Vangjel Tavo, ministri i Shëndetësisë, ka zhvilluar një vizitë pune në rajonin e Navarrës (Spanjë). Gjatë qëndrimit një ditor z. Tavo, i cili shoqërohej nga përfaqësues të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Presidenti i Shoqatës së Gjinekologjisë prof. Nikita Manoku, u prit nga Ministria e Shëndetësisë e Rajonit të Navarrës, znj.Marta Vera dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Shëndetësore të Navarrës, z. Ángel Sanz Barea. Gjatë vizitës Ministrit Tavo, i është rezervuar një takim i veçantë dhe nga Presidentja e Rajonit, znj. Yolanda Barcina.
Mes dy ministrave është folur mbi mundësinë e shkëmbimeve të ndërsjellta në fushën e profesionistëve dhe trajnim të
mjekëve, veçanërisht në fushat e onknologjisë , radioterapisë, transplanteve dhe menaxherëve të shëndetit. Kjo e fundit, është cilësuar nga Ministri Tavo si një fushë e re dhe me nevoja shumë të mëdha në sistemin tonë shëndetësor.
Gjatë vizitës, z. Tavo ka vizituar dhe spitalin e Navarrës një qendër e specializuar, veçanërisht në trajtimin e sëmundjeve Onkologjike dhe është njohur nga afër me mënyrën e menaxhimit dhe funksionimit të këtij spitalit. Mes autoriteteve të larta shëndetësore të Rajonit të Navarrës dhe delegacionit shqiptar është diskutuar dhe mundësia e binjakëzimit të Kompleksit Spitalor të Navarrës dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.