English

Basha: Zyber Hallulli themeluesi i Strehës Vorfnore të Tiranës

Në një ceremoni të veçantë, Bashkia e Tiranës dhe shoqata “Tirana” kanë përkujtuar kryetarin e parë të Bashkisë, Zyber Hallullin. Në vendin ku ka jetuar kryebashkiaku i parë u vendos një pllakatë përkujtimore. Në vitin 1913, kryetari i parë i Bashkisë u zgjodh një prej drejtuesve klerikë në Tiranë, Zyber Hallulli i cili njihet si themeluesi i shtëpisë së jetimëve, e cila sot mban emrin e tij. Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i pranishëm në ceremoninë e zbulimit të pllakatës, në vendin ku ka jetuar Zyber Hallulli ka vlerësuar personalitetin dhe virtytet e tij.

“Në këtë ditë të veçantë duhet të kujtojmë një person të veçantë i cili është një ndër mishëruesit më tipikë të këtyre vlerave te tiranasve, kryetarin e parë të Bashkisë së Tiranës, Zyber Hallulli i cili mishëron në personalitetin e tij dimensione të admirueshme për çdo qytetar, për çdo kryetar bashkie dhe çdo pushtetar, duke treguar se si titullin e qytetarit të parë ai e meritonte nëpërmjet virtytit që përfaqësonte. Këtë virtyt, ai e shprehu edhe më vonë kur pas lënies së detyrës ishte themeluesi i Strehës Vorfnore të Tiranës dhe jo më kot sot, jetimorja e Tiranës mban emrin e tij, duke nderuar pikërisht këtë vlerë, ndërmjet shumë vlerave që ai mishëronte dhe që janë vlerat esenciale të popullsisë autoktone të Tiranës” – theksoi z. Basha.

Kryebashkiaku Basha tha se duke u bazuar mbi vlerat e Zyber Hallullit por edhe qindra mijëra qytetarëve autoktonë tiranas, jemi të përkushtuar ta çojmë më tej dëshirën e shqiptarëve për ta parë Tiranën çdo ditë e më mirë.

“Nuk janë thjesht vendimet politike, ndonëse shumë të rëndësishme, siç ishte Kongresi i Lushnjës apo vendimmarrësit politikë por janë veçoritë dhe tiparet dalluese të popullsisë së Tiranës, ato që bënë të mundur që kryeqyteti i caktuar në 1920 të mbetej kryeqytet dhe të jetë sot një pikë referimi për qytetarët shqiptarë dhe bashkëkombësit tanë kudo ku janë. Përkushtimi ynë është që duke u bazuar mbi këto vlera, ne ta çojmë më tej dëshirën e të gjithë shqiptarëve për ta parë Tiranën më mirë, për t’i parë këto si vlera themelore të qytetit tonë’’ – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

KOMENTE