Fusha e Maliqit në rrethin e Korçës dalëngadalë po kthehet në identitetin e saj, në kënetë. Banorët e kësaj zone shprehen për mikrofonin e top-channel, se ndihen tepër të shqetësuar dhe ndodhen nën mëshirën e fatit pasi përpjekjet e tyre kanë shkuar në vesh të shurdhët nga instancat qeveritare.
Janë 200 hektarë tokë bujqësore që po rikthehen në kënetë, si pasojë e mosfunksionimit të kanaleve kulluese.
“Gjysma e tokës është e gjitha nën ujë. Gruri është prishur. Kemi bërë ankesa në komunë, por fondet e saj nuk mjaftojnë. Jemi në mëshirë të fatit”, shprehen fermerët.
Petrit Kupe, kryetar i komunës Libonik, thekson: “Toka është përmbytur nga mungesa e kullimit. I kemi informuar institucionet përkatëse, por deri tani nuk është bërë gjë.”
Prej disa vitesh këto kanale kulluese janë në varësi të qarkut por nga ky i fundit nuk është bërë asnjë ndërhyrje apo investim për zgjidhjen e situatës.