English

Hoxhaj: Falë SHBA-së, Kosova është vend i lirisë, paqes dhe prosperitetit

Në emër të popullit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri Hoxhaj ka shprehur përgëzimet dhe konsideratat më të larta për personalitetin e sekretarit Kerry, i cili do të udhëheqë politikën e jashtëm të SHBA-ve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë përkrahëset më të fuqishme, përkushtimi i pakufishëm i të cilave, do të çmohet gjithnjë, ndërkohë që Kosova vazhdon të tejkalojë sfidat dhe të arrijë progres më të madh. Angazhimi ynë për integrim evropian dhe anëtarësim të plotë në komunitetin ndërkombëtar është i palëkundshëm dhe gjithnjë e më i fuqishëm, duke u bazuar në mbështetjen e SHBA-ve”, thuhet në telegram.

Duke iu referuar faktit se gjatë këtij muaji, Republika e Kosovës shënon 5 vjetorin e pavarësisë, Hoxhaj thekson se shteti i Kosovës është bërë një vend i lirisë, paqes dhe prosperitetit për të gjitha komunitetet.

Ai po ashtu thekson angazhimin e Republikës së Kosovës për realizimin e interesave të qytetarëve të saj si dhe për të kontribuar me konstruktivitet në avancimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Hoxhaj në telegram po ashtu ka vlerësuar mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për rritjen e mëtutjeshme të numrit të njohjeve të shtetit të Kosovës, duke shtuar se këto shtete e kanë njohur suksesin e madh që është arritur në Kosovë në forcimin e sundimit të ligjit, të drejtave të komuniteteve dhe zhvillimin ekonomik të shtetit sovran të Kosovës.

“Përfaqësimi demokratik dhe mirëqenia për të gjithë qytetarët e Kosovës është një realitet, jo një dëshirë, falë mbështetjes së madhe që ne kemi marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet ndër të tjera në letrën e ministrit Hoxhaj, dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.

KOMENTE