Mbijetesa duke kopjuar keq, copëza nga programi i PS-së është fakti më kuptimplotë se koha e qeverisë aktuale ka mbaruar dhe se ajo është në largim e sipër. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është fokusuar në dy momente kryesore në fjalën e tij përpara grupit parlamentar të PS-së, të mbajtur sot paradite në mjediset e selisë rozë. Ai ka renditur të gjitha pikat e kopjuara nga Programi për një Rilindje Shqiptare e normalisht edhe të zbatuara në mënyrën më të keqe nga qeveria, duke i komentuar ato si përpjekje të dëshpëruar për t’i rezistuar një procesi, që në fakt është i parezistueshëm. Procesit të komunikimit të programit të PS-së, i vlerave dhe përmbajtjes të këtij programi, që prek çdo ditë vëmendjen e më shumë njerëzve dhe që krijon çdo ditë e më shumë mbështetje tek njerëzit.
Së dyti kryesocialisti është ndalur në disa elementë themelorë të projektit të parashikuar nga programi për një Rilindje Shqiptare për shëndetësinë. Rama ka argumentuar nëpërmjet shifrave dhe fakteve se sistemi aktual i kujdesit shëndetësor është i falimentuar dhe për ta rilindur atë socialistët kanë një projekt shumë ambicioz, që praktikisht paralajmëron reformën më radikale në paketën e reformave, që të ndërmerret për të rilindur Shqipërinë. Në thelb të kësaj reforme është ndryshmi mes konceptit të qeverisa aktuale për shëndetësinë dhe atij Partisë Socialiste. Sipas Ramës për qeverinë shëndetësia, kujdesi shëndetësor është mall, për socialistët është e mirë publike. Dhe pikërisht për këtë arsye kryesocialisti ka theksuar se PS është e vendosur që ta mundësojë për qytetarët shqiptarë sipas nevojës shërbimin shëndetësor dhe të mos e kushtëzojë me xhepin.
Më poshtë fjala e plotë e kreut të PS-së, Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist:
Së pari, dua të trajtoj një çështje, që lidhet me programin tonë dhe me përpjekjen e qeverisë për të mikluar elektoratin, duke marrë copëza të shkëputura nga programi ynë.
Ne e kemi nënvizuar prej kohësh domosdoshmërinë e heqjes së TVSH-së për makineritë. Është refuzuar për një kohë të gjatë, si një refuzim absurd, dhe pastaj është marrë dhe është adaptuar nga qeveria, por jo në masën e propozuar prej nesh dhe vetëm për një kategori të caktuar. Në mars të vitit 2012 ne kemi çuar në parlament projektin për heqjen e TVSH-së për inputet bujqësore dhe për një reduktim të konsiderueshëm të TVSH-së për një pjesë të tyre. Besoj që të gjithë i kanë parasysh reagimet absurde të qeverisë dhe të personalisht kryeministrit, i cili e akuzoi më shumë se njëherë Partinë Socialiste dhe grupin parlamentar për këtë propozim, duke pretenduar se ky propozim vinte nga kanalet e interesave të monopoleve. Praktikisht, sot jemi në kushtet kur vetë kryeministri e ka deklamuar me të madhe adoptimin e kësaj mase.
Në programin tonë është shkruar qysh në 5 nëntor të vitit 2011, një pjesë e planit tonë për transformimin rrënjësor të sistemit të arsimimit në shëndetësi, dhe e zeza mbi të bardhë, është paralajmëruar kthimi i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në një Universitet Mjekësor. Para pak ditësh, “mot à mo” kjo është marrë dhe është deklamuar si një çuarje përpara e projektit të qeverisë.
Kulmi në këtë vazhdë kopjimesh të çoroditura dhe pa asnjë koherencë, as me programin e tyre dhe as me programin tonë, ka qenë deklamimi i masës për të hequr taksën apo, saktësisht, tatimin e fitimit mbi të ardhurat personale, për të gjithë ata që fitojnë deri në 300 mijë lekë. Praktikisht, me këtë propozim kryeministri ka rrëzuar vetë të gjithë ngrehinën e propagandës kundër sistemit të taksimit të ndershëm dhe vlerës së progresivitetit në boshtin e këtij sistemi.
