English

93 vjetori i Tiranës si kryeqytet. Për 11 vjet Tiranës iu mbyll dera e integrimit, shprehet Berisha

Shpallja e Tiranës si kryeqytet është kthyer prej dy vjetësh, në një festë për qytetin e Tiranës. Kremtimi i 93 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet ka nisur me aktivitetin “Qeveria e parë në Tiranën kryeqytet”, organizuar në Akademinë e Shkencave, e cila shërbeu si parlamenti i parë në kryeqytetin shqiptar. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka nisur fjalën e tij me mirënjohje për të gjithë familjet tiranase të cilat e mirëpritën menjëherë qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe çdo qytetar shqiptar që vendosi të ndërtojë të ardhmen e tij në kryeqytetin shqiptar.

“Edhe atëherë kishte përpjekje për bllokim, njerëz që pengonin të ardhmen, sigurinë, perspektivën e vendit, që ushtronin forcën e tyre për ta ndalur Shqipërinë, për ta pasur vendin një çiflig personal por ngrohtësia dhe mbështetja që gjeti qeveria në ditët e ftohta të shkurtit të vitit 1920, në shtëpitë familjet dhe banorët e Tiranës ishte një inkurajim dhe garanci për të vazhduar përpara.

Tirana u bë “zemra” e kombit. Përpjekjet që u bënë këtu për zhvillim, edukim, kulturë, identitet u shpërndanë më tej në të gjithë dejet e shqiptarëve. Për vite dhe dekada me radhë, bashkëkombësit tanë i kanë pasur sytë tek Tirana. Ka qenë gjithmonë një pikë referimi dhe ky qytet nuk ka zhgënjyer. Gjithnjë ka treguar vëmendje, gjithnjë i ka pasur dyert e hapura për këdo. Një dëshmi për këtë ishte edhe atmosfera që Tirana ofroi në kremtimin e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Sot, pas 93 vitesh kryeqytet, Tirana është e autoktonëve por edhe e të ardhurve, një qytet bujar që lejon, madje bashkëjeton çdo ditë me të ndryshmen. Tirana është “streha” e kulturave dhe besimeve të ndryshme fetare. Kjo ka ndodhur sepse Tirana ka trashëguar genin dhe shpirtin tiranas që është mikëpritja, respekti dhe dashuria për dijen dhe lirinë” – u shpreh z. Basha.

Kreu i Bashkisë Lulzim Basha nënvizoi se qyteti ka nevojë t’i shërbehet me sakrificë. ndërsa shprehu vendosmërinë e tij dhe të administratës që drejton për këtë. Sipas Kryebashkiakut, sa më shumë vlerësojmë sakrificën e patriotëve që themeluan Tiranën kryeqytet, aq më shumë ndriçojmë të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë.

“Tirana është në krye të integrimit evropian të vendit por kjo nuk mund të funksiononte nëse Bashkia dhe administrata e saj do të ishte “e shurdhët” para zërit të qytetarëve dhe kërkesave të tyre. Nuk mund të funksiononte nëse Bashkia dhe administrata përdoreshin për “katapultë” politike apo për “lulëzim” financiar të një grupimi. Ne kemi ndryshuar mënyrën se si qeveriset qyteti. Tirana ka për herë të parë një plan të zhvillimit urban, një “kushtetutë” urbane që garanton respektimin e pamohueshëm të së drejtës së pronës, që garanton transparencë dhe nuk lejon arbitraritet në kurriz të askujt.

Sot, çdo qytetar që ka një kërkesë pritet të dëgjohet nga Bashkia. Tani qyteti nuk fillon dhe mbaron në qendër. Tirana do të vazhdojë të ketë standarde evropiane në çdo cep të saj, gjë që e dëshmojmë çdo ditë me investimet tona. Sot, në këtë 93 vjetor të futjes së qeverisë së parë në Tiranën kryeqytet, më lejoni të përsëris si kryebashkiak i Tiranës dhe në emër të Këshillit Bashkiak, të kryetarëve të njësive bashkiake, të administratës, përkushtimin tonë për të shërbyer pa u lodhur, duke e bërë këtë çdo ditë të vitit’’ – theksoi z. Basha.

Kryeministri Berisha e vlerësoi shpalljen e Tiranës kryeqytet, si një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Kryeministri u shpreh se kjo ditë është para së gjithash një kujtesë dhe mirënjohje për të gjithë qytetarët e Tiranës, për virtytin, për atdhetarinë dhe për krenarinë e tyre të dëshmuar, në shndërrimin e qytetit të tyre, në kryeqytetin e vendit. Kryeministri kujtoi me mirënjohje dhe nderim të thellë të gjithë ata burra të shquar, shtetarë të viteve ‘20, të cilët mes përpjekjeve të jashtëzakonshme dhe rreziqeve të panumërta ndërmorën nga Lushnja, marshimin drejt Tiranës dhe vendosën aty qeverinë e Kongresit të Lushnjës.

“Në historinë tonë kombëtare është qeveria më reformatore që shqiptarët kanë patur ndonjëherë, qeveria e cila me një guxim të jashtëzakonshëm hodhi poshtë të gjithë traktatet që parashikonin dhe stipulon copëtimin përfundimtar të trojeve shqiptare. Tirana ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në proceset demokratike dhe ne çfarëdo që të bëjmë për këtë qytet nuk arrijmë të bëjmë atë që qyteti ka bërë për ne, për Shqipërinë. Do të mbetet në mbetet në memorien e kohërave, vota e 31 marsit e viti 1991, kur qytetarët Tiranës në zonën ku diktatori i fundit komunist shqiptar ishte më i sigurt, e nxorën jashtë politike me votën e tyre.

Sot ka një fat shumë të hidhur. Njeriu që qeverisi Tiranën për 11 vjet, si shpërblim për votën e qytetarëve të këtij qyteti të mrekullueshëm u mbyll derën e integrimit, e la Tiranën në mënyrën më të paimagjinueshme jashtë familjes së kryeqyteteve të vendeve anëtare dhe të vendeve me status të familjeve evropiane. Edhe këto, jashtë çdo lloj sensi mirënjohje për këta qytetarë, jashtë çdo lloj respekti për vokacionin perëndimor, vokacion të cilin ne shqiptarët e kemi paguar me çmimin më të lartë dhe nuk mund ta injorojmë këtë, vokacion për të cilin janë bërë sakrificat më të jashtëzakonshme, sikundër janë bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme për të na e rrënuar këtë vokacion.

Megjithatë, unë shpreh bindjen më të madhe se më 23 qershor me mençurinë e tyre, qytetarët e Tiranës do të votojnë për 93 vjetorin si kryeqytet, por do të votojnë edhe për qindra vitet e ardhshme si lokomotiovë e këtij kombi drejt zhvillimit dhe Evropës’’ – u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri ka rishprehur angazhimin e tij që në muajin mars të nis ndërtimi i Xhamisë së Madhe, ku qytetaret ti luten Zotit dhe të falen në xhaminë që meritojnë. Po kështu Kryeministri Berisha tha se godina që sot njihet si Teatri i Kukullave por që më parë ka qenë Parlamenti i qytetit të Tiranës, t’i kthehet Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Pjesë nga historia e hyrjes së qeverisë në kryeqytet solli edhe historiania Valentina Duka. Pasardhës të Sulejman Delvinës, imzot Luigj Bumçit, Hoxhë Kadriut etj sollën copëza kujtimesh nga qeveria e parë e vendosur në Tiranën kryeqytet.

KOMENTE