Kryeministri Berisha po merr pjese në punimet e Konferencës se 49-të të Sigurisë ne Mynih, një event ky i përvitshëm me rëndësi globale në fushën e politikës së sigurisë, e cila që nga viti 1962, angazhon personalitete të larta nga mbarë bota në fushën e politikëbërjes, të mbrojtjes, mendimit, biznesit dhe medias në një diskutim të gjerë mbi çështjet kryesore të sigurisë të kohës sonë dhe sfidat potenciale në të ardhshmen.
Konferenca u hap dje nga ambasadori Wolfgang Ischinger, kryetar i KSM dhe në ditën e parë të punimeve, në disa panele të rëndësishëm, u diskutua mbi krizën në Zonën Euro dhe të ardhmen e Bashkimit Europian, mbi zbulimet e reja të naftës dhe gazit amerikan si dhe Ndryshimin e gjeopolitikës së energjisë.
Në ditën e dytë të punimeve te saj, sesione të veçanta, në Konferencë u adresuan pikëpamje mbi të ardhmen e bashkëpunimit të komunitetit euro-atlantik të sigurisë, roli i fuqive në rritje për sigurinë ndërkombëtare, siguria dhe stabiliteti në Europën Juglindore dhe Kaukaz dhe çështje aktuale të sigurisë globale si kriza në Siri dhe Mali, energjia, siguria kibernetike.
Në një prononcim për Televizionin Shqiptar, kryeministri Berisha u shpreh:
Siç dihet kjo është konferenca më e rëndësishme për sigurinë që organizohet në ndonjë vend. Sot seanca kishte të ftuar kryesor zëvendës presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joseph Biden, i cili bëri një ekspoze të shkëlqyer të bilancit katër vjeçar të mandatit të parë Obama-Biden dhe shpalosi qëndrimet e Shteteve të Bashkuara, për sigurinë globale për mandatin që vjen.
Në ekspozenë e tij, zv/presidenti Biden, i cili i është adresuar kësaj konference katër vite më parë, bëri një bilanc të pasur suksesi të mandatit të parë të Presidentit Obamam dhe Biden dhe njëkohësisht paraqiti objektivat e politikës së jashtë për sigurinë globalë dhe siguroi se për SHBA, Europa është një aleate esenciale. Natyrisht Shtetet e Bashkuara janë një fuqi përtej Atlantikut dhe kjo është në interesin më të mirë të Europës , sikundër është në të mirën e saj, të angazhohet dhe të kontribuojë dhe ajo në përballimin e sfidave të sigurisë në Pacifik dhe kudo në Botë si dhe për promovimin e demokracisë dhe vlerave të saj në kontinente dhe vende të tjera.
U diskutua gjerësisht për marrëdhëniet, partneritetin me Rusinë, marrëdhëniet me Kinën. Fjala ishte shumë inkurajuese. Ndër të tjera zëvendës presidenti preku edhe çështjen e Greqisë ku ftoi Europën të rishikojë qëndrimin ndaj atyre, që quhen standarde në mënyrë që të liberalizohet më tej tregtia midis dy anëve të atlantikut. Seancës iu adresua Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, Zëvëndëspresidentja e Komisionit Europian dhe Përfaqësuese e Lartë për Çështjet e Jashtme e Politikën e Sigurisë së Bashkimit Europian, Baronesha Catherine Ashton, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Ministri i Jashtë i Rusisë dhe mund të them se, kjo përbënte edhe seancën kulmore të Konferencës së 49 të Sigurisë në Mynih.
Natyrisht për mua ishte një kënaqësi e madhe që merrja pjesë në këtë Konferencë, si përfaqësues i një vendi anëtar i NATO-s, një vend i vogël, por që jep kontributin e vet modest në paqen dhe sigurinë globale, me praninë e vet në Afganistan dhe zona të tjera të nxehta.
Pata rastin të takoj përzemërsisht zëvendës presidentin Biden, ta ftoj atë për të vizituar Shqipërinë dhe ta falenderoj për mbështetjen që administrata e Presidenti Obama dhe zëvendës presidentin Biden i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe zëvendës presidenti pranoi me shumë kënaqësi ftesën për të vizituar Shqipërinë. Një vend tha ai se : - “ Unë e dua me gjithë zemër Shqipërinë, një vend për të cilin kam konsideratën dhe respektin më të madh”.
Gjatë qëndrimit aty dje dhe sot, jam takuar shkurtimisht dhe kam biseduar me përfaqësues të vendeve të ndryshme si ministra të jashtëm, zyrtarë të lartë në fushën e sigurisë. Mund të them, ashtu si edhe në vitet e kaluara ku ishte e pranishme Sekretarja Clinton dhe Sekretari i Pentagonin Paneta, edhe këtë vit ka një prani shumë të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë rreth 70 delegacione, por natyrisht tonin këtu ia japin Shtetet e Bashkuara, si përgjegjësit kryesore për sigurinë në botë.