Askush nuk di ta shpjegojë se pse ata, të cilët fitojnë deri në 300 mijë lekë s’duhet të paguajë taksë dhe ata që fitojnë pak më shumë se 300 mijë lekë duhet të paguajnë përsëri më shumë sesa ata të tjerët që fitojnë më shumë. Konkretisht, pse ata që fitojnë deri në 300 mijë lekë nuk do të paguajnë asnjë taksë dhe policët e terrenit të cilët fitojnë 300 e pak mijë lekë do të vazhdojnë të paguajnë më shumë se sa Ministri i Brendshëm. Kjo është pjesë e gjithë përpjekjes së dëshpëruar për t’i rezistuar një procesi, që në fakt është i parezistueshëm, i komunikimit të programit tonë, i vlerave dhe përmbajtjes të programit tonë që prek çdo ditë vëmendjen e më shumë njerëzve dhe që krijon çdo ditë e më shumë mbështetje tek njerëzit.
Besoj që përderisa qeverisë i ka ardhur koha, që të mbijetojë duke marrë dhe adoptuar arbitrarisht copëza të projektit tonë, kjo është mënyra më kuptimplotë për t’u thënë shqiptarëve se i ka ardhur koha të largohet. Ne që kemi idetë, kemi padyshim dhe aftësinë e duhur për t’i realizuar këto ide.
Ndërkohë, besoj se, është me shumë rëndësi, që të gjithë ata që janë të vetëpunësuar, konkretisht të gjithë shqiptarët që sot jetojnë me një biznes të vogël, të marrin vesh se pas 25 marsit kur hyn në fuqi ligji i ri për sigurimet shëndetësore do të paguajnë kokë më kokë 70 dollarë më shumë. Çdo i vetëpunësuar në Shqipëri, pas 25 marsit do të ketë një rritje taksash me 70 dollarë dhe në total 5 milionë dollarë të tjera do t’i merren biznesit të vogël drejtpërdrejt nga xhepi, në formën e një ngarkese të re me taksa. Ne përsërisim pareshtur domosdoshmërinë që taksa e biznesit të vogël të hiqet. Është një masë e pamjaftueshme për ta çliruar biznesin e vogël nga litari mbytës i falimentimit dhe i një mbijetese jashtëzakonisht të vështirë, por është një masë e domosdoshme për t’i dhënë pak frymëmarrje në rrugën e rimëkëmbjes dhe të rilindjes së sipërmarrjes së vogël në Shqipëri. Që sot, biznesi i vogël i gjendur në një presion taksash të papërballueshëm dhe përballë një fuqie blerëse në rënie të përmuajshme, të ngarkohet edhe me një taksë tjetër, që praktikisht është taksa e çdo të vetpunësuari me biznes të vogël, nuk ka lajm më të keq për ekonominë familjare në Shqipëri. Nuk ka shembull më kuptimplotë të krizës së papërballueshme nga ana e kësaj qeverie.
Së dyti, do doja që të ndaja bashkë me ju, në kuadrin e rrugës së programit disa elementë themelorë të projektit tonë për shëndetësinë. Jemi në ditët kur po diskutojmë projektin. Është një projekt shumë ambicioz dhe praktikisht paralajmëron reformën më radikale në paketën e reformave, që ne duam të ndërmarrim për të rilindur Shqipërinë. Por, është shumë e rëndësishme që të kuptohet nga njerëzit se çfarë qëndron në themel të kësaj reforme. Qëndron, në fakt, dallimi themelor mes nesh dhe atyre që sot qeverisin Shqipërinë dhe që janë përgjegjës për gjendjen skandaloze të sistemit shqiptar të shëndetësisë;
Për ata shëndetësia, kujdesi shëndetësor, është mall, për ne është e mirë publike. Ata thonë: Po s’pate lekë mos u sëmur se shteti nuk kujdeset dot për ty. Ne themi: Kush sëmuret do të marrë kujdesin e shtetit edhe po s’pati lekë. Për ne shëndetësia, kujdesi shëndetësor, është e mirë publike. Ndaj ne jemi të vendosur që ta mundësojmë për qytetarët shqiptarë sipas nevojës dhe të mos e kushtëzojmë me xhepin. Sistemi aktual pas 18 viteve ekzistencë falimentare ka treguar se kushtëzimi me xhepin i kujdesit shëndetësor nuk bën asgjë tjetër veçse degradon sistemin dhe ul vijimësisht cilësinë e kujdesit shëndetësor.
