Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u takua sot me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, z. Anders Fogh Rasmussen ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova dhe i gjithë rajoni në përgjithësi, si dhe vlerësuan rëndësinë e stabilitetit dhe paqes në rajonin e Evropës Juglindore.
Presidentja Jahjaga falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm Rasmussen për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s dhe KFOR-it dhe rolin e tyre të rëndësishëm si garantues për paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por dhe në të gjithë rajonin.
Presidentja Jahjaga falënderoi për mbështetjen e ofruar ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi dhe asistence, duke e siguruar Sekretarin e Përgjithshëm Rasmussen që Forca e Sigurisë e Kosovës do të vazhdojë mandatin e saj në respektim të standardeve evropiane dhe në koordinim të plotë me NATO-n.
Presidentja Jahjaga tha se mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-në me mbështetje të fuqishme nga SHBA-të, që po zhvillohet nga kryeministrat e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, pasi që është e vetmja mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve që kanë një të kaluar të hidhur por që aspirojnë t’i bashkohen familjes së BE-së dhe NATO-s.
Ajo vlerësoi marrëveshjet e arritura nga ky dialogu që kanë për qëllim të lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve, duke u ofruar perspektivë të qartë evropiane, si dhe falënderoi KFOR-in për angazhimin dhe punën që ka bërë në lehtësimin e implementimit të këtyre marrëveshjeve dhe në ofrimin e lirisë së lëvizjes të gjithë qytetarëve kudo që ata ndodhen.
Presidentja Jahjaga shprehu përkushtimin e institucioneve dhe shoqërisë së Republikës së Kosovës për t’u integruar në strukturat veriatlantike dhe në BE, duke nxitur inicimin e marrëdhënieve kontraktuale, sidomos Programin Partneriteti për Paqe, dhe duke siguruar përkushtim për përmbushjen e kritereve të nevojshme për të përshpejtuar proceset integruese.
Sekretari i Përgjithshëm, Rasmussen vlerësoi përmirësimin që Kosova ka bërë në fushën e sigurisë, duke shprehur përkushtimin e NATO-s ndaj Kosovës. Ai tha se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë si garantuese të paqes dhe stabilitetit dhe ofrimin e asistencës në trajnimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sekretari i Përgjithshëm, Rasmussen vlerësoi procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të zhvilluar në mes të dy kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke inkurajuar arritjen e marrëveshjeve të qëndrueshme dhe tejkalimin e problemeve.
Ai theksoi rëndësinë e integrimit të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe theksoi rëndësinë e shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës.