English

Stefan Fyle në Tiranë: Çfarë duhet bërë për zgjedhjet që ato të mos kontestohen

Stefan Fyle, komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian nisi sot në Tiranë, një mision që sipas tij ka për qëllim diskutimin e zgjedhjeve të cilat kurrsesi nuk duhet të kontestohen.

“Erdha në Tiranë për të diskutuar çështjen më themelore të shtetit modern shqiptar. Çfarë duhet bërë për zgjedhjet që ato të mos kontestohen”, shprehet Fule.

Takimin e parë në Tiranë, komisioneri Fyle e ka zhvilluar në hotel Sheraton me të gjithë ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë.
Kjo është hera e parë që komisioneri Fyle e nis vizitën e tij në Tiranë duke takuar fillimisht ambasadorët.

Më pas, në orën 11:00 komisioneri Fyle është takuar me kryeministrin e vendit Sali Berisha dhe më pas në orën 12:14 është takuar edhe me kreun e PS-së Edi Rama, në një përpjekje për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në Parlament të tre ligjeve të përcaktuara nga Brukseli si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Ndërsa takimin e fundit në Tiranë, komisioneri Fyle e ka zhvilluar me Presidentin e Republikës Bujar Nishani në një lokal të periferi të Tiranës.

Pak ditë më parë, Fyle, nga Brukseli, u dërgoi një mesazh palëve politike shqiptare që të mos e humbnin shansin e fundit të Shqipërisë për integrimin saj europian, duke theksuar se mungesa e një kompromisi në plotësimin e kushteve të kërkuara nga KE do të thoshte se për Shqipërinë nuk do të kishte raport në pranverë të këtij vitit, siç do të ndodhë me vende të tjera të Ballkanit.

Ndërkohë vizita e komisionerit Fyle në Tiranë zhvillohet në një kohë kur palët politike shqiptare po bëjnë llogaritë elektorale, të cilat kanë rritur më tej tensionin e brendshëm.

KOMENTE