Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë, me të cilët diskutoi rreth çështjeve më të rëndësishme që shqetësojnë këtë pjesë të shoqërisë shqiptare.
Ish-të përndjekurit politikë shtruan si tema diskutimi para Kreut të Shtetit miratimin sa më parë të ligjit të lustracionit, heqjen e titujve të nderit të persekutorëve dhënë nga regjimi diktatorial, përshpejtimin e procesit të dëmshpërblimit, trajtimin më me dashamirësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore për punësimin e ish-të përndjekurve politikë dhe familjarëve të tyre si dhe kthimin apo kompensimin e pronës me përparësi për këtë kategori.
Një prej çështjeve të diskutuara ishte dhe ngritja e një muzeu në Tiranë kushtuar qëndresës ndaj diktaturës, rigjenerimi atje ku është e mundur i burgjeve dhe kampeve të internimit, në mënyrë që ato të mbeten dëshmi kujtese e së kaluarës së hidhur.
Presidenti Nishani vlerësoi kontributin e ish-të përndjekurve politikë për vendin dhe u shpreh i gatshëm për të pritur dhe dëgjuar zërin e tyre sa herë që të paraqitet nevoja, duke theksuar se dëshiron që kjo pjesë e shoqërisë sonë të jetë më aktive në jetën e vendit.
Duke nënvizuar se sa më të bashkuar të jenë ish-të përndjekurit me njëri-tjetrin aq më i fortë bëhet zëri i tyre në shoqëri, Kreu i Shtetit ofroi gatishmërinë dhe vullnetin institucional për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve të ngritura nga ish-të përndjekurit politikë, duke nxitur institucionet e shtetit dhe shoqërinë civile.
Presidenti Nishani mirëpriti idenë për kryerjen e veprimtarive, të cilat do të ndihmonin për të mbajtur gjallë kujtesën e qëndresës anti-diktatoriale.