuesi i Përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara, Ambasadori Ferit Hoxha.

KOMENTE