English

Shëndetësia për PS është një nga ata sektorë që do ndryshojë që nga themelet

Ndroqi ka qenë ndalesa e radhës së Kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama në turin e tij për prezantimin e programit “Për një Rilindje Shqiptare”. Në kuadër të javës së shëndetësisë kryesocialisti ka vizituar Qendrën Shëndetësore të komunës Ndroq në rrethin e Tiranës, ku është takuar me mjekë e ndihmës mjekë që shërbejnë aty si dhe me banorë të kësaj komune. Ata e kanë informuar për degradimin e kësaj qendre, e cila pas vitit 2006 ka humbur shumë nga funksionet e saj.

Mjeku i qendrës shëndetësore, Lekë Hysenaj e ka njohur Kreun e PS me problemet më shqetësuese. Ai rendit të parën mungesën e një autoambulance, çka i detyron banorët që për rastet urgjente të marrin taksi për të shkuar në spitalet e Tiranës. Mungesa e laboratorit mjekësor, i cili ka qenë funksional, por është mbyllur përpara disa vitesh dhe menjëherë pas mbylljes është hapur një laborator privat. Po në të njëjtën mënyrë është mbyllur pa ndonjë arsye të qartë edhe funksioni i qendrës si maternitet.

“Deri në vitin 2006 e kemi pasur, ka qenë një ndër qendrat shëndetësore më të mira. Qendra ka qenë e mirëpajisur me të gjithë elementët e ndihmës së shpejtë përfshi dhe transportin. Në vitin 2006 na është hequr ambulanca. Si ju përgjigjemi ne tani atyre rasteve që janë, me aksidente? Me taksi, me rrugë private dhe kaq,” thotë mjeku Hysenaj.

Rrëfimi i tij vazhdon me një vendim absurd për zhbërjen e laboratorit të qendrës shëndetësore, por edhe me mungesën e maternitetit çka ka sjellë që çdo shërbim i domosdoshëm, që vetëm pak vite më parë kryhej në këtë qendër, të përcillet për në Spitalet e Tiranës: “Prej rreth 40 vjetësh kemi patur laborator. Prej 2008 me një urdhër, që unë mendoj absurd, laboratori u hoq. Pas 6 muajsh u zëvendësua pastaj me një laborator privat. Ndroqi ka pasur një traditë prej 60 vjetësh maternitet, po në vitin 2008 materniteti është hequr.”
Një tjetër shqetësim i shtruar nga mjeku i qendrës është dhe ai i vështirësive të banorëve për përballimin e shërbimit shëndetësor, për shkak të papunësisë dhe mosqenies të siguruar. Sipas tij në këtë komunë janë rreth 3500 banorë të pasiguruar që duhet të paguajnë për të pasur shërbimin shëndetësor.
“Problem tjetër unë do thosha kemi një kategori të sëmurësh të cilët nuk përfitojnë nga skema që ne ofrojmë, për arsye se janë të papunë, për arsye se nuk kanë librezë shëndetësore, nuk kanë siguracion shëndetësor dhe detyrohen të paguajnë faturën tek ne, të paguajnë faturën tek mjekët specialist, plus medikamentet në farmaci,” thotë ndër të tjera mjeku i qendrës, i cili nuk lë pa përmendur dhe mungesën e medikamenteve të domosdoshme apo qoftë edhe të fashove, pasi mjetet që sjellin janë shumë të pakta dhe të pamjaftueshme.
Por edhe banorët që ndodheshin në qendrën shëndetësore i kanë treguar Edi Ramës se shkurtimet e bëra që nga viti 2006 kanë qenë të pajustifikuara dhe u kanë shkaktuar mjaft probleme atyre. Tani u duhet të paguajnë për të shkuar e për të marrë shërbimin në spitalet e Tiranës. Banorët e gjendur në qendrën shëndetësore tregojnë njëri pas tjetrit vështirësitë që kanë.

