Kryeministri Berisha në ditën e dytë të punimeve të Konferencës së 49 të Sigurisë në Mynih, mbajti një fjalë në sesionin me temë "Siguria dhe Stabiliteti në Evropën Jug - Lindore dhe Kaukaz". Drejtues i këtij paneli ishte Marti Ahtisaari, ndërsa referues dhe të pranishëm ishin dhe George Ivanov President i Maqedonisë, Presidenti Kroacisë Ivi Josipovic, Milo Dukanovic Kryeministër i Malit të Zi, Miroslav Lajcak Zëvendës kryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Sllovakisë, Gulio Terzi di Sant'Agata ministër i jashtëm i Italisë, Agim Çeku ministër i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Elmar Maharam Mammadyarov ministër i jashtëm i Azerbajxhanit, Maya Panjikidze ministre e jashtme e Gjeorgjisë, Erlan Idrissov ministër i jashtëm i Kazakistanit, europarlamentari Elmar Brok, ish ministrja e jashtme greke Dora Bakoyannis, politikanë dhe gazetarë të ndryshëm.
Më poshtë fjala e plotë e kryeministrit Berisha:
Faleminderit zoti President Ahtissari,
Shfrytëzoj rastin për të përshëndetur kontributin tuaj të madh për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ballkani është një prej rajoneve që ka ndryshuar më shumë dhe unë besoj se, në të njëjtën kohë është një nga investimet më frytdhënëse të bëra nga vendet perëndimore për paqen dhe demokracinë. Në asnjë rajon tjetër që përjetoi konflikte nuk ka patur zhvillime kaq pozitive sa në rajonin tonë gjatë këtyre viteve.
Unë jam shume dakort me presidentin Josipovic, se rajoni ka nevoje për pajtim. Çfarë na mëson modeli europian; ai na fton të punojmë të ecim drejt pajtimit. Mendoj se kjo është vendimtare për ta parë njëri - tjetrin si kombe dhe vende që ndajnë një të ardhme dhe vullnetin për të ndarë të ardhmen. Jam dakort se integrimi është vendimtar, sepse në këtë proces, në një farë mënyre, idealet kombëtare duhet të shkojnë, të vishen me interesat e integrimit europian.
Por, ajo që unë konsideroj vendimtare për Rajonin është respektimi i plotë dhe implementimi i marrëveshjeve. Këto marrëveshje, në një farë mënyre më së shumti ishin marrëveshje të imponuara, por shumë të rëndësishme dhe përcaktuese. A janë implementuar të gjitha këto marrëveshje? Ende jo. Duhet të jemi të sinqertë, ende jo. Ato madje kërcënohen për tu harruar. Mirëpo kjo nuk ndihmon. Në fund të ditës më e rëndësishme se çdo gjë tjetër është, që qytetarët e këtij rajoni kudo që jetojnë të ndihen si qytetarë të barabartë përpara ligjit.
Zoti President
Unë e mora fjalën dhe dëshiroj që në këtë audiencë të nderuar të flas haptas dhe sinqerisht, siç është në traditën më të mirë të kësaj konference. Unë kam bindjen se albanofobia, në të gjitha qëndrimet kundrejt shqiptarëve, është e gjallë dhe në veprim dhe ajo kërcënon seriozisht stabilitetin në Rajon. Nëse ju shihni hartën e Europës, nuk gjeni vend tjetër të rrethuar nga bashkombas dhe deti, siç janë sot shqiptarët të ndarë në 5 shtete. Unë besoj se nëpërmjet procesit të Bashkimit Europian, kufijtë bëhen të pa rëndësishëm, por e rrezikshme është idea sipas të cilës meqenëse shqiptarët janë të copëtuar në 5 shtete duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme nga njeri- tjetri. Kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo do të prodhonte dhe provokonte reagimin e kundërt. Unë kam mbështetur dhe përshëndes dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Padyshim ai ka arritur disa suksese kyçe. Por mendoj se, qëndrimet e çliruara nga albanofobia dhe ecja drejt pajtimit janë vendimtare. Në rajon situata më delikate është ajo e shqiptarëve. Duhet ta pranojmë se janë i vetmi komb që jeton në 5 shtete. Një komb, i cili padrejtësisht është i ndarë në 5 shtete, një komb që dëshiron të shikoj drejt një të ardhme të përbashkët. Por, sërish albanofobia është akoma në veprim. Kur flas me miqtë e mi kroat, slloven dhe madje edhe me ndonjë serb, ata më pohojnë me sinqeritet se çfarë 'baruti" urrejtje dhe përbuzje është akumuluar gjatë një shekulli për shqiptaret. Kjo është e vërteta. Dhe kjo është e shprehur duke vonuar zbatimin e marrëveshjeve, duke përkujtuar fillimin e fushatave të asgjësimit masiv të shqiptarëve. Ne kemi menduar se ne duhet te adaptojmë modelin e BE, të bazuar në pajtimin midis Francës dhe Gjermanisë. Por kjo në rajon nuk po ndodh. Prandaj unë këmbëngul në implementimin e marrëveshjeve dhe refuzimin e çdo ideje, se shqiptarët për aq kohë sa jetojnë në 5 shtete duhet të kthehen në 5 kombe, sepse nuk do të pranohet nga shqiptarët. Kjo do të ketë për alternativë bashkimin e tyre kombëtar.
Me pas, Deputeti gjerman Rainer Stinner pyeti, se cili është mesazhi i kryeministrit Berisha për ta?
Kryeministri Berisha: Përgjigja ime për ju është thjesht: Ju lutem përpiquni të kuptoni më mirë, më drejt këto që unë paraqita këtu, të njiheni më miëe me realitetin në rajonin tonë. Dua ta ilustroj këtë me një shembull;
Në vitin 1992 unë kam qenë këtu në Mynih në të njëjtën Konferencë. Një gazetar italian i Corriere della Sera më pyeti se çfarë mendoja unë si zgjidhje për konfliktin në Rajon. Unë ju përgjigja se, zgjidhja qëndronte për mendimin tim në bombardimin e instalimeve dhe bazave ushtarake në Serbi. Ai të nesërmen hapi gazetën me lajmin: Berisha kërkon që NATO të bombardojë Beogradin. Por kjo nuk ishte e vërtetë. Unë isha shprehur për bombardimin e bazave ushtarake të Sërbisë dhe kjo 7 vjet më vonë ndodhi. Ndofta do kishte qenë më mirë të mos ishte vonuar. Edhe sot pas 21 viteve, e vetmja gjë që unë serish kërkoj nga ju është një analizë më realiste dhe më të vëmendshme për zhvillimet në Rajonin.
Sepse, në rast se nga njëra anë tjetri flet për perspektiven e marrëdhënieve bilaterale dhe nga ana tjetër feston datat e fillimit të fushatave të shfarosjes së kombit shqiptar, imagjinoni vetë se çfarë mesazhi fqinjësie është ky. Prandaj e konsideroj të domosdoshme të zbatohen marrëveshjet, të punohet për klimën e pajtimit. Duhet të hiqet dorë nga albanofobia dhe përpjekjet për të klonuar 5 kombe shqiptare të veçanta nga një komb , i cili në të vërtetë është një dhe në shekuj e mijëvjeçarë ka qenë vetëm një. Unë shpresoj se perspektiva Europiane do të jetë ajo që do të siguroje një zgjidhje. Kur gjermanët dhe francezët u bashkuan në BE, ata u bashkuan me një frymë të fortë pajtimi , dhe ata u udhëhoqën prej saj dhe frymëzuan kombet e tjera në Europë, por në të vërtet kjo nuk po ndodh në rajonin tonë.