English

Babai Engjo Ucaj, rrëfen në gjykatë, historinë e vrasjes së të birit

Krimi i dyfishtë brenda familjes ku 27-vjeçari Sokol Ucaj së bashku me bashkëjetuesen e tij italiane 24 vjeç u ekzekutuan me kallash nga 65-vjeçari Engjo Ucaj, babai i viktimës, ka tronditur qytetin e Elbasanit. Policia në versionin e saj zyrtar ka bërë të ditur se krimi i dyfishtë në familjen Ucaj ka ndodhur si pasojë e ashpërsimit të konflikteve të vazhdueshme mes kryefamiljarit Engjo Ucaj dhe djalit të tij Sokolit si dhe për shkak të problemeve ekonomike me të cilat ata po përballeshin kohët e fundit. Ndërkaq, kreu i Prokurorisë së Elbasanit, Elvin Gokaj u shpreh se nga ana e organit të akuzës po punohet për të zbardhur deri në detajet më pak të rëndësishme që kanë çuar në ashpërsimin e konfliktit babë e bir.
Dhe tashmë babi që vrau të birin dhe të dashurën e tij italiane Engjo Ucaj, ka rrëfyer në gjykatë më tepër në formën e një monologu sesa duke ju përmbajtur proçedurës gjyqësore.

“Mos më shikoni si kriminel; nuk jam i tillë. S`kam kryer kurrë ndonjë krim dhe as ndonjë vrasje. Kam vrarë tim bir, se nëse s`do ta vrisja unë, atë natë do të kishit të paktën katër viktima”. Kështu e ka nisur rrëfimin e tij në gjykatë, 65 vjeçari Engjo Ucaj. Ai qëndronte me sy të nxirë nga grushtet e të birit, brenda kafazit të hekurt të gjykatës duke dëgjuar faktet që paraqiste prokurori i çështjes për krimin e rëndë që kishte kryer. Ndërsa akuza kërkonte masën e arrestit me burg pa afat, për burrin që ka vrarë me dorën e tij të vetmin djalë që kishte, në momentin që gjyqtari i çështjes i ka dhënë fjalën, ai ka nisur të rrëfejë, më shumë hallin e tij që e detyroi të ndërmerrte atë akt të rëndë të vrasjes së dy personave se sa për tu dukur i pafajshëm në sytë e drejtësisë shqiptare.

Dëshmia e plotë në Gjykatë

Gjykata: Si nisi sherri?

“Pasditen që dolën nga komisariati, ku takuam inspektorin e zonës dhe disa punonjës të tjerë policie, sapo erdhëm në shtëpi ai nisi të na rrihte mua dhe nënën e tij. Ime shoqe mori telefonin me idenë për t’i telefonuar sërish policisë, por Sokoli ia mori telefonin dhe ia theu. Atëherë gruaja mundi t’i ikte nga duart dhe doli e lajmëroi fqinjët tanë që të thërrisnin ata policinë. Më goditi sa mundi. Më tërhoqi zvarrë dhe më pas më nxori në korridor dhe donte të më hidhte nga parvazi i katit të katërt. Do e bënte se unë e njihja mirë tim bir. Më dha zoti fuqi dhe u ngrita. Shkova dhe mora armën.

Ku e gjete armën, ku e kishe marrë?

Armën e ka sjellë im bir në shtëpi, pak ditë para krimit. E kishte lënë në divan dhe e kishte mbuluar me rroba. Një ditë më hasi dora në diçka të fortë. Nuk ishin në shtëpi. E mora dhe i hoqa fishekët dhe i fsheha, me idenë se nëse do të na vrasë të kemi kohë derisa të mbushë ai armën.

Pastaj si more armën që i qëllove?

Pasi më rrahu dhe më la në korridor ai shkoi në dhomën e italianes. Në atë kohë kam shkuar dhe kam marrë armën. Nuk mbaj mend asgjë, veç se kur ka dalë nga dhoma dhe më ka parë me armë në dorë, më ka thënë: ‘hë, maskara, e gjete ë?’. Nuk më kujtohet më asgjë. Vetëm kam qëlluar atë dhe më pas kam hyrë në dhomë dhe kam vrarë edhe italianen.

Pse nuk e denoncove djalin?

Kishte bërë burg në Itali, pavarësisht se nuk e dija se për çfarë. Mendova të mos bënte më burg, por policia nuk ndërhyri t’i bënte presion. Prej dy vitesh e dimë ne çfarë kemi hequr prej tij. Ne 160 mijë lekë të vjetra pension kemi dhe na rrihte nëse nuk ia jepnim. Atë ditë në mëngjes shkova të blija ilaçet dhe ai donte paratë. Kaq ishte e gjitha, është shrehur Engjo Ucaj.

Opinioni i fqinjëve

Fqinjët e familjes Ucaj, të tronditur së tepërmi nga ngjarja, shprehen se kanë pasur dijeni që babë e bir kishin konflikte të vazhdueshme. Ata shprehen se shkak për vrasjen mund të jetë bërë kërkesa e 27-vjeçarit drejtuar të atit për të ndarë shtëpinë. "Si gjithë familjet e tjera kishin edhe ata vështirësitë e tyre ekonomike, por jo aq të shumta saqë ajo të kthehej në shkak të një vrasje. Mesa duket, pretendimi për të ndarë shtëpinë mund t'i ketë hedhur benzinë konfliktit mes tyre që u mbyll me një fund tragjik", deklarojnë banorë të lagjes "Sul Paprri", në Elbasan ku ndodhi ngjarja. Fqinjët pohojnë gjithashtu se 27-vjeçari Sokoli, pas kthimit nga Italia me të dashurën italiane, e dhunonte të atin, pasi 65-vjeçari nuk e kishte pranuar lidhjen e të birit me një të huaj. Madje i ati ishte an-kuar edhe në polici për dhunën e ushtruar nga i biri.

KOMENTE