English

Rruga “Hamdi Cenojmeri”, tashmë një rrugë me standarte europiane

Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet në rrugën “Hamdi Cenojmeri”, në Njësinë Bashkiake nr.6. Rruga që po rikonstruktohet ka një gjatësi në total prej 940 metrash. Pjesa e parë prej 450 metrash po rikonstruktohet me buxhetin e vitit 2012 dhe pjesa në vazhdim është parashikuar të rikonstruktohet në buxhetin e vitit 2013, deri në kufi me territorin e Komunës Vaqarr. Pjesa e parë e rrugës ku dhe po punohet ka gjerësinë 6 metra dhe trotuare nga të dy krahët me nga 1 metër.

Me një investim prej 39 milionë lekësh po realizohen edhe punimet e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza, ndriçimi rrugor ku do të vendosen 32 copë shtylla, vetëm në segmentin e parë dhe do të mbillen 148 pemë të llojit bli.

Ne presim që brenda dy muajsh të nisë vazhdimi i rrugës, deri në përfundim të saj. Kjo është një vepër e parashikuar në buxhetin e vitit 2013 dhe e konsideruar prioritare nga vetë banorët e Kombinatit, gjatë konsultimeve të buxhetit. Ndërkohë, dua të informoj banorët e kësaj zone, që brenda 3-4 muajve të ardhshëm, Ujësjellësi do të përfundojë rrjetin shpërndarës për të gjithë zonën dhe asnjë shtëpi nuk do të mbetet jashtë mbulimit të këtij rrjeti. Projekti tashmë ka përfunduar dhe po merren masat për zbatimin e tij, sikundër siguroj dhe banorët në anën perëndimore të kësaj rruge, se rikualifikimi urban i zonës së tyre është po kështu një projekt i buxhetit të vitit 2013, zbatimi i së cilit do të nisë po këtë vit. Projekti parashikon sistemimin e ambienteve para pallateve, gjelbërim, ndriçim dhe stola për pushim si edhe ambiente e kënde lojrash për fëmijë” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Kryetari i Bashkisë, z. Basha theksoi se me FSHZH do të realizohet vazhdimi i kësaj rruge deri në qendër të komunës së Vaqarrit, që funksionon në një farë mënyre si një “park natyror” për zonën e Kombinatit. Kjo rrugë nuk është shtruar asnjëherë më parë.

“Në një bashkëbisedim me Drejtorin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit z. Beci, kemi diskutuar edhe në emër të komunës së Vaqarrit, mundësinë e vazhdimit të rrugës deri në pikë takimin me rrugët rajonale brenda komunës së Vaqarrit. Kjo rrugë pikë së pari do të kthehet në një rrugë me parametra modernë evropianë, për t’u shërbyer banorëve të kësaj zone, banorëve që kanë shtëpitë në të dy anët e rrugës dhe që e përdorin si arterie kryesore dhe së dyti të kthehet nga një arterie që sjell baltë në dimër e pluhur në verë, nga komuna rurale e Vaqarrit, në një arterie e cila përshkon bashkinë dhe komunën e Vaqarrit, duke e bërë aspektin e gjelbër të kësaj komune, “të shijueshëm” për qytetarët e Kombinatit” – theksoi z. Basha

Kryebashkiaku Basha ka rishprehur vendosmërinë e Bashkisë së Tiranës, për t’i sjellë standardin e munguar çdo centimetri katror të këtij qyteti, pavarësisht se ku shtrihet ai.

“Sado periferike të jetë, asnjë pjesë e kryeqytetit nuk do të mbetet jashtë vëmendjes së Bashkisë së Tiranës, ndaj si kjo rrugë, si vazhdimi i kësaj rruge, si sistemimi i bllokut të pallateve (këtu djathtas) por edhe vepra të tjera të cilat po ndërtohen në zonën e Kombinatit, Laprakë, Allias, Kinostudio apo Kodër – Kamëz, janë pjesë e përkushtimit tonë që standardi evropian, standardi i Tiranës moderne evropiane të shtrihet në çdo centimetër katror të qytetit tonë” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.

KOMENTE