Në një atmosferë fantastike dhe shumë entuziaste është hedhur shorti për kampionatin më të ri të të rinjve në futboll. Një garë e nisur nga të rinjtë e Partisë Socialiste të kryeqytetit që ka arritur një numër surprizues prej 176 skuadrash futbolli, 80 % e të rinjve pjesëmarrës në këtë kampionat shumë të veçantë nuk janë anëtarë të Partisë Socialiste. Ata u bashkuan të gjithë në ceremoninë e hedhjes së shortit në Teatrin e Operës dhe Baletit të enjten në mbrëmje për të festuar, për të brohoritur skuadrën e tyre, për të dëgjuar mesazhet lidhur me atë çka partia më e madhe në Shqipëri, kishte për t’u thënë sa i takon Programit për një Rilindje Shqiptare për Sportin.
Deputeti socialist, njëherësh kryetar i grupit të punës për programin për sportin, Fidel Ylli teksa fliste dhe bisedonte shumë lirshëm me të rinjtë e mbledhur së bashku për të garuar u shpreh se “PS nuk do të sillet me sportin njësoj siç u soll partia që sot qeveris pa marrë mandatin e qytetarëve, duke shkrirë në hi një historinë e një klubi, siç ishte klubi Partizani, i ngritur në vite, thjesht dhe vetëm për interesa të dhëndrit të kryeministrit. Programi ynë për sportin është i shoqëruar edhe me faturën përkatëse financiare, është i menduar në çdo detaj. Nuk do të lejojmë në qeverisjen e Partisë Socialiste që të ikin nga Shqipëria talentet e vendit tonë. Përkundrazi!”
Ndërsa kryetari i Degës së Tiranës Saimir Tahiri në fjalën e tij tha ndër të tjera se PS e ka ekipin dhe liderin për të fituar garën e 23 qershorit. “Politika dhe sporti kanë shumë të përbashkëta. Në të dyja duhet një strategji dhe ne e kemi strategjinë për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit. Në të dyja duhet ekip dhe frymë ekipi dhe ne në Partinë Socialiste e kemi ekipin për të fituar zgjedhjet në 23 qershor. Në të dyja duhet një lider dhe ne e kemi liderin për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit, që është Edi Rama. Unë shpresoj që pas kësaj gare t’i bashkoheni garës së madhe të Partisë Socialiste për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit”, përfundoi fjalën kreu i Partisë Socialiste për Tiranën Tahiri. I gjithë aktiviteti është shoqëruar me batuta humor dhe brohoritje pafund të të rinjve që ishin gati për të nisur garën.