Sot praktikisht, mbas 18 vjetësh, përveç asaj që shihet nga të gjithë dhe që preket nga të gjithë në kontaktin më të parë me sistemin aktual shëndetësor, bilanci është dramatik dhe është qartësisht një bilanc falimentar. Kontribuuesit e drejtpërdrejtë për sistemin janë sot më pak se 500 mijë persona, për të qenë të saktë afro 470 mijë deri në fund të vitit 2011, pra 1/7 e popullsisë shqiptare. Nga ana tjetër sot shpenzimet për kujdesin shëndetësor në Shqipëri, në më shumë se gjysmën e tyre nuk vijnë si pagesë nga kontributet, por vijnë si pagesë e drejtpërdrejtë nga xhepi. Dhe kur flasim për xhepin, flasim në këtë rast për xhepin e atyre që nuk paguajnë dot kontributet, sepse janë të papunë. Ndërkohë që kontributet mbulojnë vetëm 7% të shpenzimeve, pjesa e mbetur mbulohet nga taksat e përgjithshme. Sot për më tepër kemi një sistem kontributiv që është regresiv. Pra, kush fiton më shumë paguan më pak si përqindje e kontributit ndaj të ardhurave. Thelbi i vizionit tonë është që t’ua mundësojmë falas përfituesve dhe ta blejmë ne, ta blejë shteti nga ofruesit e shërbimeve. Me fjalë më të thjeshta; Është e qartë, shërbimi shëndetësor ka një kosto, por kjo kosto duhet përballuar nga shoqëria edhe për ata, të cilët e kanë të pamundur t’a përballojnë vetë. Sigurisht, për të gjithë atë pjesë të shërbimit që qendrat shëndetësore publike nuk arrijnë dot të përgjigjen në mënyrë adekuate janë qendrat shëndetësore jo publike, që do të duhet të përgjigjen, duke iu adresuar ne atyre. Sot ne kemi mbi 1 milionë vetë që janë të pasiguruar. Arsyeja është sepse janë të papunë dhe e kanë të pamundur që të sigurohen për shëndetin e tyre. Ne duhet t’ju sigurojmë kujdesin shëndetësor, megjithëse janë të papunë e për këtë arsye janë të pasiguruar.
Skema duhet të ndryshojë rrënjësisht. Sistemi i kontributeve ka falimentuar. Mbajtja në këmbë e tij është vetëm një mbajtje në agoni e një trupi të degraduar dhe pa shpresë për t’u ringjallur. Ne do të themelojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor, një institucion i cili do t’ua ofrojë këtë shërbim të gjithë qytetarëve pa dallim, ndërkohë që vetë shërbimin do ta blejë shteti. Sfida e krijimit të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor është një sfidë jashtëzakonisht e madhe, nuk është aspak e thjeshtë, por është e vetmja rrugë për t’i ikur rrënimit të vazhdueshëm të sistemit kontributiv. Sipas projektit tonë, dhe është një plan i mirëmenduar, ne do të mundësojmë një kontroll mjekësor bazë falas dhe të përvitshëm për grupmosha të caktuara brenda vitit 2014. Ashtu sikundër do të mundësojmë kontrollet vjetore falas për grupmoshat e rrezikuara të grave nga sëmundjet tumorale, që janë rritur shumë ndjeshëm në vitet e fundit, në radhë të parë për shkak të pamundësisë dhe të çorodisë organizative në drejtim të parandalimit.
Së fundi, ne duhet me patjetër që ta bëjmë shumë të qartë se mjekësia jo publike është një realitet dhe është një realitet i mirëpritur për sa kohë që ofron kujdes shëndetësor. Por duhet një politikë e hapur, e drejtë dhe transparente rregullatore, që synon në radhë të parë kujdesin shëndetësor, si një e mirë publike, jo si mall. Sepse nuk është normale, madje është skandaloze, që shërbimet e dializës, për shembull, është një nga shembujt se ka edhe të tjerë, të bëhen sot në Shqipëri vetëm në dy klinika private dhe të paguhen në këtë vend tre herë më shumë se sa mesatarja e Bashkimit Europian.