English

Albin Kurti: Frustrimi historik nga Serbia

Albin Kurti - Në raportin vjetor të punës të cilin e prezantoi para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës më 12 dhjetor 2012, presidentja Atifete Jahjaga nuk foli aq për atë që kishte bërë sa për atë që aspironte të bënte. Pra, nuk dha llogari të re për angazhimet e punën e saj, por ofroi premtime të vjetra për atë që beson se duhet bërë e do të ndodhë në vijim. Nuk u soll si presidente dinjitoze, por si politikane fushate. Në mesin e premtimeve dhe zotimeve të saj kishte edhe një të veçantë. Ajo tha që synon të takohet me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliq. La të kuptohet, më parë sesa të nënkuptohet, që ky takim pret të ndodhë sa më parë, kudo e sido. Me fjalë të tjera, tha që gjërat nuk varen prej saj dhe se ajo që varet prej saj tashmë ka ngjarë: gatishmëria e gjeneroziteti absolut për formën, mënyrën, vendin e kohën e takimit.

Tash e tutje gjithçka varej prej Nikoliqit. Veçse kjo nuk ishte thirrja e parë e Jahjagës për takim me Nikoliqin. Ajo daton diku thellë në vitin 2012 atëherë kur për herë të parë Jahjaga tregoi interesimin e saj për një takim të tillë. Kjo do të thotë që ishte Nikoliqi ai i cili për shumë muaj të tërë po e refuzonte takimin. Jahjaga ishte gati sepse është gati. Jahjaga është gati sepse ishte gati. Jahjaga nuk i paraprin gatishmërisë së saj por e pason atë. Jahjaga e ndjek nga pas gatishmërinë e saj. Krejtësisht ndryshe qëndron puna p.sh. me presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviq. Ai në vazhdimësi ka refuzuar që ta takojë Nikoliqin. Sigurisht që arsyet janë të pafundme – Nikoliqi, me jetën dhe bëmat e tij, me sjelljen dhe qëndrimet e tij, është i reduktueshëm në arsyet që vetë t’i jep për të mos u takuar me të. Mirëpo, arsyet e Josipoviqit në medie janë sublimuar në deklaratën e Nikoliqit se Vukovari është ‘qytet serb’. Qyteti në të cilin u bë lufta më e ashpër dhe më e afërt ndërmjet policisë kroate dhe forcave policore e ushtarake të ish-Jugosllavisë, që i mori nën kontroll Milosheviqi, pretendohej nga Nikoliqi të jetë qytet serb. Josipoviq, që përfaqëson unitetin e popullit të Kroacisë nuk mund të takohej me njeriun që shfaqte nostalgji për Vukovarin e bërë shoshë prej plumbave serbë. Dhe, kishte të drejtë. E, megjithatë, qëndrimi i Nikoliqit për Kosovën dhe shqiptarët është ku e ku më i tmerrshëm sesa për Kroacinë. Nikoliq për Kroacinë jep ndonjë deklaratë shoviniste, porse Serbia e ka njohur Kroacinë si shtet të pavarur, nuk ka struktura të saj armiqësore e kriminale atje, dhe aq më pak aprovon platformë hegjemoniste sikurse për Kosovën. Përkundër gjithë kësaj, presidentja Jahjaga nuk do t'ia dijë. Gatishmërisë së saj insistuese i erdhi fundi - Jahjaga, më në fund, po e takon Nikoliqin. Atëherë, pse Nikoliqi vendosi mu tash ta takojë Jahjagën? Cili është ky moment politik që e solli një këso përgjigje pozitive të Nikoliqit për këtë takim? Kundërshtimi më i fuqishëm i Nikoliqit erdhi menjëherë pas 28 Nëntorit të vitit të kaluar, pasi që lapidari i UÇPMB-së u përurua në oborrin e Kuvendit Komunal të Preshevës. Dhe, dakordimi i Nikoliqit për takim me Jahjagën erdhi, sërish, menjëherë pasi që xhandarmëria serbe e hoqi dhe vodhi lapidarin. Nikoliqit s'ka se si të mos i pëlqejë ca më tepër dialogu tash. Kur Daçiqi dhe ai kërcënonin se do ta heqin lapidarin, Thaçi dhe zëvendësi i tij Kuçi nuk ishin në gjendje të thonë se nëse hiqet lapidari do ta ndërprejnë dialogun. Kështu, ata dëshmuan varësinë kosovare prej dialogut nga i cili përfiton Serbia. Mandej, ky ngurrim i Thaçit për ta kushtëzuar dialogun në Bruksel u përkthye në lehtësim për Daçiqin dhe xhandarmërinë e tij në Preshevë. Takimi Jahjaga-Nikoliq pa dyshim se iu shkon për shtati edhe Thaçit edhe Daçiqit. Thaçit, që të mos duket se me krerët shtetërorë të Serbisë po takohet vetëm ai që dihet se është i korruptuar e i shantazhuar. Për më tepër, Thaçin nuk e ka votuar opozita, ndërkaq Jahjaga i mori plot 80 vota në Kuvendin e Kosovës, që do të thotë se ajo tërheq pas vetes edhe LDK-në e AAK-në. Në anën tjetër, ky takim i levërdis Daçiqit meqenëse ai është vetëm partneri i vogël i koalicionit qeverisës në Serbi dhe përfshirja direkte e Nikoliqit ia rrit legjitimitetin. Njëkohësisht, marrëdhëniet e tij me Nikoliqin mbase do të mund të përmirësoheshin në Bruksel edhe më parë sesa në Beograd. Me dialogun Thaçi-Daçiq në Bruksel janë përkeqësuar marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë, midis dy popujve e dy shteteve, dhe janë përmirësuar ato ndërmjet këtyre dy kryeministrave. Me takimin Jahjaga-Nikoliq do të sforcohet e njëjta dukuri. Krerë politikë e shtetërorë të papërgjegjshëm e pa skrupuj ka edhe gjetiu anekënd globit, porse askund tjetër si në Kosovë për papërgjegjësinë e paturpësinë e tyre paguan veçse populli e aspak vetë ata./shekulli/

KOMENTE