English

Investim mbi 1 miliardë lekësh, për rrugën Stërmas - Picallë - ish - reparti ushtarak –-Sauk - Garunjë e TEG

Me një investim prej mbi 1 miliardë lekësh të FSHZH (Fondi Shqiptar i Zhvillimit) ka nisur puna për ndërtimin e rrugës që lidh zonat e Stërmasit – Picallës – ish - reparti ushtarak – Sauk - Garunjë e TEG. Kjo rrugë me gjatësi 14.69 km do u shërbejë 30 mijë banorëve të bashkisë Tiranë e komunave Farkë e Petrelë. Rruga e re do të ketë një gjerësi asfalti 6 metra, sinjalistikë vertikale dhe horizontale, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, ndriçim dhe trotuare ne zonat e banuara.

Kohëzgjatja e punimeve për rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor do të zgjasë më pak se parashikimi prej 18 muajsh. Nisja e punimeve për këtë rrugë është inspektuar sot nga Kryebashkiaku Lulzim Basha, kryetari i njësisë bashkiake nr.2 z. Elez Gjoza, kryetari i komunës së Petrelës Ylli Kupi, kryetari i komunës së Farkës z. Fatbardh Plaku, drejtori i FSHZH Benet Beci e deputeti i zonës Gent Strazimiri. Kreu i Bashkisë së Tiranës ka shprehur angazhimin e tij për të bashkëpunuar me çdo të zgjedhur vendor të Tiranës, pavarësisht ngjyrave partiake që përfaqësojnë, në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.

“E kemi nisur bashkëpunimin që me hartimin e planit urbanistik të Tiranës dhe do ta vazhdojmë edhe me projekte të tjera të cilat kontribuojnë në cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, kontribuojnë për një jetë më të mirë. Do ta vazhdojmë me të gjithë komunat që e rrethojnë Tiranën, pavarësisht prej përkatësisë politike të kryetarit, sepse çfarëdo të jenë ngjyrat që kryetarët apo këshilltarët përfaqësojnë në Këshill, asgjë nuk mund të jetë më e rëndësishme se sa interesi i qytetarëve, ndaj edhe kjo rrugë që kalon në disa njësi vendore dhe është financuar nga qeveria qendrore është provë e qartë e bashkimit dhe bashkëpunimit, për hir të interesit të qytetarëve, sikundër mungesa e saj provë e qartë e faktit se kush ndërshkohet, kur nuk ekziston ky bashkëpunim” – u shpreh z. Basha.

Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha i ka garantuar banorët se Sauku është hequr nga harta e diskriminimit, me buxhetin e 2013. “Balta e rrugëve në Sauk, - tha Basha, - do të zëvendësohet me infrastrukturë moderne”.

“Dua të garantoj edhe njëherë banorët e Saukut, se Bashkia e Tiranës, duke e konsideruar këtë territor si pjesë të qytetit të Tiranës, është e vendosur të përparësojë projektet e paraqitura në këtë buxhet dhe ato dhjetëra rrugë që nuk e kanë njohur kurrë asfaltin, sepse paragjykimi apo injoranca e atyre që Saukun nuk e konsideruan qytet, vërtetohet më së miri nga shtresat e baltës që do të zëvendësohen me infrastrukturë moderne.

Jemi këtu për të bërë një autokritikë, në emër të Bashkisë së Tiranës, ndonëse jo në emër të administratës që unë drejtoj prej një viti e gjysmë. Jemi këtu për t’u thënë banorëve se koha kur keni qenë jashtë vëmendjes ka përfunduar. Jemi këtu për t’u thënë banorëve të Saukut, Farkës e Petrelës dhe banorëve të gjithë komunave të Tiranës metropolitane, që për interesat e qytetarëve të Tiranës metropolitane, ne kryetarët e bashkive dhe komunave jemi një” – theksoi z. Basha.

I pyetur nga gazetarët, Kryebashkiaku Basha u është përgjigjur edhe akuzave të ardhura nga ish - zyrtarë apo arkitektë të Bashkisë së Tiranës, lidhur me cënimin që sipas tyre plani i ri urbanistik u bën hapësirave të gjelbra të Tiranës. Kryetari i Bashkisë garantoi se brenda 5 vitesh, plani i ri urbanistik i cili pritet të miratohet në KKT dyfishon hapësirat e gjelbra të Tiranës.

“Besoj se brenda një kohe të shkurtër KKT do të mblidhet. Edhe njëherë do të na japë rastin të demonstrojmë që plani urbanistik në afatin e mesëm 5 vjeçar dyfishon hapësirat e gjelbra dhe kushdo që thotë të kundërtën, veçanërisht ata që thonë të kundërtën, është e njëjta gjë sikur Hitleri të akuzonte Ajzenhauerin, për persekutimin e hebrenjeve” – u shpreh z. Basha.

KOMENTE