English

Përgjegjësia për zhvillimin ekonomik, punësimin, pjesë e axhendës së bashkisë Tiranë

Përveç takimit me kryeministrin Berisha edhe kryebashkiaku Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me anëtarët e Bashkimit Ndërkombëtar të Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë (IYDU). Duke u uruar mirëseardhjen të rinjve nga e mbarë bota, Basha bëri një prezantim të axhendës së tij në krye të Bashkisë e cila mbështetet në 3 parime; zhvillimi ekonomik, shanse më mira për punësim, veçanërisht për të rinjtë në qytet, cilësinë e jetës dhe projekte strategjike që do ta kthejnë Tiranën në një qytet modern evropian.

“Ajo që ne kemi sjellë në axhendën e Bashkisë për herë të parë në Shqipëri, është përgjegjësia për zhvillimin ekonomik, përgjegjësi për punësimin dhe përgjegjësi për të ardhmen e të rinjve në qytet. Pikë së pari, duke krijuar një klimë pozitive që do të thotë një sistem fiskal të përshtatshëm dhe një nga masat e para të miat këtu në Këshillin Bashkiak, aprovuar në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Bashkiak ishte eliminimi i 62 taksave dhe tarifave nga një listë e gjatë taksash me të cilën qyteti përballej. 62 taksa e tarifa u eliminuan dhe biznesi e pa këtë si një shenjë pozitive. Më pas vijuam me krijimin e një qendre “one stop shop” për lejet dhe licencat, duke imponuar afate kohore, sa i përket periudhës së aplikimit dhe marrjes së një lejeje apo licence, gjë që ishte sukses i madh. Pse e them këtë? Pasi pas një viti qeverisjeje, pra në korrik 2012, sipas statistikave të Tatim-Taksave rezultojnë 7 000 të punësuar të rinj taksapagues, ndërkohë që 2011-2012 rezultoi një vit tepër dramatik për ekonomitë e shumë vendeve rreth nesh, pra 7 000 vende të reja pune (neto), pasi në total numri i vendeve të punës të krijuara është 32 mijë.

Së bashku me Dhomën e Tregtisë ka nisur shkëmbimi i informacionit midis punëkërkuesve dhe punëdhënësve. Sot, në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë kemi të stacionuar punonjës të Bashkisë, roli i vetëm i të cilëve është të koordinojnë ofertën për punë me kërkesën për punë. Përmes një koordinimi më të mirë mes kërkesës dhe ofertës, ne kemi bërë të mundur që nga fundi i verës së kaluar deri në dhjetor të sigurojmë më shumë se 1500 vende të reja pune për të sapodiplomuarit, me kualifikime apo me praktika pune apo për të rinjtë nën 30 vjeç. Tashmë, qëllimi ynë është ta bëjmë sa më automatik të mundshëm. Në disa prej tregjeve të punës në Evropë, ky është një funksion i vetë tregut.

Këtë vit ndërmorrën një hap për herë të parë dhe ky ishte miratimi i garantimit të 1 milion euro nga Bashkia e Tiranës, ku taksapaguesit do të paguajnë në e – banka në ditët e përcaktuara si një fond garancie kundrejt apo në funksion të kredive të marra nga sipërmarrësit e rinj apo të vjetër, jo më shumë se 35 vjeç. Njëkohësisht, do të ecim përpara me të tjera skema, duke rifinancuar plotësisht kompanitë, të cilat do të përfitojnë nga ky fond dhe do të jetë me fitim për tre vitet e para. Ne së shpejti do të shohim se si do të funksionojë kjo. Në këtë mënyrë, nuk jemi duke e zgjidhur këtë nga perspektiva bashkiake por po sigurojmë garanci dhe bankat janë duke vepruar në bazë të kritereve të tregut. Pragu që kemi vendosur është mosha 35 vjeçare apo edhe më të rinj se kjo moshë” - theksoi Kryebashkiaku.

Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha bëri një prezantim dhe të projekteve strategjike të Bashkisë së Tiranës, që nga bulevardi i ri, lumi i Tiranës, trami, terminali etj.

“Qyteti po angazhohet me një skemë të gjerë të rizhvillimit urban dhe së shpejti do të kemi disa vepra të rëndësishme publike, ku do të shohim dyfishimin e infrastrukturës në pjesën veriore të qytetit, zgjerimin në pjesën e bulevardit veri – jug dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës të cilin asnjë prej jush nuk e ka parë, pasi ndodhet në periferi të qytetit dhe ka qenë një ndër zonat më të ndotura nga ana ekologjike. Ne kemi punuar për infrastrukturën anash tij, për ta kthyer në një park të gjelbër. Po ashtu, kemi avancuar në lidhje me transportin publik dhe lëvizshmërinë, për linjën e tramit. Linjat kryesore në kryeqytet do të zëvendësohen me atë të tramit dhe për këtë Franca dhe BE kanë dhënë grante për financimin e studimeve të fizibilitetit të tij. Besojmë se vitin tjetër do të nisim njërin prej tyre. BERZH ka financuar sa i takon fazës konsultuese dhe ndërtimin e stacionit multimodal në periferi të qytetit. Po ashtu, jemi përqendruar në projektet për jetën e qytetarëve, vepra publike, riparime të rrugëve, trotuareve, ndërtimin e shkollave të reja dhe në aspektin e zhvillimit ekonomik që luan Bashkia, në realizmin e këtyre projekteve” – u shpreh z. Basha.

Përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe dëgjimin e zërit të tij, Kryebashkiaku Basha e ka konsideruar si çelësin e suksesit, në adresimin e saktë të problematikave të qytetit. Kreu i Bashkisë i ka njohur të rinjtë me praktikat aktuale të dëgjimit të zërit të qytetarëve, ku çdo të premte vetë Kryebashkiaku takohet me qytetarë e po kështu një ditë në javë, çdo drejtor ka një orar të përcaktuar për tu takuar me ta.

Të dy buxhetet e hartuara nga administrata Basha i janë nënshtruar një konsultimi të gjerë me qytetarët në të 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit, sikundër edhe plani urbanistik i Tiranës për disa muaj ka qenë objekt konsultimi. Përveç konsultimit të drejtpërdrejtë, qytetarët kanë një rubrikë të veçantë në web-in e Bashkisë së Tiranës, ku çdo njëri prej qytetarëve mund të pasqyrojë problematika të natyrave nga më të ndryshmet dhe më pas drejtorët e drejtorive përkatëse kanë hapësirën e tyre për të dhënë zgjidhje në lidhje me këto probleme.

KOMENTE