English

Jahjaga viziton misionin amerikan në BE

Atifete Jahjaga, presidentja e Kosovës u prit sot në Misionin e SHBA-së në BE, nga ambasadori i SHBA-së William Kennard dhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan I shtetit, ambasadori Philip Reeker.

Në bashkëbisedim me ambasadorët Kennard dhe Reeker, Presidentja Jahjaga shprehu falënderimin e qytetarëve të Kosovës dhe të institucioneve të vendit për ndihmën që SHBA-ja po i jep Kosovës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ajo theksoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në agjendën e saj evropiane dhe është e përkushtuar që të përmbushë të gjitha standardet e nevojshme për integrimet në BE.

Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës nuk ka alternativë tjetër përveç rrugës së integrimeve euro-atlantike dhe tha se Kosova po luan një rol të rëndësishëm si promovuese e fqinjësisë së mirë. Ajo theksoi se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon dhe i dha përkrahje dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet qeverive të të dyja vendeve me ndërmjetësim të BE-së dhe përkrahje të fuqishme të SHBA-së.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga theksoi se takimi me Presidentin e Republikës së Serbisë, Tomislav Nikoliq, është në funksion të relaksimit dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, sovrane dhe të pavarura dhe të përshpejtimit të agjendës evropiane për Kosovën.

Ambasadori Kennard dhe ambasadori Reeker theksuan se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon ajo. Ambasadorët Kennard dhe Reeker e vlerësuan lidershipin e Presidentes Jahjaga dhe thanë se takimi ndërmjet Presidentëve do të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ambasadorët Kennard dhe Reeker i dhanë përkrahje dialogut që po zhvillohet në Bruksel e që ka për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve.

KOMENTE