Një prej të moshuarve tregon se sa pagoi vetëm për ambulancën pa llogaritur shpenzime të tjera kur djali i tij pësoi një aksident. Ai tregon se si për të dhe familjen e tij ambulanca ishte sikur të merrje një taksi, shërbim privat, dhe jo një shërbim shëndetësor:“Para dy muajsh u aksidentua djali. Ka ndejtur tre orë se s’kishin mjet për ta çuar, as barelë. E kemi marrë pastaj me batanije, e kemi çuar me makinat tona në Spitalin Ushtarak. Atje pastaj e morëm e çuam tek Spitali Nr. 5, atje pastaj kemi marrë ambulancën e kemi paguar 25 mijë lekë, sepse nuk vinin me e çu. Po të kishte qenë ambulanca këtu për shembull mund t’i thoshe doktorit hajde ta çojmë në filan vend. E nxorëm nga spitali e prapë kam paguar ambulancën e spitalit që e sollëm në shtepi.”
Një mesogrua, banore e Ndroqit shprehet për mospërfilljen që ndjen nga shteti, i gjithë fshati i saj. Me pak fjalë tregon se si dhe mjekët me mjetet që kanë janë të pafuqishëm për t’u ardhur në ndihmë në rast sëmundjesh: “Ky është një fshat më afër Tiranës, më i miri dhe kur vjen puna jemi në fund fare. S’na llogarit kush. Ngre dorën doktori këtu, doktor jam sëmurë. Pi një paracetamol! Hajde qofsh shëndosh.”

Një burrë i thyer nga halli i fëmijës së sëmurë dhe me lot në sy për pamundësinë e tij i tregon Edi Ramës: “Vetëm analizat e këtij muaji kanë shkuar 140 mijë lekë. Unë pa punë, gruaja pa punë, dy fëmijë kam, pa tokë jam, ku do t’i gjej? Vetëm një gjilpërë e kam marrë 1200 euro. Jam deri në fyt me borxhe. Ai që është me kemp i përfiton që të gjitha falas, ai është i bllokuar, tani pyeta doktorin tha nuk i rimbulsohen. Është me kemp ka të drejtë që t’i marri që të gjitha. S’ka rimbursim. Një qese gjak 250 gram, e kam ble 50 mijë lekë. Gjaku thuhet jepet, dhurohet, por unë e blej.”

Nga ana e tij kreu i Partisë Socialiste ka theksuar vendosmërinë e kësaj force politike për të ndryshuar në mënyrën më të thellë realitetin në sektorin e shëndetësisë. Edi Rama po ashtu, duke marrë si shembull degradimin e Qendrës Shëndetësore të Ndroqit ka nënvizuar faktin se megjithëse fondet që jepen për shëndetësinë janë po ato që kanë qenë, numri i shërbimeve dhe cilësia e tyre është ulur, për shkak të abuzivizmit dhe korrupsionit me paratë e taksapaguesve: “Kishit laborator, kishit ambulanca, kishit maternitet, kishit shërbim 24 orë. Pse u rrënuan këto? Se nuk është se u ulën paratë, paratë të paktën nga kjo pikëpamje janë po ato. Nuk janë rritur, por janë po ato. Por, sepse u kanalizuan për korrupsion dhe për grabitje.”
Për Edi Ramën duhet të ndryshojë skema e shërbimit shëndetësor tërësisht dhe ky shërbim do të blihet nga shteti: “Duam që patjetër ta blejë shteti shërbimin. Duhet ta blejë shteti për të gjithë njerëzit dhe duhet ta japë nëpërmjet një institucioni që ne duam ta themelojmë, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor. Ajo që ndodh sot është që në 100 lekë shpenzime për shëndetësinë në një vit, vetëm 7 lekë përballohen nga kontributet e njerëzve. 33 lekë nga taksat e përgjithshme dhe gjithë pjesa tjetër nga xhepi i njerëzve të papunë. Kjo është e tmerrshme! Pra, 60 % e shpenzimeve për shëndetin në Shqipëri përballohen nga xhepi, nga borxhet, nga shitjet e pasurive, nga sakrificat e familjeve që nuk sigurohen dot se janë të papuna. Kjo duhet të ndryshojë menjëherë.”
Edhe më herët Kryetari i PS është angazhuar se pas 23 qershorit do të jetë shteti që do ta blejë shërbimin për qytetarët dhe do të jetë institucioni i Shërbimit Kombëtar Shëndetësor që do t’ua ofrojë atyre falas. Skema e sigurimeve shëndetësore që ka nisur të funksionojë që nga viti 1995 është tërësisht e dështuar. Shëndetësia për PS është një nga ata sektorë që do ndryshojë që nga themelet përmes Programit “Për një Rilindje Shqiptare”.

KOMENTE