Pas shumë diskutimeve dhe opinioneve por dhe realitetit të punës nëpër shkolla është vendosur që tekstet e sistemit arsimor nëntëvjeçar të ndryshojnë tërësisht.
Matematika, gjuha shqipe, por edhe fizika e kimia, kanë patur jo vetëm ngarkesa të panevojshme, por edhe përsëritje dhe pasaktësi shprehen ekspertët arsimorë.
Drejtoresha e kurrikulave, Tidita Avduramani, sqaron se prej dy vitesh po punohet për ndryshimin e programit: “Nga vlerësimet e jashtme ka rezultuar se ngarkesa është konceptuale dhe jo fizike (në numër orësh). Ka përsëritje konceptesh dhe kjo është evituar.”
Por cilat janë ndryshimet kryesore që do të pësoje kurrikula e sistemit 9-vjeçar, duke iu përshtatur atyre të vendeve të Bashkimit Europian. Avduramani shpjegon: “Fëmijët marrin njohuritë e para bazë mbi shkencat natyrore dhe të gjitha do të vijnë si një libër i vetëm me fletë pune. Kjo eviton pasjen e shumë programeve dhe librave.”
Mësuesit kanë evidentuar se në disa tekste të lëndëve të matematikës jepen ekuacione që kanë shkallë vështirësie të madhe e që duhet të mësohen në shkollë të mesme gjë që sjell edhe një mbingarkesë psikologjike dhe stresante te fëmijët.
Ramazan Fejzo, drejtori i Shkollës së Kuqe, thekson: “Në matematikë ka mbivendosje temash dhe kjo duhet të lehtësohet. Ka patur gjithashtu edhe tema që në Europë trajtohen në gjimnaz, ndërsa ne i bënim në klasë të tetë.”
Gjithashtu po punohet edhe në përafrimin e teksteve të njëjta midis Kosovës dhe Shqipërisë me qëllim që nxënësit të mos ndiejnë vështirësi edhe nëse ata ndryshojnë shkollën.